Publicisti: Sulmi ndaj “Bota sot” u projektua në Prishtinë, tregon pse duhet të hetohet Thaçi dhe Haradinaj nga Prokuroria zvicerane

Aktuale

Publicisti: Sulmi ndaj “Bota sot” u projektua në Prishtinë, tregon pse duhet të hetohet Thaçi dhe Haradinaj nga Prokuroria zvicerane

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 8 tetor 2017 Në ora: 14:21
Foto e parë majtas Hashim Thaçi - President i Kosovës, këshilltari i të cilit, Bedri Islami, duket mjaft miqësor në një foto me dërguesin e bombës Jeton Lleshin. Foto e dytë majtas: Kadri Veseli, ish shef i Shërbimit Informativ të Kosovës. Jeton Lleshi, e kishte dërguar bombën nga posta e lagjes Oerlikon të Cyrihut ku qëndronte me zyre Kadri Veseli. Foto në mes poshtë: Granata ruse e mbështjellë me folje alumini, që ishte dërguar në formë dhurate në adresë të redaksisë së gazetës “Bota sot”, në Zvicër. Foto në mes lart: Brendësia e pakos ku ndodhej granata ruse. Foto djathtas: Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës, ekspert i bombave në ushtrinë jugosllave.

Kanë kaluar disa javë që nga dënimi me 10 vite burgim të terroristit, Jeton Lleshit, i cili dërgoi granatën ruse në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Zvicër.

Lleshi është dënuar nga Gjykata Federale e Zvicrës për shkak të përpjekjes së shumëfishtë për vrasje.

Lleshi është i afërt me kryetarin e AAK-së, tashmë kryeministër, Ramush Haradinaj, si dhe me këshilltarin e jashtëm të Presidentit të Kosovës, Bedri Islami.

Lajmi i dënimit të Lleshit, ka bërë jehonë në mediat ndërkombëtare , mirëpo asnjë reagim të vetëm nuk ka pasur nga Presidenca e Kosovës , institucionet e tjera dhe as nga AAK-ja, pjesë  e së cilës ishte edhe vet terroristi.

Analisti politik, Idriz Zeqiraj, heshtjen e institucioneve dhe mediave në përgjithësi e konsideron si heshtje që flet shumë.

Image
Bedri Islami, këshilltar i jashtëm i Presidentit Hashim Thaçi, me personin e arrestuar, i dënuar për terrorizëm që dërgoi granatën ruse në adresë të gazetës “Bota sot”, më 2002 në Zvicër. Bedri Islami me Ramush Haradinajn; Bedri Islami me Hashim Thaçin dhe personi i arrestuar me Haradinajn

"Vdis e mos trego shokët"

“Heshtja që flet shumë, - është sinteza që rezulton nga bomba "dhuratë", dërguar gazetës kombëtare "Bota sot", në vitin 2002, në Zyrih të Zvicrës, nga terroristi Jeton Lleshi (Lesi), anëtar i AAK-së dhe i afërt me Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçin. Kanë kaluar 9 (nëntë) muaj, pra, janar 2017, nga zbulimi i rastit, krimi i përgatitur 15 vite më parë, dhe përveç prononcimit të përsëritur të "Bota sot", mediat dhe institucionet e Kosovës, e kanë heshtur rastin kriminal. Pas hetimit të zgjatur, pasoi dënimi me 10 vjet burg, për terroristin Jeton Leshi (Lesi), nga Gjykata zvicerane. Faktet ishin të pakontestueshme dhe fajësia - krim u pranua. Por, bën përshtypje fakti se fajësia lokalizohet, reduktohet, deri në personale! Mospranimi i ndonjë bashkëpunimi, është metodë e mendësi e porosisë komuniste: "Vdis e mos trego shokët". Veç kësaj krimineli përfiton edhe nga hetimi i butë, pa presion e dhunë, siç praktikohet në botën demokratike”, ka pohuar  Zeqiraj.

Sipas tij, “Bota sot” i pengonte dikujt dhe për këtë e ka paguar mercenarin terrorist, Jeton Lleshin për krimin në fjalë.

“Megjithatë, përjashtohet çdo mundësi, që krimi të jetë personal, vetjak. Dhe, pse? Autori i dërgimit të bombës ruse në redaksinë e "Bota sot", me qëllim të eliminimit fizik të stafit redaksional dhe frikësimit tmerrues, për një staf pasues, Jeton Lleshi (Lesi), ishte nga një fshat i Strugës, Maqedoni dhe nuk e lidhte asnjë interes konkurrence biznesore, madje, nuk kishte asgjë armiqësore, as me pronarët, vëllezërit Mazrekaj apo stafin e gazetës. Realisht, "Bota sot" e pengonte dikë tjetër, ose ndoca të tjerë, pra, ata që e porositën, paguan mercenarin terrorist, Jeton Lleshin (Lesin), për krimin në fjalë. Lufta kishte mbaruar dy vjet e gjysmë më parë, (qershor 1999). "Komandantët" e LPK-së, në lidhje agjenturore me SHISH-in e Shqipërisë, UDB-në (BIA) e Serbisë, Sigurimin DGSE të Francës, kishin themeluar organizatën kriminale  e terroriste SHIK. Qëllimi: 1) Sabotimin e luftës në Kosovë;   2) Eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë; 3) Marrja e pushtetit me dhunë;  4) Realizimin e një autonomie substanciale, që kërkonte mentorja e LPK-së, Partia Socialiste e Shqipërisë, për Kosovën.  Tri qëllimet e para, "komandantët" e LPK-së, tashmë, me dy parti politike, më saktë, parti-banda, PDK-së dhe AAK-së, i realizuan. Ndërsa, qëllimin e katërt, pra, autonominë për Kosovën jo, sepse këtë projekt ua dështoi Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe Aleanca ushtarake NATO, e prirë nga Amerika”, ka theksuar Zeqiraj.

Duke folur rreth asaj se kujt dhe pse i pengonte “Bota sot” dhe stafi i saj, Zeqiraj ka thënë se ajo nuk ka pushuar së denoncuari sabotorët dhe kriminelët shqipfolës.

“Bota sot” u pengonte bandave të PDK-së dhe AAK-së”

Sipas Zeqirajt,  shpalosja e së vërtetës faktive, në sytë e opinionit shqiptar e botëror, iu pengonte shefave e partive, bandave (PDK dhe AAK).

 “Pse dhe kë e pengonte "Bota sot" dhe stafi i saj?  "Bota sot", si gazetë, nismoi me përkushtimin e madh, për lirinë e Kosovës dhe kultivimin e vlerave demokratike. Sllogani proverbial, i sintetizuar nga Dr. Ibrahim Rugova, qysh me themelimin e LDK-së, në dhjetor 1989: Liri, Pavarësi, Demokraci, u përvetësua dhe u përdorë si guidë, udhërrëfyese në politikën redaktuese të gazetës "Bota sot". Terrori i "komandantëve", të cilët, edhe pse, nuk bënë luftën, me propagandën lehaqene, në stilin komunist, donin ta përvetësonin luftën e pabërë, ende pa filluar lufta. Ata, të përkrahur nga Tirana zyrtare, social-komuniste, përçanë popullin; dështuan Marrëveshjen e Osllos; e ndanë faktorin ushtarak; i vranë, gjatë dhe pas luftës, komandantët luftëbërës të FARK-ut, përfshirë edhe Ministrin e luftës, kolonel Ahmet Krasniqin, vranë dhe vazhdonin të vrisnin veprimtarët, kuadrot e LDK-së, bashkëpunëtorët e Ibrahim Rugovës. "Bota sot", edhe pse fort e angazhuar në denoncimin e krimeve, të pushtuesve serbo-sllavë, nuk reshti së denoncuari edhe sabotatorët dhe kriminelët shqipfolës, hafije të pushtetarëve komunistë, që përkallën Shqipërinë, për pushtet dhe të Serbisë, njëherësh. Shpalosja e kësaj të vërtete faktike, në sytë e opinionit shqiptar e botëror, i pengonte, deri në padurim, "komandantët" e Rognerit, gjatë luftës dhe LPK-në, përkatësisht, shefat e partive-banda, PDK-në dhe AAK-në, tani, pas luftës, në vijimësinë e krimeve  dhe të terrorit në Kosovë. Pra, "Bota sot" nuk e pengonte fare terroristin Jeton Lleshin (Lesin), por, liderët e PDK-së dhe të AAK-së, përkatësisht, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinaj, me shokë, të cilët synonin marrjen e pushtetit dhunshëm. Aktivistët e LPK-së, sidomos ata me qëndrim në Zvicër, ishin, kryesisht, provincial, të pashkolluar apo gjysmakë të arsimuar. Hileqarë e simulantë, me terapi false psikike, keqpërdorues të mikpritjes fisnike helvetike. Edhe pse jetonin, më saktë, vegjetonin, në një vend me demokraci sipërore, nuk kishin mësuar asgjë nga demokracia evropiane. Ata kishin një urrejtje patologjike për "Bota sot" dhe mendimin e lirë, si e drejtë elementare e njerëzimit mbarë”, ka nënvizuar Zeqiraj.

Ai ka folur edhe për vrasjen e gazetarëve cilësorë dhe kështu bën ndërlidhjen me granatën e “dhuruar” redaksisë së “Bota sot”.

Sipas Zeqirajt, janë disa fakte që dëshmojnë se qeveria dhe presidenca aktuale, qëndrojnë pas terroristit Jeton Lleshi.

Sulmi i përgatitur në Prishtinë

“Urrejtja ndaj shprehjes së lirë, e halabakëve të LPK-së, dikur, në Zvicër e gjetkë në Evropë, tani, "komandantë" në Kosovë, u lëndëzua  me vrasjen e gazetarëve luftarakë, si: Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shefki Popova, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati... Këto vrasje të gazetarëve cilësorë, janë, pahamendësisht, të ndërlidhura edhe me bombën e "dhuruar" Redaksisë të "Bota sot".   Faktet që dëshmojnë se Qeveria dhe Presidenca  aktuale, qëndrojnë pas terroristit Jeton Leshi (Lesi): 1) Ndërhyrja zyrtare e shefave nga Prishtina, pranë Policisë zvicerane, për ta heshtur rastin e dërgimit të bombës në Redaksinë e "Bota sot", nga terroristi Jeton Lleshi (Lesi); 2) Heshtja zyrtare dhe private e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe e presidentit Hashim Thaçit, për rastin e bombës, arrestimin dhe hetimin e Jeton Lleshit (Lesi), ndërkohë që fotografitë e publikuara, i implikojnë ata, madje, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në krim. Ata, natyrshëm, janë të akuzuar edhe për heshtjen imponuese, të bëra, qoftë nga mediat zyrtare, qoftë nga ato private, që janë të lidhura me njëmijë e një fije me pushtetarët. 3) Dënimi me 10 vjet heqje lirie, i terroristit mercenar, Jeton Lleshi (Lesi), me akuzën, tashmë, të faktuar, se dërgoi bombën ruse në Redaksinë e "Bota sot", është dëshmi shtesë, se atentatimi masiv, ka qenë projektuar në Prishtinë, për t`u realizuar në Zyrih, për ta përgjakur mediumin prestigjioz shqiptar, në Diasporë dhe Kosovë, gazetën kombëtare "Bota sot". Përpjekja për ta minimizuar, zvogëluar e vocërruar krimin, të mbetur në tentativë, me heshtjen qyqare dhe të turpshme, të presidentit Hashim Thaçi dhe të kryeministrit Ramush Haradinaj, është dështake. Përkundrazi, kjo heshtje flet shumë, sepse bëhet fjalë për një krim të organizuar politik, që, ndonëse, me vend-ndodhje në Zvicër, implikon çështjen edhe tej kufijve të Kosovës. Është fakt se Jeton Lleshi (Lesi) "u zu me pelë për dore". Por, ai ishte vetëm një postier përcjellës. I gjithë plani ishte i shefave të tij. Andaj, "me pelë për dorë janë zënë" edhe urdhëruesit e tij, të cilët "kanë mbetur pa tekst". Prandaj edhe heshtin. Dhe, deshën apo jo, fajësia është e dëshmuar dhe e pranuar. Distancimi i presidentit dhe i kryeministrit, realisht, nuk ka asnjë kuptim, asnjë vlerë. Sepse është gënjeshtër e hipokrizi dhe thellim i krimit, nëse distancohesh nga një krim i projektuar, ngeshëm e me gjakftohtësi, siç është dërgimi i bombës, për të shkaktuar një plojë e vrasje masive, të njerëzve të pafajshëm, të cilët meritonin respekt e mirënjohje, për punën fisnike që bënin, në shërbim të popullit dhe të demokracisë. Heshtja ndaj një akuze publike, është aprovim i akuzës, fajit. Ata, presidenti dhe kryeministri, përkatësisht, Presidenca dhe Qeveria, jo vetëm që pajtohen me veprimin e terroristit Jeton Lleshi (Lesi), por, me heshtjen e tyre, janë të dyshuar potencialë, për projektimin dhe porositjen e zbatimit të krimit. 4) Shteti, Qeveria e Kosovës, posa është bërë i ditur zbulimi i autorit, i cili e dërgoi bombën ruse në Redaksinë e "Bota sot", 15 vite më parë, është dashur ta falënderonte dhe ta përgëzonte Shtetin helvetik, Qeverinë dhe Policinë zvicerane, për profesionalizmin zbulues, për ndriçimin e rastit kriminal, ku mund të humbisnin jetën 12 redaktorë e gazetarë, shtetas të Kosovës”, ka theksuar Zeqiraj.

Zeqiraj: Thaçi dhe Haradinaj të hetohen nga prokuroria zvicerane

Sipas Zeqirajt, presidenti dhe kryeministri duhet të hetohen nga prokuroria e Zvicrës.

“Presidenti dhe Kryeminstri,  të hetohen nga Prokuroria zvicerane. Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Brendshme, duhej t`i ofronin Prokurorisë zvicerane gjithçka të mundshme, për lehtësimin e hetimeve të mëtejme, duke zbuluar edhe bashkëpunëtorët, urdhërdhënësit e këtij atentatimi. Sepse, vrasja e gazetarit konsiderohet vrasje e cilësuar dhe përjetohet rëndë nga populli dhe opinioni botëror demokratik. Kujtoni rastin e goditjes të gazetarit trim dhe të dinjitetshëm, shefit të portalit Insajder, Parim Olluri, nga banda e partive në pushtet. Populli u bë pjesë e dhimbjes së gazetarit Olluri, duke e ndjerë dhe shprehë indinjatën e ligjshme, për kriminelët dhe porositësit e kësaj shëmtie. Misioni i gazetarit, si përçues i së vërtetës në opinion, e bën atë person publik dhe të përgjegjshëm, për atë që plason në opinion. Për çudë, shtetarët dhe pushtetarët bënë të kundërtën. Provuan, marrëzishëm, ta heshtin rastin, ta vrasin të vërtetën!”, ka deklaruar Zeqiraj.

Atentatorët t’i kërkojnë falje “Botës sot”

Sipas tij, e vetmja gjë që mund të bëjnë është të pendohen dhe të kërkojnë falje publike ndaj “Bota sot” dhe shqiptarëve.

“Tanimë, e vetmja gjë që mund të bëjnë tutorët, mentorët e terroristit mercenar Jeton Lleshi (Lesi), është të pendohen, të kërkojnë falje publikisht, të kërkojnë ndjesë ndaj "Bota sot" dhe shqiptarëve, kudo në botë, Shtetit helvetik dhe opinionit botëror. Pastaj, të vihen në dispozicion të Prokurorisë zvicerane për hetime, në bashkë-akuzë me terroristin Jeton Lleshi (Lesi). Përtej kësaj procedure, gjithçka do të ishte manipulative e kriminale, për ta anashkaluar përgjegjësinë faktike, duke tentuar ta varrosin fajësinë faktike. Dhe, nëse nuk e bëjnë paraqitjen vullnetare, për hetime, gjë që i obligon publikimi i fotografive, shumë kompromentuese, të bëra me terroristin Lleshi (Lesi), llogaritet fajësia e pranuar dhe duhet të tërhiqen, madje, menjëherë, nga postet e dhuruara nga Serbia, përmes "Lista serbe". Publikimi i fotografisë të Mirsad Ndrecës, të bërë me terroristin Jeton Lleshi (Lesi), begaton e forcon krimin e pushtetarëve në Prishtinë. I dërguari në krye të Grupit të Kumanovës, me qëllim të eliminimit fizik, siç e provojnë edhe prindërit e tij, nga dëgjimi  -live -: "Mos na ktheni Mirsadin e Begun, (Riza - shënimi ynë), të gjallë", sepse duhej të merrnin në varr jo pak sekrete të "komandantëve" vrastarë, është shumë domethënës. Haraçi, grabitjet, shantazhet, maltretimet e, deri edhe vrasjet, zakonisht, i prishin pazaret mes shokëve. Dhe, pastaj, vepron "ligji i xhunglës", si në Karterët e drogës në Kolumbi, bandat mafioze në Itali dhe gjetkë”, ka pohuar Zeqiraj.

Analisti politik, shpreh mirënjohje ndaj Zvicrës për zbulimin e aktit terrorist.

“Populli i Kosovës i është mirënjohës Zvicrës. Populli i Kosovës iu gëzua zbulimit të aktit terrorist, siç është rasti i dërgimi të bombës ruse në Redaksinë e "Bota sot", në Zyrih. Ai e dënoi këtë akt kriminal. Dhe, në të njëjtën kohë, shprehu mirënjohje e simpati, për Policinë e talentuar dhe shumë profesionale helvetike. Ruajtja, administrimi i provave, shenjave të krimit, për një kohë të gjatë, meriton admirim dhe nderim të veçantë. Zvicra ka qenë dhe mbetet shteti i dytë, pas Gjermanisë, për shumësinë e pranimit të punë-kërkuesve dhe të azil-kërkuesve nga Kosova. Populli i Kosovës ushqen ndjenja të miqësisë dhe të vëllazërisë të çiltër, për popullin e vyeshëm dhe të mrekullueshëm zviceran. Dhe, pret, sërishmi, të ndihmohet Kosova dhe populli i saj”, ka theksuar Zeqiraj.

Ai ka shtuar se, detyrë e policisë zvicerane është që dërgimin e granatës ruse, në redaksinë e “Bota sot” ta hetojë deri në përfundim, sepse do të bindet se Lleshi nuk ka vepruar i vetëm.

“Shteti i Kosovës sundohet nga bandat. Ndonëse, shteti i Kosovës është kapur nga bandat e dy partive, tashmë, të bashkuara në pushtet: PDK-ja dhe AAK-ja, sistemi i drejtësisë nuk funksionon. Ligjin e bëjnë bandat. Me keqardhje, bërthama e këtyre bandave, më saktë, kryebanditët, sot në pushtet, kanë ardhur, janë kthyer nga Zvicra. Madje, disa nga këta, kanë edhe shtetësi të Zvicrës! Ndoshta syresh janë edhe shokë e miq të terroristit Jeton Lleshi (Lesi), për çka dëshmojnë pozimet fotografike, gjithë përzemërsi, të bëra me shefat e kuadrot e dy partive kryesore, në pushtetin aktual.  Është në detyrën dhe nderin e Policisë zvicerane, që rastin e dërgimit të bombës ruse, në Redaksinë e "Bota sot", ta hetojë deri në shterim. Dhe, do të bindet se terroristi mercenar Jeton Lleshi (Lesi), nuk ka vepruar i vetëm, madje, vetëm ka kryer porosinë e padronëve të tij, të cilët duhet ta kenë paguar mirë. Mendoni për një çast se, një sulm i tillë ka mundur dhe mund të ndodhë edhe ndaj institucioneve të Zvicrës. Dhe, duke u nisur nga aktualiteti, përmasa e rrezikut faktik të terrorizmit, ja vlen që dosja të mbetet e hapur dhe hetimi të vazhdojë, në kërkim të bashkëpunëtorëve në krim, të Jeton Lleshit (Lesit)”, ka nënvizuar Zeqiraj.

Terroristi nuk veproi i vetëm

Zeqiraj ka shtuar se denoncimi i terrorit të “komandantëve” ia ka sjellë granatën “Bota sot”, mirëpo ajo vazhdon të qëndrojë e pa lëkundur në parimet dhe përkushtimin e saj.

“Denoncimi i terrorit të "komandantëve",  solli bombën në "Bota sot". Sulmi me bombë ndodhi, pikërisht, kur "komandantët", kishin shtuar dozën e terrorit, në Kosovë: me rrahje, maltretime, haraç masiv, kërcënime dhe vrasje tinëzare, në pusira, ditën dhe natën, të kuadrove ushtarakë dhe të veprimtarëve të LDK-së, të listuar për likuidim, qysh në klubet e kruzhokët leniniste e staliniste në Zvicër, për të vazhduar në zyrat e SHISH-it, me Sigurimsat e Enver Hoxhës, të kthyer dhunshëm e përgjakshëm, pas përkalljes anepërtej Shqipërisë, në vitin e kobshëm 1997.  Si kundërpërgjigje, gazetarët heroikë, me pronarët Mazrekaj, vazhdonin të denonconin këtë dhunë e terror, në faqet e gazetës "Bota sot", e cila shumë shpejt do të afirmohej dhe cilësohej, meritueshëm, gazetë kombëtare. Gardës të gazetarëve të Kosovës, do t`i bashkoheshin edhe gazetarë e intelektualë, që i përkisnin të djathtës shqiptare, si: Abdi Baleta, Hysamedin Ferraj, Mero Baze, çifti ideal, Elida dhe Skënder Buçpapaj me shokë, ashtu si sot, profesorët Eshref Ymeri, Enver Bytyçi, Frank Shkreli. Aurel Dasareti, Fritz Radovani, Rexhep Shahu, Petrit Plushi, Ilir Vata dhe të tjerë. Thonë se "i zoti e nxjerrë gomarin nga balta". Edhe "Bota sot duhet të ngulmojë, që e vërteta të sheshohet, deri në fund. Argumentet ilustruese, fotografimet e bollshme, janë prova orientuese, për hetim të suksesshëm. Çdo përpjekje për t`i quajtur si rastësore fotografimet me terroristin Leshi (Lesi), thellojnë dyshimin e bazuar. Zvicra nuk duhet ta injorojë faktin se krimi makabër, është planifikuar dhe provuar në tokën, territorin e saj.  "Bota sot" vazhdon të qëndrojë e palëkundur në parimet dhe përkushtimin e saj, sa të vështirë, aq edhe fisnik, për ta denoncuar krimin e organizuar politik të djeshëm, haraçin dhe zhvatjen e pasurive shtetërore e shoqërore si dhe korrupsionin, hajninë zyrtare edhe të sotme. Sepse, këto krime nuk janë hetuar e ndëshkuar as dje dhe as sot. Andaj, krimi i pandëshkuar, vazhdon të përsëritet”, ka përfunduar Zeqiraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat