Dënimi me 10 vite burg për dërgimin e granatës ruse në “Bota sot” nga anëtari i AAK-së, Haradinaj duhej të mbështeste vendimin e gjykatës

Aktuale

Dënimi me 10 vite burg për dërgimin e granatës ruse në “Bota sot” nga anëtari i AAK-së, Haradinaj duhej të mbështeste vendimin e gjykatës

Nga: B.S Më: 28 shtator 2017 Në ora: 14:31
Gjykata Federale e Zvicrës, Jeton Lleshin, i akuzuar për terrorizëm, anëtar i AAK-së dhe njeri i afërt i Ramush Haradinajt, e ka dënuar me 10 vite burg, për dërgimin e granatës ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot”.

Gjykata Federale Zvicerane ka dënuar me 10 vite burg, Jeton Lleshin, i akuzuar për terrorizëm për dërgimin e granatës ruse në adresë të redaksisë së gazetës “Bota sot”, në vitin 2002, në Zurich.

Jeton Lleshi, i dënuar me 10 vite burg, edhe pse është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe njeri i afërt i liderit të saj, tash kryeministër, Ramush Haradinajt, AAK nuk ka marrë asnjëherë guximin që të distancohet nga anëtari i saj.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë Jeton Kelmendi thotë se kryeministri Haradinaj do duhej të dilte në mbështetje të gazetës kombëtare “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se dënimin e personit që e pamë në media, i cili është akuzuar për sulm terrorist ndaj gazetës së përditshme “Bota sot”, duhet dënuar edhe nga spektri politik, sepse çështja ndërlidhet me një gazetë shqiptare të Kosovës dhe po ashtu një zyrtar që mund të jetë pjesë e subjektit të partisë të kryeministrit Ramush Haradinaj”, thotë Kelmendi.

Sipas tij, Haradinaj duhet të dal në mbështetje të mediave.

“E para që do të duhej të ndodhte është që partia e këtij terroristi do të duhej që të dilte në mbështetje të lirisë së medieve, do të duhej ta mbështeste vendimin e gjykatës për dënimin 10 vjet heqje lirie të atentatorit Jeton Lleshi që ka porositur dhe që ka dërguar granatën në drejtim të gazetës “Bota sot”, tha më tej Kelmendi.

Kelmendi thotë se për këtë rast duhet hetuar më tej se kush e ka nxitur personin për atentatin në redaksinë e “Bota sot”.

“Prandaj, është dashur që të kërkohet edhe më shumë se çka e ka motivuar këtë terrorist për të bërë një tentativë sulmi. Duhet të shkohet edhe më tutje për të parë se kush e ka frymëzuar apo eventualisht në qoftë se ka marrë instruksione nga Prishtina apo nga kush se ky njeri duhet të ketë pasur një bashkëpunim”, shtoi Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat