Haradinaj: Do t’i hapim rrugë investitorëve potencialë

Aktuale

Haradinaj: Do t’i hapim rrugë investitorëve potencialë

Më: 15 tetor 2017 Në ora: 14:17
Lloyd Norman Axworthy dhe Ramush Haradinaj

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka deklaruar se gjatë këtij mandati do të punojnë në lehtësirat për t’u hapur rrugë investitorëve potencialë.

Haradinaj këto komente i bëri gjatë takimim me ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Lloyd Norman Axworthy, i cili ishte ministër gjatë kohës së periudhës së krizave në Kosovë. Kryeministri Haradinaj e vlerësoi lartë përkrahjen e Kanadasë në konsolidimin e shtetit të Kosovës. 

Ai tha se Kanada si shtet mik, ka pasur një rol aktiv në momentet më të rënda për Kosovën, por ka qenë prezentë, poashtu, me trupat e saj në Kosovën e pasluftës. Haradinaj e informoi mysafirin me gjendjen e përgjithshme në Kosovë, me prioritetet e Qeverisë dhe rreth lehtësirave që do të krijohen në këtë mandat, për t’u hapur rrugë investitorëve potencialë. 

Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka pozicion strategjik, infrastrukturë të kënaqshme, dhe  pesë kryeqytete tjera janë në distancë shumë të shkurtër nga Prishtina.

Ai përmendi edhe popullatën e re që ka Kosova, që do të thotë se ka edhe fuqi punëtore, ndërsa në portin më të madh në Shqipëri mund të arrihet për pak orë.

Kryeministri i Kosovës dhe ish-ministri kanadez diskutuan për shumë çështje, nga fusha e ekonomisë, investimeve, rendi dhe ligji, energjia dhe rëndësia e mbrojtjes së ambientit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat