Beqaj e tall Hashim Thaçin: Ai mendon se çdo veprim i tij duhet të ketë peshë historike

Aktuale

Beqaj e tall Hashim Thaçin: Ai mendon se çdo veprim i tij duhet të ketë peshë historike

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 15:54
Behlul Beqaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, që t’ua mundësojë kosovarëve shtetësinë e dyfishtë dhe të përfitojnë liberalizim vizash për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.

Por një kërkesë e tillë u refuzua qysh në start nga Meta.

Por kjo kërkesë e të parit të shtetit, po shihet si diskutabile. Njohësi i rrethanave politike në vend, Behlul Beqaj, konsideron se Thaçi “po kërkon vëmendjen dhe njëkohësisht po tregon pafuqinë politike”.

“Motivi i z.Thaçi është shumë diskutabil. Në njërën anë tregon pafuqinë e shtetit kryetar i të cilit është, se nuk është në gjendje për të gjetur një zgjidhje të tillë, në anën tjetër në mënyrë indirekte bart problemin e brendshëm te politika dhe politikanët e Shqipërisë”.

Beqaj, që është ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se presidenti po kërkon vëmendje me çdo veprim. Profesori Beqaj, përveç vëmendjes së Thaçit, e sheh problematike edhe standardin joprofesional të medieve.

“S’ka dilemë se ai mendon se çdo veprim i tij, i mirë apo i keq, duhet të ketë vëmendjen dhe peshën historike. Por, realisht ky nuk është vetëm problem i tij por edhe standardit jo profesional të medieve”, thotë Beqaj.

Beqaj thotë se Thaçi ka dhënë mesazh serioz, edhe pse është thënë joseriozisht propozimi për dyshtetësi.

“Ideja për dyshtetësinë ka mesazhe serioze edhe pse është thënë joseriozisht. Kështu dëshiron ta marrë patronatin, para Vetëvendosjes për bashkimin shqiptar“.

Njohësi i rrethanave politike, po mendon se “Thaçi është para ballafaqimit me të kaluarën e tij që deri më tashti nuk është bërë publike”.

Kujtojmë se Presidenti kishte, po ashtu, një kritikë të ashpër për Bashkësinë Ndërkombëtare ku i “akuzoi” për izolim dhe mosliberalizim vizash, duke pretenduar se Kosovës i është premtuar liberalizimi dhe ushtria pas themelimit të Gjykatës Speciale.

Kjo u kundërshtua nga Bashkësia Ndërkombëtare, ndërsa Presidenti doli më pas dhe tha se është keqkuptuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat