Qeverisja e Visar Korenicës do t’ia sjellë zhvillimin Rahovecit

Aktuale

Qeverisja e Visar Korenicës do t’ia sjellë zhvillimin Rahovecit

Më: 15 tetor 2017 Në ora: 13:58
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin elektoral në Rahovec.

(E plotësuar) - Lëvizja VETËVENDOJE! sot ka mbajtur tubim zgjedhor në komunën e Rahovecit. Prezentë në këtë tubim ishin Kryetari Visar Ymeri dhe deputetët Albin Kurti e Donika Kadaj, të cilët njëzëri ftuan qytetarët e Rahovecit të mobilizohen për ndryshime me 22 tetor dhe ta përkrahin  kandidatin për kryetar të kësaj komune, Visar Korenica.

Kryetari Visar Ymeri e hapi këtë tubim me fjalën e tij, duke kujtuar kontributin e njerëzve të kësaj komune të dhënë ndër vite për çlirimin e vendit dhe zhvillimin e tij. Ai tha se Rahoveci sikurse edhe shumë komuna të tjera, janë degraduar nga qeverisjet e papërgjegjshme, por u shpreh i bindur se me qeverisjen e Visar Korenicës, kësaj komune do t’i kthehet dinjiteti e shpresa.

“Rahoveci ka potencial te madh bujqësor, por nuk ka bujk që nuk ankohet për mungesë të përkrahjes, e ne e kemi zgjidhjen për bujqësinë. Nga 20 zotimet që i kemi për komunën e Rahovecit, gjashtë të parat janë në dobi të sektorit të bujqësisë.  Gjatë qeverisjes së Visar Korenicës, bujqit do të përfitojnë nga punimi i tokës. Mbjellja e tokës do të sjellë përfitime, e jo telashe e humbje. Fillimisht, toka bujqësore do të ruhet e nuk do të shkatërrohet nga ndërtimi. Më pas, bujqit do t’i subvencionojmë me kohë e do t’i trajnojmë në çdo kohë. E në fund, do të ua mundësojmë që t’i shesin produktet e tyre, e të përfitojnë nga to, e ta rrisin mirëqenien e tyre”, tha Ymeri.

“Me 22 tetor, fitorja jonë nuk është vetëm fitore e VETËVENDOSJE!-s. Atë ditë fiton bujku që i ka mbetur toka djerrë ose i janë kalbur rrushi e specat, fiton pacienti i cili nuk gjen shërim nëpër qendrat e mjekësisë familjare, fitojnë nxënësit që ndejkin mësimet të uritur, fitojnë prindërit që sot nuk mund t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe, fitojnë qytetarët e fshatrave që nuk kanë transport për qytet. Me 22 tetor do të fitojnë gjithë qytetarët e Rahovecit”, shtoi tutje ai.

Ndërkaq, deputetja Donika Kadaj foli për përkushtimin që do ta kemi në rast se na jepet besimi për të qeverisur nëpër komunat e Kosovës, duke përmendur si shëmbëlltyrë qeverisjen në Prishtinë.

“Besimi juaj do të jetë përgjegjësi për ne, do të sillemi me përkushtim dhe do të angazhohemi që besimi juaj të përkthehet në shumë punë në shumë përpjekje dhe me shume vullnet të bëjmë ndryshimin aq të nevojshëm i cili do të fillojë këtu nga baza. Në këto kohë të fitoreve të mëdha për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, ne të gjithë bashkë vendosëm të në komunat tona të zgjedhim njerëzit më të mirë të mundëshëm, njerëzit nga të cilët buron vullneti, energjia dhe përkushtimi”, tha pos tjerash në tubimin në Rahovec, deputetja Kadaj.

Deputeti tjetër, Albin Kurti, tha se Kosova ka qenë një vend agrar e industrial, ekonomia jonë ka qenë e bazuar te fshati e te ferma dhe te industritë tona në zhvillim. Ai theksoi se vendi ynë e ka tokën e traditën për rikthimin e prodhimit bujqësor dhe atij industrial.

“Me zhvillimin e bujqësisë intenzive në Rahovec, produktet e bujqve të Rahovecit do të mbushin raftet e supermarketeve në krejt Kosovën. Në Rahovec mungojnë pikat grumbulluese për ruajtjen e produkteve bujqësore, jepen me vonesë subvencionet për bujqit, mungon rregullimi  lumenjve dhe për pasojë kemi përmbytjen e tokave bujqësore. Jepni fund keqqeverisjes e arrogancës së komunarëve me 22 tetor, jepni shancën Visar Korenicës dhe këtyre asambleistëve që shkëlqejnë me dijen e tyre porsi numri 10”, tha po ashtu Albin Kurti.

Pas deputetit Kurti, kandidati për kryetar të Rahovecit, Visar Korenica, tha se programi ynë unifikon fshatin me qytetin, sepse qyteti zhvillohet nga fshati e fshati ka nevojë për qytetin.Ai u shpreh i bindur se me qeverisjen e tij, Rahoveci do të bëhet qytet në çdo fshat.

“Trafiku urban do të funksionalizohet për mbarë komunën e Rahovecit. Fshatrat kanë shumë për t’i treguar qytetit, e qyteti ka shumë çka të shohë në fshatra. Keni dëgjuar për kryetarë që menaxhojnë komunën tuaj, por nuk banojnë këtu. Nuk do të dëgjoni më për diçka të tillë pas 22 tetorit. Aktivizmi qytetar do të nisë në secilën lagje, e dora e qeverisjes do të ndihet në secilën shtëpi, sepse qeverisja është e secilit qytetar”, ishin disa nga zotimet e Korenicës për Rahovecin.

Tutje, ai premtoi shujta për nxënësit e shkollave fillore dhe ujë të pijshëm për gjithë qytetarët. Kurse, tha se edhe çështja e palestrës e filluar para 10 viteve, do të marrë fund gjatë qeverisjes së tij katërvjeçare. Ai prezantoi në fund edhe kandidatët që synojnë të jenë pjesë e Kuvendit Komunal të Rahovecit, duke iu thënë qytetarëve të kësaj komune se vetëm VETËVENDOSJE! mund t’i çojë punët deri në fund sepse e ka prioritar interesin e qytetarit.

Image

Kurti në Rahovec: Mos ju jepni rrushin pushtetarëve të vjetër, jepjani kokrrën Korenicës

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin elektoral në Rahovec.

Atje deputeti i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti u ka bërë thirrje rahovecasve që me 22 tetor të dalin e ta votojnë Vetëvendosjen.

Kurti ka folur për bujqësinë si degë e cila mund të zhvillohet shumë më shumë në Rahovec.

Deputeti Kurti, u ka thënë qytetarëve të Rahovecit se ata më nuk duhet t’u besojnë Idriz Vehapit kryetar në ikje dhe Smajl Latifit ish kryetar.

“Më 22 tetor mos ju jepni rrushin pushtetarëve në ikje, por jepjani kokrrën Visar Korenicës”, ka thënë Kurti.

“Tregu është një ndër gjërat më të rëndësishme për fermerët. Me politikat që janë zbatuar në Kosovë ata i janë trembur tregut. Perimet e mishi janë importuar nga vende të ndryshme. Kur prodhohet këtu koston më të lart e paguan prodhuesi, trefishë më shumë”.

“Kur bujqit tanë dështojnë gjysma e popullsisë mbetet e papunë. Fermerët në Kosovë nuk i tremben konkurrencës por konkurrencës së padrejtë. Produktet që vijnë ku përdoren substancat e palejueshme do të ndalohen të hyjnë në Kosovë”, ka thënë ai më tej.

Kurti ka thënë se në Rahovec nuk ka asnjë çerdhe të ndërtuar, dhe se pushtetarët e mëhershëm nuk janë interesuar për këtë.

– Mungojnë çerdhet për fëmijë, nuk ka asnjë çerdhe në Rahovec, pushtetarët në ikje nuk brengosen për ardhmërinë. Populli i ndëshkoi me 11 qershor dhe do të ndëshkohen me 22 tetor. I keni provuar edhe Idriz Vehapin edhe Smajl Latifin. I pari më shumë ka qëndruar në Prishtinë dhe ka shtruar trotuar, por jo kanalizim, e i dyti ka shtruar disa rrugë që janë shkatërruar shpejtë”.

“E di që Vehapi ka përmendur projektin për ndërtimin e një çerdheje prej 700 mijë euro. Por me këtë shumë mund të ndërtohen 5 çerdhe. Ata e kanë ndërtuar vetëm çerdhen e korrupsionit”, ka shtuar Kurti ndër të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat