Meta: Kosova ka përmbushur më shumë kritere se disa vende që u janë liberalizuar vizat - Bota Sot
Meta: Kosova ka përmbushur më shumë kritere se disa vende që u janë liberalizuar vizat

Aktuale

E premte, 15 dhjetor 2017

Meta: Kosova ka përmbushur më shumë kritere se disa vende që u janë liberalizuar vizat

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 20:53
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duke folur për vizitën e tij të fundit në Kosovë dhe takimet që ka zhvilluar me krerët institucionalë dhe partiakë, tha se është diskutuar rreth forcimit dhe konkretizimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat me interes të përbashkët të qytetarëve të dyja vendeve dhe njëkohësisht forcimit të perspektivës evropiane për të dy vendet tona.

Meta, duke komentuar kërkesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që qytetarët e Kosovës të pajisën me nënshtetësi të Shqipërisë, tha se një kërkesë e tillë ka ardhur në radhë të parë si një protestë në emër të të drejtave të qytetarëve të Kosovës, ndaj një kushtëzimi jo shumë të drejtë dhe jo racional të liberalizimit të e vizave me demarkacionin.

“Është një fakt i njohur dhe i pranuar se Kosova ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave”, tha kreu i shtetit shqiptar në një intervistë në RTK.

Ai madje vuri në theks se Kosova ka përmbushur me shumë kritere se sa disa vende që tashmë e gëzojnë liberalizimin e vizave. “Kjo natyrisht se nuk është normale dhe ne e kemi ngritur këtë çështje në takimet që kemi pasur me përfaqësuesit e BE së se nuk është e drejtë që pas kaq vitesh qytetarët e Kosovës të mbesin të vetmit në Ballkan duke iu mohuar lëvizja e lirë”, tha Meta.

Megjithatë, kur është fjala të marrja e nënshtetësisë për qytetarët e Kosovës, ai tha se kjo nuk është zgjidhje as afatshkurtre dhe as afatgjate, dhe se kjo nuk do të zgjidhje problemin e zhbllokimit të proceseve integruese evropiane.

Ai tha se marrja e nënshtetësisë për qytetarët e Kosovës mund të qojë deri të pezullimi i lëvizjes së lirë edhe për gjithë qytetarët e Shqipërisë . “Pra mund të mos ishte tepër produktive pavarësisht qëllimit të mirë. Në këtë drejtim ne kemi diskutuar për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave , ashtu sikurse duhet ta marrim në mirëkuptim me Malin e Zi dhe BE-në për çështjen e shënimit të kufirit”, tha Presidenti Ilir Meta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test