QKRMT: Të finalizohet njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale

Aktuale

QKRMT: Të finalizohet njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale

Më: 13 tetor 2017 Në ora: 13:18
Feride Rushiti

Këtë vit po shpresojmë të finalizohet njohja e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe të fillon skema e pensionit personal siç parashihet me ligj.

Kështu ka deklaruar kryetarja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, me rastin e shënimit të 18 vjetorit të themelimit të kësaj qendre.   

Me qëllim të familjarizimit të nxënësve me konceptet bazike me të drejtat e njeriut në shënimin e 18 vjetorit të themelimit, ambientet e punës së QKRMT, të premten u vizituan nga një grup nxënësish të shkollës fillore "Naim Frashëri", në Prishtinë, ku u njoftuan nga afër me punën e QKRMT-së dhe morën njohuri bazike për grupet e margjinalizuara të shoqërisë.

Rushiti me këtë rast tha se ndjehet mirë për që sado pak me punën e tyre të pareshtur kanë arritur që sadopak të zbusin dhimbjen dhe plagët e viktimave të luftës, ndërsa, është shprehur optimiste që brenda këtij viti personat e atakuar nga lufta të marrin pensionet që u takojnë.

Rushiti: Këtë vit presim të finalizohet njohja e statusit

“Është një punë e treguar ndër vite, ku përtej numrit të vizitave të realizuara, shërbimeve të ofruara, ne ndjehemi mirë që kemi arritur që sado pak të zbusim dhimbjet dhe plagët e luftës të personave që janë atakuar direkt nga lufta, qoftë familjarët e tyre, të dashurit e tyre, përmes aktiviteteve të ndryshme... Një rëndësi e veçantë iu takon edhe shërbimeve avokuese apo lotuese në përmirësimin e infrastrukturës ligjore. Tani në 18 vjetorin e saj, QKRMT ndjehet mirë që të paktën viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës po arrijnë të jetësohen dhe t’iu kthehet statusi i merituar në shoqëri. Këtë vit po shpresojmë të finalizohet njohja e statusit të viktimave të  dhunës seksuale dhe të fillon skema e rekreacionit apo pensionit personal siç parashihet me ligj”, tha ajo.

Sipas saj, përgjatë 18 vjetëve punë, QKRMT ka ofruar shërbime interdiciplinare për mijëra persona, përderisa ka theksuar se numri i atyre që kërkojnë ndihmë ka rënë për shkak të ofrimit të shërbimeve profesionale duke ofruar qasje adekuate nga psikologu, sociologu dhe juristët.

Rushiti: Mbi 18 mijë persona kanë kërkuar ndihmë në QKRMT

“Me kalimin e kohës numri ka rënë, jo pse nevojat kanë rënë. ...Deri më tani mund të them se në qoftë se flasim për statistika të përafërta, kanë qenë mbi 18 mijë vetë që janë regjistruar, në mesin e tyre janë rreth 300 viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa kategoritë tjera janë kryesisht viktima direkte të dhunës, familjarë të zhdukur, ish të burgosur politik, perona që kanë pësuar traumë gjatë luftës, pastaj janë klientela tjetër e përfituesve tjerë që ka të bëjë me burgjet,, stacionet policore e kështu me radhë”, theksoi ajo.

Ndryshe, QKRMT ka shënuar 18 vjetorin e themelimit edhe me përmbylljen e trajnimit të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimit e viktimave të dhunës seksuale, si dhe veteranëve, invalidëve dhe viktimave civile të luftës me idenë që ata të përgatiten për plotësimin e aplikacioneve që të marrin pensionet që iu takojnë.

QKRMT ka për synim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke luftuar çfarëdo forme të shkeljes apo abuzimit me to.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat