U mbajt Parada e parë e Krenarisë në Prishtinë

Aktuale

U mbajt Parada e parë e Krenarisë në Prishtinë

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 11:25
Parada e Krenarisë në Prishtinë

(E plotësuar) - Në Prishtinë, për herë të parë është mbajtur “Parada e Krenarisë, e cila, sipas organizatorëve, kishte si qëllim ngritjen e vetëdijes te qytetarët “për të treguar që komuniteti LGBTI, ashtu si edhe gjithë shoqëria mund të duan dhe të dashurojnë, si dhe largimin e paragjykimeve që shoqëria kosovare i ka për komunitetin”.

Kjo paradë, u mbajt pas tri marsheve të organizuara vitet e kaluara, në të cilat patën marrë pjesë edhe krerët shtetëror të Kosovës në mbështetje të komuniteti LGBTI.

Aktivitetet në mbështetje të këtij komuniteti kanë filluar që nga 6 tetori.

“Motoja e Javës së Krenarisë për këtë vit është, ‘Në emër të Dashnisë’”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media nga organizatat që kanë marrë përsipër organizimin e paradës.

Në nisje të saj, ka marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Po ashtu, aty janë parë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues ndërkombëtar në Kosovë.

Parada ka nisur nga Sheshi “Skënderbeu” dhe ka vazhduar nëpër qendër të Prishtinës deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, ku është përmbyllur me një koncert.

Në studimin e kryer nga National Democratic Institute- NDI “Hulumtimi i mendimit publik për komunitetin LGBTI në Ballkanin Perëndimor”, Kosova del të jetë vendi më homofobik në rajon, ku personat e këtij komuniteti janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës.

Gjatë organizimit, rrugëve të kryeqytetit të Kosovës janë parë edhe forca policore në shërbim të mbarëvajtjes dhe ecurisë së qetë të kësaj parade.

Image

Thaçi në Paradën e Krenarisë: Shpreh përkrahjen time për komunitetin LGBT

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë pjesë në Paradan e Krenarisë organizuar nga komuniteti LGBT.

Thaçi ka thënë se është aty, për të përkrahur komunitetin LGBT. Thotë se institucionet e vendit duhet të angazhohen që çdo qytetar të realizojë të drejtat e tyre ashtu siç ua garanton Kushtetuta.

“Jam këtu për te shprehur përkrahje për komunitetin LGBT dhe për të konfirmuar se në Kosovë të gjitha komunitete janë të barabarta. E vlerësojmë përkushtimin e të gjithëve për të drejta të barabarta, angazhimin e të gjithëve për liri dh të drejta të barabarta. Sot vëmendja duhet rë jetë te komuniteti organizatorët dhe jo te institucionet", tha Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat