Mllefi i Thaçit për Specialen ndikon në marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtaret

Aktuale

Mllefi i Thaçit për Specialen ndikon në marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtaret

Nga: A.S. Më: 10 tetor 2017 Në ora: 09:28
Presidenti Hashim Thaçi

Ish-amabasadori i Republikës së Kosovës, Lulzim Peci dhe njëherit drejtor në institutin KKIPRED thotë se deklaratat kritike të presidentit ndaj ndërkombëtarëve lidhur me formimin e Gjykatës Speciale mund të ndikoj tek marrëdhëniet e Kosovës me miqtë ndërkombëtar.

“Këto deklaratat e presidentit Thaçi pa dyshim që do të raportohen në të gjitha kryeqendrat e botës edhe që do të ndikojnë raportet si me Kosovën ashtu edhe me të personalisht”, tha për “Bota sot”, drejtori i institutit KIPRED.

Si shprehje të pakënaqësisë ndaj kreut të shtetit, Peci e sheh edhe daljen e Ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell nga tryeza gjatë fjalimit të presidentit, Thaçi.

“Unë mendoj se ka qenë shprehje e pakënaqësisë për shkak të deklaratës së mëvonshme që e dha ambasada, ajo e ka vërtetuar pakënaqësinë me të”, tha më tej ai.

Sa i përket formimit të Gjykatës Speciale, Peci tha se Kosova nuk ka pasur zgjidhje tjetër përpos këtij formati.

“Çështja e Gjykatës Speciale nuk ka pasur zgjidhje tjetër përpos këtij formati që është tani, alternativa tjetër ka qenë që ajo të formohet përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të ishte opsion shumë më i keq për Kosovën”, tha ai.

Ai shtoi se Kosovës nuk i është premtuar se do të ketë liberalizim të vizave apo hyrje në organizata ndërkombëtare, por i është thënë që nëse nuk e kalon Gjykatën Speciale do të bllokohen këto procese”, shtoi Peci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat