Reagon Thaçi për shkarkimet nga Ramush Haradinaj

Aktuale

Reagon Thaçi për shkarkimet nga Ramush Haradinaj

Nga: Arben Sylejmani Më: 26 shtator 2017 Në ora: 14:16
Jusuf Thaçi

Eksperti i arsimit në Kosovës, Jusuf Thaçi ka thënë se kryeministri Haradinaj ka kërkuar shkarkimin e anëtarëve më të mirë të bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

Në një koment në facebook, ai ka thënë se ky bord pavarësisht ndërhyrjeve politik, gjatë punës së tij ka ndërmarrë veprime të mira.

 “Pavarësisht të metave dhe lëshimeve, duke qenë edhe peng të vullnetit politik të pushtetarëve, kjo përbërje e KSHC-së së AKA-s ka qenë ndoshta përbërja më e mirë e KSHC-së deri më tani dhe është përbërja e vetme që megjithatë ka ndërmarrë disa veprime për të detyruar IAL për përmbushjen e disa kritereve dhe standardeve minimale për akreditimin institucional dhe akreditimin e programeve të studimit të IAL”, ka shkruar Thaçi.

Ky është komenti i tij i plotë:

Rreth shkarkimit të anëtarëve të KSHC-së së AKA-s!

Nga mediat u informuam se me kërkesën e Kryeministrit, Ministri i Arsimit ka shkarkuar anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), që është organi kryesor dhe më i lartë vendimmarrës në AKA, përkatësisht përgjegjës për cilësinë në arsimin e lartë në Kosovë, meqë është ky organ që merr vendim për akreditimin e programeve dhe akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë (IAL), publike e private.

Prandaj, desha të japë vlerësimin tim në lidhje me këtë veprim.

1. Shkarkimi i anëtarëve të KSHC-së të AKA-s parimisht nuk mund të gjykohet as si veprim i qëlluar dhe as si veprim i dëmshëm, sepse mund të jetë edhe ashtu edhe kështu, varet vetëm nga qëllimi. Nëse shkarkimi bëhet me qëllim të futjes nën kontroll të AKA-s nga pushtetarët e rinj, atëherë ky veprim patjetër që është i dëmshëm, madje dhe i rrezikshëm. Nëse shkarkimi është bërë me qëllim të përmirësimit të punës së AKA-s, atëherë ky veprim është i qëlluar.

2. Shkarkimi i anëtarëve të KSHC-së të AKA-s do të mund të vlerësohej si veprim i qëlluar sikur këtij vendimi t’i paraprinte një hulumtim dhe analizë e mirëfilltë objektive e punës dhe performancës së AKA-s, nga i cili hulumtim e analizë do të konceptohej një reformë e gjerë në arsimin e lartë në Kosovë, në kuadër të së cilës do të parashihej edhe ndërrimi i përbërjes së KSHC-së, por do të dihej edhe përbërja e re dhe garancat se përbërja e re e KSHC-së do të punojë më mirë. Diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe shkarkimi ka ndodhur brenda natës.

3. Po qe se Kryeministri dhe Ministri i Arsimit vërtet duan përmirësim të cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë, atëherë ata nuk kanë pasur fare nevojë të shkarkojnë anëtarët e KSHC-së të AKA-s. Do të mjaftonte që të tregojnë vullnetin e tyre politik dhe të kërkojnë nga KSHC zbatimin me përpikëri të të gjitha rregullave, kritereve dhe standardeve për akreditim të IAL të parapara me legjislacionin në fuqi në Kosovë. Kjo nënkupton se shumë IAL dhe programe të caktuara studimi do të duhej të mbylleshin, duke filluar nga IAL publike që mbajnë statusin “Universitet” kundërligjshëm (përveç UP-së) dhe kanë programe të akredituara që nuk i plotësojnë as kriteret minimale, për të vazhduar pastaj me mbylljen e disa IAL private dhe disa programeve të tyre që nuk i plotësojnë kriteret e standardet minimale.

4. Pavarësisht të metave dhe lëshimeve, duke qenë edhe peng të vullnetit politik të pushtetarëve, kjo përbërje e KSHC-së së AKA-s ka qenë ndoshta përbërja më e mirë e KSHC-së deri më tani dhe është përbërja e vetme që megjithatë ka ndërmarrë disa veprime për të detyruar IAL për përmbushjen e disa kritereve dhe standardeve minimale për akreditimin institucional dhe akreditimin e programeve të studimit të IAL. Krejt çka është dashur të bëjnë Kryeministri dhe Ministri i Arsimit, është dashur të kërkojnë nga KSHC zbatimin e të gjitha kritereve dhe standardeve për akreditim për të gjitha IAL, publike e private. Nëse KSHC do të dështonte ta bënte këtë, atëherë do të kishte kuptim shkarkimi i anëtarëve të KSHC-së.

5. Nuk e di a është i informuar Kryeministri dhe Ministri i Arsimit se emërimi i anëtarëve të KSHC-së së AKA-s kërkon miratimin e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç e parasheh Neni 7 i Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës (“Anëtarët e tij [KSHC] ratifikohen nga Kuvendi). Duke e ditur që qeveria aktuale e ka një shumicë jo të sigurt në kuvend, atëherë a janë të vetëdijshëm ata se çfarë pasojash të mëdha mund të ketë. Nëse qeveria nuk siguron votat e mjaftueshme në kuvend për “ratifikimin” e anëtarëve të rinj të KSHC-së, atëherë AKA mbetet pa bord, përkatësisht jofunksionale dhe çrregulli në arsimin e lartë bëhet xhungël.

6. AKA është anëtare e ENQA-s (European Association for Quality Assurance in Higher Education). Prandaj, shkarkimi i KSHC-së, organit kryesor dhe më të lartë vendim-marrës të AKA-s, i bërë kështu brenda natës, pa arsyetime të duhura e pa plan konkret për veprimet e mëtutjeshme, mund të ngjallë edhe reagimin e ENQA-s deri në largimin e AKA-s nga anëtarësimi në ENQA, gjë që do të kishte pasoja fatale për arsimin e lartë në Kosovë, sepse do të rrezikohej kontestimi i diplomave që lëshohen nga IAL në Kosovë.

7. Arsimi i lartë në Kosovë është shumë i rëndësishëm për politikën, për të keq fatkeqësisht. Përmes IAL publike, politika hapë vende të punës për “kuadrot” e veta akademike, rritë numrin e studentëve dhe zvogëlon artificialisht nivelin e papunësisë, kështu blenë paqen sociale. Në anën tjetër, sektori i arsimit të lartë privat është ndër industritë më fitim-prurëse në Kosovë. Shumë IAL private gjenerojnë miliona euro fitim çdo vit, megjithëse shumë prej tyre nuk i plotësojnë as kriteret e standardet minimale për t’u akredituar, qoftë si institucion, qoftë programe të caktuara studimi brenda institucionit. Leva kryesore e kontrollimi të krejt këtyre interesave është AKA, përkatësisht KSHC e AKA-s. Prandaj, nëse Kryeministri dhe Ministri i Arsimit e kanë ndërmarrë këtë veprim për ta futur nën kontrollin e tyre këtë levë, atëherë vaj halli për arsimin e lartë në Kosovë, mjerë për ne që jetojmë në këtë vend!

P.S:

Personalisht më vjen mirë që ndodhi ky precedent i shkarkimit të KSHC-së, sepse gjatë draftimit të ndryshimeve në Ligjin e Arsimit të Lartë (projekt-ligj që pret të miratohet në kuvend), unë kam qenë anëtar i grupit që kemi draftuar ndryshimet dhe kam insistuar që edhe emërimi edhe shkarkimi i anëtarëve të KSHC-së duhet të bëhet me miratimin e kuvendit, në mënyrë që ky institucion i rëndësisë jetike të mos mbetet në mëshirën e vullnetin e një individi, sepse pasojat mund të jenë shumë të mëdha. Për këtë kam hasur në kundërshtimin e shumë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, por shpresoj që tash të jenë bindur që në Kosovë është e rrezikshme që vendimet e mëdha të lihen në dorë të një individi dhe shpresoj që të gjithë do të bëjnë presion që në ligjin e ri për arsimin e lartë të parashihet në mënyrë ekslicite ky ndryshim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat