Vendimi i Haradinajt për faljen e borxheve prej 58 milionë eurove, jep sinjal negativ tek qytetarët

Aktuale

Vendimi i Haradinajt për faljen e borxheve prej 58 milionë eurove, jep sinjal negativ tek qytetarët

Nga: Arben Sylejmani Më: 7 tetor 2017 Në ora: 14:38
Ilustrim

 Kryeministri Haradinaj pati premtuar se njëri ndër prioritet gjatë qeverisjes së tij, do të jetë luftimi i korrupsionit, por vendim i tij i fundit për t’ua falur borxhet prej 58 milionë eurove prodhuesve të ujit po e dëshmon të kundërtën.

Këtë vendim janë duke e kritikuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare.

 “Në shikim të parë falja në këtë formë e borxhit nuk është se çon ndonjë sinjal pozitiv tek qytetarët, sepse në një farë forme mundet me pa si shpërblim për evazion fiskal”, tha për “Bota sot” deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Sipas saj, ka pasur mundësi tjera nga ana e Haradinajt për t’iu ndihmuar këtyre për t’i paguar borxhet, por jo për t’ua falur.

“Ekziston udhëzimi administrative i vitit 2016, i cili thotë se në qoftë se shfrytëzuesit e ujit nuk i kanë paguar taksat, ata detyrohen të i paguajnë në mënyrë retroaktive. Ka pasur një ligj për falje të borxheve. Ju e dini se ne e kemi bërë me ligj me aprovim të Kuvendit, por vendimet të tilla ad-hoc të kryeministrit nuk është se e mirëpresim”, shtoi Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat