Apostolova takon shefat e grupeve dhe komisioneve parlamentare

Aktuale

Apostolova takon shefat e grupeve dhe komisioneve parlamentare

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 14:39
Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova

Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, do të fillojë nesër një seri takimesh me shefat e grupeve dhe komisioneve parlamentare të PDK-së, Vetëvendosjes, LDK-së, AAK-së, Listës Serbe, Nismës, 6+ dhe grupin e grave.

Qëllimi i takimeve është të kuptohen prioritetet e përbërjes së re të Kuvendit, të informohen deputetët me prioritetet e BE-së për periudhën e ardhshme dhe të diskutohen mënyrat se si BE-ja në Kosovë mund të mbështesë deputetët në zbatimin e reformave që ndërlidhen me agjendën evropiane. 

Këto reforma rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe mekanizmat përkatës - Agjenda e Reformës Evropiane (ERA) dhe Programi i Reformës Ekonomike (ERP); Strategjinë e Zgjerimit dhe Raportin për Kosovën; Udhëzimet për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; Agjendën e Ndërlidhjes; dhe dokumentet tjera relevante. 

Apostolova nesër do të takohet me shefin e grupit parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, kryesuesen e Komitetit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu Kodra, atë të Komitetit për Zhvillim Ekonomik Sala Berisha Shala dhe kryesuesi e Komitetit për Administratë Publike, Qeverisje lokale dhe media Nait Hasani. 

Ajo po ashtu nesër do të takohet edhe me shefin e grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, kryesuesen e Komitetit për legjislacion Albulena Haxhiu, atë të Komitetit për arsim Ismajl Kurteshi, kryesuesen e Komitetit për shëndetësi Besa Baftiu dhe kryesuesen e Komitetit për mbikëqyrje të agjencisë për inteligjencë Donika Kadaj Bujupi.      

Takimet tjera do të mbahen gjatë javës së ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat