Banorët e Ballkanit dyshojnë për anëtarësim në BE, më optimistët banorët e Kosovës

Aktuale

Banorët e Ballkanit dyshojnë për anëtarësim në BE, më optimistët banorët e Kosovës

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 12 tetor 2017 Në ora: 18:40
Foto ilustrim

Banorët e Ballkanit janë skeptikë, që në të ardhmen shtetet e tyre të anëtarësohen në BE. Këtë e ka treguar anketa „Balkan Barometer 2017“ ku 28 përqind e banorëve të tyre mendojnë se asnjëherë nuk do jenë pjesë e BE. Kjo tregon se nga viti në vit bie optimizmi, shkruan "tagesspiegel.de".

Në anketë kanë marrë pjesë 8000 qytetarë dhe 1600 firma.

Më pozitivë për anëtarësimin e vendit në BE janë banorët e Kosovës - 90 përqind e tyre mendojnë se është “një gjë e mirë” anëtarësimi i vendit në BE, ndërsa në Serbi kjo përqindje është më e vogla - vetëm 26 përqind. Pavarësisht se shumica e shkëmbimeve tregtare të Serbisë kryhen me BE, orientimi pro-europian shihet si jo-patriotik për një pjesë të madhe të serbëve.

Nga banorët e Ballkanit: 67 përqind kishin frikë nga papunësia, 46 përqind ishin në ankth për situatën ekonomike, ndërsa 32 përqind e tyre si problemin kryesor e paraqitën korrupsionin. Interesante se edhe këtu banorët e Kosovës janë më optimistët: 50 përqind mendojnë që në vitin e ardhshëm do përmirësohet gjendja ekonomike dhe 81 përqind nuk kanë frikë se do humbin vendin e punës - ndërsa 62 përqind e tyre e paraqitën si problemin kryesor korrupsionin, dyfish më e madhe se në Ballkan.

Në anketat tjera: 67 përqind nuk kanë besim te drejtësia, 71 përqind te parlamenti dhe 69 përqind te qeveria. Në Serbi dhe Bosnjë kjo shifër është edhe më e madhe me rreth 80 përqind./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat