Kritikat e ashpra të BE-së për punën e Kuvendit

Aktuale

Kritikat e ashpra të BE-së për punën e Kuvendit

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 3 tetor 2017 Në ora: 08:23
Kuvendi i Kosovës

Që nga 9 shtatori Kuvendi i Kosovës nuk kishte mbajtur seancë, për këtë ishte kritikuar ashpër  edhe nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Por, kjo po vlerësohet nga analistët se ishte bërë për shkak të fushatës së zgjedhjeve lokale të cilat priten të mbahen me 22 tetor,  dhe asrye tjeter është  që Qeveria e Kosovës nuk ka plan qeverisjes për të prezantuar para deputetëve të Kuvendit

Lidhur me këtë, analisti Albinot Maloku ka thënë për “Bota sot” se mos mbajtja e seancave të Kuvendit është  imazhi i patetizmit.

Image
Albinot Maloku

“Doza e patetizmit në skenën politike në Kosovë është prezente që moti dhe mund të them se edhe mos mbajtja e seancave të Kuvendit është imazhi i këtij patetizmi dhe paarsyeshmërie”, ka thënë ai.

Për më tepër, ai ka thënë se mos mbajtja e seancave është bërë edhe për arsyeje të fushatës së zgjedhjeve lokale dhe se kjo po ndikon në proceset politike.

“Mirëpo, ajo që vërehet në këtë mos mbajtje të seancave si arsye duket të jetë angazhimi i subjekteve politike dhe i deputetëve të tyre në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Se si ndikon kjo në proceset politike, gjithsesi jo mirë, sidomos kur kemi parasysh detyrat e obligimet që i ka legjislatura e Kosovës”, ka thënë Maloku.       

Arsyet e mos mbajtjes së seancave edhe Nenad Rikallo

Ndërsa, analisti, Faton Mehmeti ka  komentuar për “Bota sot” kritikat e Bashkimit Evropian për mos mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës.

 Ai ka thënë se këto kritika janë të drejta dhe se  kjo mungesë e mbajtjes së këtyre seancave është e pashpjegueshme.

“Kritikat e BE ndaj kuvendit për mos mbajtën e asnjë seance parlamentare  është e drejte dhe në harmoni me nevojat e qytetareve te vendit. Është e pashpjegueshme mungesa e mos mbajtjes se seancave, derisa hallet e qytetareve janë shumë të mëdha”, ka thënë ai.

Image
Faton Mehmeti

Po ashtu, ai ka thënë se deputetët duhet të paguhen vetëm për seanca, jo të kenë paga shtesë.

“Deputet po marrin para pa asnjë mund, prandaj është e nevojshme që deputet të paguhen vetëm për seanca jo të kenë page tjetër. Kosova ka kuvendin e s`janë të padobishëm, përkundrazi më të rëndin që mbartin mbi supet e tyre qytetarët”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, mos mbajtja e deritashme e këtyre seancave bëhet për shkak të programit  të Qeverisë së Kosovës si dhe për çështjes së Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo.

“Mendimi im është se mosmbajtja e asnjë seance ka të bëjë me programin e vaket të qeverisë, pastaj çështja e ministrit Rikallo etj. Këto dy mendoj se janë më të mundshme, e para se qeveria vërtet s`ka ndonjë program zhvillimor por veç përgjithësime, ndërsa tek ministri Rikallo ka frikë qeveria se do të përballet me trysni të deputeteve pa qenë në gjendje që të shkarkoj atë. Ky është kuvendi më i varfër nga substanca, rrjedhimisht edhe pritet te jete kuvendi me i padobishëm për qytetaret e Kosovës”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Ndikimi i zgjedhjeve lokale

Kurse, analisti tjetër, Faik Krasniqi ka thënë për “Bota sot” se zgjedhjet lokale kanë ndikuar në mos mbajtjen e seancave parlamentare që nga konstituimi i Kuvendit, e ku dje u mblodhën për herë të parë.

Image
Faik Krasniqi

“Gjithashtu edhe disa ministra. Madje edhe deputetët tjerë që nuk janë kandidatë i shohim çdo ditë nëpër fushata, për t'i mbështetur bashkëpartiakët e tyre. Jo vetëm ata por edhe ministrat janë shumë aktiv nëpër fushata, edhe pse puna e tyre është në kryerjen e obligimeve qeveritare. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për deputetët”, është shprehur Krasniqi.

Po ashtu ai ka thënë se mosmbajtja e seancave parlamentare që nga konstituimi i Kuvendit, ka të bëjë edhe me numrat e paktë që ka kjo Qeveri.

“Me mungesën e vetëm një deputeti të koalicionit qeverisës në Kuvend, nuk mund të votohet asnjë ligj. Kjo është edhe një nga arsyet. Duhet të bëhet një ligj që i sanksionon këto veprime të pandershme të deputetëve dhe ministrave, sepse Kuvendi nuk është funksional kur deputetët dalin nëpër fushata zgjedhore. I njëjti ligj do të duhej të bëhej që asnjë deputet të mos ketë të drejtë të kandidoj për kryetar komune, sepse ai ka marrë votën e qytetarit për t'i përfaqësuar në Kuvend”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe se klasa politike nuk i merr parasysh kritikat e Bashkimit Evropian, pasi që nuk janë serioze.

“Kosova ka një milion probleme dhe nuk ka kohë për të humbur, sidomos në ekonomi, drejtësi dhe fushën e integrimeve evropiane. Klasa politike në Kosovë kurrë nuk i ka marrë parasysh kritikat e BE-së, sepse ato kritika nuk kanë qenë edhe aq serioze nga ana e tyre. Sikur ato kritika të ishin të sinqerta nga ana e tyre, këta politikanë nuk do të talleshin me këtë popull, dhe Kosova nuk do të ishte në këtë gjendje të mjerueshme. Prandaj, edhe këto ''kritika'' do të kalojnë pa ndikuar tek kjo klasë politike”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Kujtojmë, se Kuvendit i Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka mbajtur një seancë ku ishte paparaparë debati për plan programin qeverisë, por që Haradinaj me kabinetin e tij ishin larguar nga Kuvendit, duke ikur nga përballja me deputetët. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat