Dështon dekretimi i gjykatësve e prokurorëve serbë, Thaçi akuzon Serbinë e BE-në

Aktuale

Dështon dekretimi i gjykatësve e prokurorëve serbë, Thaçi akuzon Serbinë e BE-në

Nga: A.S. Më: 17 tetor 2017 Në ora: 12:01
Ilustrim

Përmes një komunikate për media, Presidenca e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se prokurorët dhe gjyqtarët serb të cilët do të duhej të dekretoheshin sot nga ana e presidentit Thaçi, nuk kanë shkuar fare në presidencë për të bërë një gjë të tillë.

Sipas presidencës, mos shkuarja e tyre ka të bëj me pengimin që ata kishin nga shteti serb.

“Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, thuhet në komunikatën për media të presidencës.

Komunikata e plotë e presidencës:

Zyra e Presidentit ishte e gatshme të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi,  do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës.

 Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ndodhi për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, nuk erdhën për dekretim. Ata nuk erdhën ngaqë u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës. Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi.

 Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.

 Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat