Kërkohet hetim për 60 milionë eurot që i fali Ramush Haradinaj

Aktuale

Kërkohet hetim për 60 milionë eurot që i fali Ramush Haradinaj

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 18:08
Ramush Haradinaj

Instituti GAB, GSJP dhe INDEP, kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për faljen e borxheve për detyrimet që kanë ambalazhuesit e ujit.

Përmes një komunikate për media sipas këtyre instituteve ky vendim është i kundërligjshëm.

“Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për ujërat e Kosovës, burimet ujore janë pasuri me interes të përgjithshëm dhe pronë e Republikës së Kosovës. Vendimi për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit është në kundërshtim me përcaktimin e pronësisë së burimeve ujore të Republikës së Kosovës, sepse nga ky vendim ka përfituar një grup shumë i vogël nga kjo pasuri shtetërore”.

Po ashtu në komunikatë thuhet se “falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”.

“Kësisoj, falja e borxheve nuk mund të bëhet me vendim ekzekutiv të qeverisë, pa marr aprovimin e kuvendit. Shembull për këtë është edhe Ligji për faljen e borxheve publike, i cili u aprovua në Kuvendin e Kosovës”.

Përveç këtij neni, është shkelur parimi i përfshirjes në diskutim të palëve të interesit nga po i njëjti ligj. Sipas këtij parimi “organet kompetente janë të detyruara që të sigurojnë, që në procedurën për miratimin e dispozitave, dokumenteve strategjike, plan – programeve dhe vendimeve të marrin parasysh interesat e palëve të interesuara”.

Në procesin e marrjes së këtij vendimi ka pasur mungesë të plotë të transparencës dhe qartazi janë përjashtuar akterë tejet të rëndësishëm në këtë proces siç janë: Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Komisioni Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, shoqëria civile, etj. Ky vendim gjithashtu paraqet ndërhyrje të qeverisë në kompetencat e gjyqësorit, kjo për arsye se mediat kanë raportuar se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka shtruar padi ndaj disa prej borxhlinjve të lartcekur.

Përveç se i kundërligjshëm, vendimi për faljen e borxheve cenon edhe qëndrueshmërinë e sektorit të ujërave. Në bazë të Ligjit për ujërat e Kosovës mjetet financiare për administrimin, menaxhimin dhe zhvillimin e ujërave sigurohen pikërisht nga pagesat si ato të ambalazhuesve të ujit dhe të shfrytëzuesve tjerë. Sa për ilustrim, borxhi i falur është në vlerë prej rreth 51 milionë euro, ndërsa buxheti për investime kapitale i MMPH-së për vitin 2017 është rreth 46 milionë euro. Rritja e buxhetit për këtë sektor do të ndihmonte që të ndërmerren masat e nevojshme që menaxhimi i ujërave në Kosovë të përmirësohet.

Falja e borxheve në mënyrë arbitrare dërgon mesazh negativ tek sektori privat dhe dëmton të hyrat buxhetore të buxhetit të Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në këtë vendim ad-hoc, shumë biznese do të hezitojnë t’i paguajnë detyrimet e tyre ndaj shtetit të Kosovës dhe kështu borxhet e tyre do të grumbullohen dhe bëhen të papërballueshme. Në anën tjetër, institucionet publike do të kenë në vazhdimësi mungesë të të hyrave buxhetore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat