1 muaj paraburgim për Sadri Ramabajën

Aktuale

1 muaj paraburgim për Sadri Ramabajën

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 10:43
Sadri Ramabaja

(E plotësuar) - Gjykata Themelore e Prishtinës sot ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 1 muaj për Sadri Ramabajën.

Ramabaja, akuzohet si i dyshimtë për pjesëmarrje në organizatën ‘Syri i Popullit”, e cila kishte publikuar një listë me emra që thuhej të likuidoheshin nga skena politike e Kosovës.

Ai dje është kthyer nga policia shqiptare nga një udhëtim i planifikuar jashtë vendit.

***

Sadri Ramabaja, ka dalë sot para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Prokurori Sylë Hoxha tha se nga Gjykata kanë kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

Ramabaja ishte ndaluar të premten në mbrëmje nga autoritetet e Shqipërisë në përpjekje për t’u larguar përmes pikës kufitare në Durrës.

Më 1 tetor prokurori Sylë Hoxha kishte konfirmuar për Kallco se Sadri Ramabaja është ftuar për intervistim në prokurori si i dyshuar për përgatitje të veprave terroriste.

Në rrjetin social, Sadri Ramabaja kishte treguar se më 25 shtator ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës në cilësinë e të pandehurit dhe të dyshuarit për kryerjeve e dy veprave penale: Vrasje të përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe Përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në të njëjtin postim, Ramabaja thekson se ftesa për t’u paraqitur në prokurori e ka kthyer plot 37 vjet prapa, kur ishte arrestuar nga UDB-ja në Gjilan.

Sipas thirrjes së Prokurorisë, të cilën e ka bërë publike vetë ai, Ramabaja duhet të paraqitet për intervistë më 9 tetor.

Sipas Ramabajës, deri më tani, nga Prokuroria Speciale për këtë motiv janë marrë në pyetje si të dyshuar: Xhevat Bislimi (kryetar i Shoqërisë LËVIZJA), Gafurr Elshani (avokat), Emrush Xhemaili (është thirrë permes telefonit, e natyrisht nuk i është përgjegjur thirrjes dhe pritet arrestimi I tij).

“Në këtë listë, si të dyshuar janë potencuar emrat e: Muhamet Kelmendit (profesor univerasitar, ish nënkryetari i LPK) dhe Ibrahim Kelmendi (njëri nga tre themeluesit e LPK-së – i vetmi i mbetur gjallë e në jetë, ish anëtar i Kryesisë së fundit të LPK,)”, ka shtuar Ramabaja.

Për të njëjtat vepra të dyshuara muaj më parë është arrestuar edhe një zyrtar tjetër i LPK-së, parti të cilës i ka takuar edhe Sadri Ramabaja.

Murat Jashari ishte arrestuar pas atentatit ndaj avokatit dhe ish-zyrtarit të lartë komunist, Azem Vllasit.

Vllasi kishte mbetur i plagosur me armë zjarri në sulmin që ishte kryer në banesën e tij në Prishtinë.

***

Në orën 10:00 fillon seanca para gjyqtarit të procedurës paraprake ku si i dyshuar është Sadri Ramabaja.

Ramabaja tashmë është paraqitur në Gjykatë bashkë me mbrojtësin e tij.

Ramabaja sot kishte për tu paraqitur në Prokurorinë Speciale për tu intervistuar si i dyshimtë në një rast penal që ndërlidhet me vrasje të zyrtarëve të lartë të shtetit.

Ai më pas ishte kapur dy ditë më parë në Durrës nga autoritetet shqiptare nën dyshimin se donte të kalonte kufirin ilegalisht, ndërkohë që tash ai është në Gjykatën Themelore të Prishtinës ku Prokurori Special, Sylë Hoxha ka paraqitur kërkesën për caktim të paraburgimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat