Bazaj: Po të mos isha unë Lladrovcin do ta mbysnin stupc

Aktuale

Bazaj: Po të mos isha unë Lladrovcin do ta mbysnin stupc

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 20:48
Naim Bazaj dhe Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka akuzuar kryetarin e kuvendit komunal të kësaj komune dhe kandidatin e pavarur Naim Bazaj për sulm ndaj tij gjatë fushatës në fshatin Terstenik, por Bazaj ka mohuar pretendimet e Lladrovcit.

Bazaj, ka thënë sot se Lladrovci duhet të ia di për nderë që e ka shpëtuar sepse sipas tij po të mos ishte ai “banorët do ta mbysnin stupc”.

“Ai mundet me dyshua se unë jam i atij fshati dhe mos të isha unë ai sot nuk ishte në fushatë më, por duhet me ma ditë për nder mua se e kishin mbyt me stupc sepse janë të mllefosur, sepse i ka injorua që besa i ka ofenduar e kështu me radhë”, ka thënë Bazaj.

Bazaj ka thënë se ai kishte qëlluar rastësish aty dhe ka qenë shkak që banorët nuk e kanë sulmuar më seriozisht Lladrovcin.

“Po duhet me më thanë faleminderit që kam qëlluar aty dhe nuk i ka lanë sepse sot nuk ish, po nëse donë që nga sot e ka pak ma ndryshe dhe i dal qysh ka zogin qejfit”, ka thënë ai.

Lladrovci dhe vetura e tij është sulmuar mbrëmë rreth orës 22:00 në fshatin Tërstenik të Drenasit, ndërsa Lladrovci sipas burimeve të Insajderit si të dyshuar e ka përmendur Bazajn.

“Mbrëmë rreth orës 22 Lladrovci e ka raportuar rastin në Polici në Prishtinë. Ai ka thënë se sulmi dyshon se është kryer nga Naim Bazaj dhe përkrahës të tij”, ka thënë një burim.

Kujtojmë se raporte të paqarta mes Bazajt dhe Lladrovcit kishte pasur edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit të kaluar në Drenas.

Bazaj që fillimisht kishte shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Drenasit, në një tubim të tij elektoral kishte zyrtarizuar mbështetjen e Lladrovcit për kryetar të komunës. Kjo nuk ishte pritur aspak mirë nga elektorati që ishin mbledhur në një hotel në Drenas, pavarësisht kësaj raportet mes Lladrovcit dhe Bazajt kanë qenë të acaruara në kuvendin komunal të Drenasit.

Bazaj po ashtu ka njoftuar se së shpejti do të publikojë dëshmitë ku sipas tij Lladrovci ka shantazhuar presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe Kadri Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat