Kajtazi: Personi që më rrahu ka lidhje me politikën

Aktuale

Kajtazi: Personi që më rrahu ka lidhje me politikën

Nga: A.S Më: 14 tetor 2017 Në ora: 12:48
Pamje nga protesta e gazetarëve

(E plotësuar) - Gazetarët kanë protestuar para objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të kundërshtuar sulmet të cilat kanë ndodhur së fundi ndaj gazetarëve. Gazetari Vehbi Kajtazi, i cili u sulmua një ditë më parë, tha se kjo dukuri po bëhet shqetësuese.

Ai tha se ata që e sulmuan, kanë lidhje me politiken dhe se nuk janë qytetarë të thjeshtë. Ndërsa shtoi se sulmet e tilla nuk do ta ndalin atë që ta kryej punën e tij, por do të  vazhdojë të merret pikërisht me këta njerëz dhe se do të hulumtojë kriminalitetin e tyre.

Kajtazi: Shqetësuese ky presion që është kthyer në sulme fizike

“Shqetësuese është se ky presion tashmë është kthyer në sulme fizike, është i vazhdueshëm dhe është duke u rritur. Deri tani në asnjë rast, këta individë, sulmuesë nuk janë njerëz të thjeshtë qytetarë të thjeshtë, por të gjithë janë të lidhur me politikën. Janë njerëz që në një formë apo në një tjetër, kanë lidhje me partitë politike, me pushtetin, të cilët nuk e durojnë punën tonë, nuk i durojnë shkrimet tona dhe për këtë arsye provojnë që në këtë mënyrë me na ndal. Ajo që dua me thanë tash është se sulmi i fundit ka ndodhur pikërisht për shkak të punës sime, pikërisht për shkak të një serie shkrimesh që kam pasur javën e fundit, sepse është i lidhur direkt me personazhet e atyre shkrimeve që kam pas. Fatmirësisht sulmuesi është identifikuar dhe deri në këto momente nuk kemi informacion por shpresoj se shumë shpejtë do të arrestohet dhe do të dal para drejtësisë. E fundit që mund të th em është se ky sulm fizik që më ka lëndu fizikisht, nuk ndikon absolutisht në punën time”, tha ai.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj tha se situatat sa i përket sulmit ndaj gazetarëve është përkeqësuar dhe se sistemi i drejtësisë po tregon neglizhencë sa i përket këtyre rasteve.

Hysenaj: Jemi të vetëm në luftën tonë

“Ne si qytetarë të Kosovës por edhe si komunitet i gazetarëve, kemi besuar që lufta jonë ka përfunduar në vitet 99, megjithatë ne si komunitet po dëshmohet se jemi në një luftë, gjithmonë duke pasur shumë kundërshtar, në mënyrë që ta garantojmë njëfarë lirie të shprehjes dhe një liri për të raportuar dhe për të thënë të vërteten. Në luftën tonë të komunitetit të gazetarëve, duket se jemi të vetëm për shkak se po dëshmohet që sistemi i drejtësisë në veçanti, duke përfshirë prokurorinë dhe Gjykatat kanë treguar një neglizhencë në raport me rastet e gazetarëve”, tha ai.

Hysenaj shtoi se deri në këtë muaj janë 19 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, të cilat janë raportuar në polici, e me të cilat po dështon të merret dhe t’i trajtojë në mënyrë serioze sistemi i drejtësisë.

Hysenaj: Institucionet të mendojnë seriozisht për sigurinë e gazetarëve

“Ajo çfarë kemi parë dje ose sulmi ndaj kolegut Kajtazi ka qenë një dëshmi që tashmë jemi në një fazë që gazetarët si komunitet së bashku e kanë të pamundur të ndryshojnë këtë logjik, e cila më së shumti po na dëmton neve si komunitet...Ka ardhur koha kur të gjitha institucionet duke nisur nga kryeministri, kryetari i Kuvendit, Presidenti, kryetaret e gjykatave, prokurorët, kryeprokurori që të mendojnë seriozisht për sigurinë e gazetarëve në këtë vend dhe për të garantimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave”, tha ai.

Image

***

Gazetari Vehbi Kajtazi, i cili u rrah dje në mes të ditës në një kafe në shesh të kryeqytetit, ka thënë se personi që e rrahu dje ka lidhje të ngushta me politikën.

“Duhet të them se është shqetësuese ky presion tashmë i kthyer në sulme fizike, dhe është një presion duke u rritur, dhe deri tash në asnjë rast këta sulmues nuk janë njerëz të thjesht, qytetarë të thjesht por të gjithë janë të lidhur me politikën”, tha Kajtazi në protestën që u thirr sot nga Asociaioni i Gazetarëve të Kosovës për të kundërshtuar sulmet që po u bëhen gazetarëve.

Ai tha se sulmuesit janë të lidhur me politikën.

“Ata janë njerëz që në një formë ose në një tjetër, kanë lidhje me partitë politike, me pushtetin të cilët nuk e durojnë punën tonë, nuk i durojnë shkrimet tona edhe për këtë arsyeje provojnë që në këtë mënyrë me na ndal”, shtoi Kajtazi.

Sipas Kajtazit, sulmi ndaj tij ndodhi për një seri të shkrimeve që ai ka bërë javën e kaluar.

“Ajo çka dua të them është se sulmi i fundit ka ndodhur pikërisht për shkak të punës, pikërisht të një serie shkrimesh që kam pasur javën e fundit, sepse është i lidhur direkt me personazhin e atyre shkrimeve që unë i kam pasur”, shtoi Kajtazi./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat