Millaku refuzon porosinë e Haradinajt

Aktuale

Millaku refuzon porosinë e Haradinajt

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 19:24
Prokurori i Shtetit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, tha se për punën e institucionit që drejton nuk ndikohet nga politika.

Këto komente Millaku i bëri kur u pyet nga Kallxo rreth deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili sot u citua nga mediat të ketë thënë se do ta obligojë Prokurorinë që brenda një muaji t’i hetojë listat e veteranëve të UÇK-së.

“Do të angazhohemi që sa më shpejtë që është e mundur (t’i kryejmë hetimet). Por ne i kemi afatet ligjore, nuk ndikohemi nga politika”, tha Millaku për Kallxo.

Millaku tha se Prokuroria punon sipas Kodit të Procedurës Penale dhe i respekton afatet e parapara me ligj.

Ndërsa, edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se institucioni të cilin e drejton ai nuk do të ndikohet nga asnjë person juridik apo fizik rreth afateve të trajtimit të rasteve.

Këto komente Lumezi i bëri për KALLXO.com i pyetur rreth deklaratës së kryeministrit se do ta obligojë Prokurorinë të hetojë listat e veteranëve të UÇK-së.

Ndryshe, mediat cituan kryeministrin Haradinaj të ketë thënë gjatë një takimi me përfaqësuesit veteranëve protestues se do të obligojë Prokurorinë që të hetojë listat e veteranëve të UÇK-së./Kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat