KDI kërkon nga partitë politike që sa më parë t’i kthehen punës në Kuvend

Aktuale

KDI kërkon nga partitë politike që sa më parë t’i kthehen punës në Kuvend

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 10:49
Kuvendi i Kosoves

KDI konsideron se konstituimi i Kuvendit të Kosovës u shoqërua me zvarritje dhe bllokada të paarsyeshme të krijuara nga partitë politike, ku pas gati katër muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, institucioni më i lartë ligjvënës në vend ende nuk është tërësisht funksional.

Sipas këtij instituti, grupet parlamentare përveç ndarjes së komisioneve, nuk kanë marrë mundin të propozojnë emrat e kryetarëve të komisioneve, të nënkryetarëve dhe të anëtarëve të tyre.

“Formimi i komisioneve parlamentare si trupa punuese të Kuvendit, është parakusht për funksionalizimin e këtij institucioni. Në anën tjetër, Kryesia e Kuvendit nuk është angazhuar në përshpejtimin e këtij procesi të rëndësishëm”, thuhet në reagimin e KDI-së. “Fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale ka bërë që partitë politike të orientohen në fushatë duke anashkaluar tërësisht punën në Kuvend. Shumë nga deputetët e Kuvendit janë edhe kandidatë për kryetar të komunave, ndërsa të tjerë kanë marrë role të caktuara në shtabet zgjedhore të partive politike. Gjendja ekzistuese po u përshtatet të gjitha partive politike parlamentare, prandaj po neglizhohet qëllimshëm”, theksohet tutje në reagim. KDI thotë se nga mungesa e ushtrimit të rolit të Kuvendit tashmë janë shkaktuar shumë dëme, disa prej të cilave mund të sanohen vetëm me një Kuvend tërësisht funksional dhe dinamik.

“Andaj, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon nga partitë politike parlamentare, që të balancojnë kohën e tyre për fushatë zgjedhore me detyrat dhe përgjegjësitë që kanë në Kuvend, të funksionalizojnë këtë institucion dhe të përpiqen të punojnë me përkushtim për të mirën e qytetarëve”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat