Deputetët i thonë ministrit Sefaj se do të ketë mbikëqyrje të rreptë parlamentare

Aktuale

Deputetët i thonë ministrit Sefaj se do të ketë mbikëqyrje të rreptë parlamentare

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 15:34
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka informuar sot Komisionin lidhur me prioritetet dhe sfidat  kësaj ministrie

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, mbajti sot një takim njoftues me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, për t’u informuar lidhur me prioritetet dhe sfidat e kësaj ministrie.

Fillimisht, anëtarët e Komisionit, shprehën gatishmërinë e tyre për një bashkëpunim sa më të denjë me këtë institucion të sigurisë, duke siguruar ministrin Sefaj se do të ketë mbikëqyrje më të rreptë parlamentare gjatë këtij mandati, në mënyrë që ky institucion të jetë sa më i suksesshëm në misionin që ka.

Në vijim, ministri Sefaj, duke njoftuar Komisionin lidhur me prioritetet dhe sfidat që e preokupojnë këtë ministri, mes tjerash përmendi këto prioritete: luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, luftën kundër shpërndarjes së drogave nëpër shkolla dhe mikrokrimit, çështjen e aksidenteve në trafik, çështjen e lypsarëve nëpër rrugë, si dhe foli për angazhimin që duhet shtuar në anatarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Ndërkaq, ka theksuar faktin se realizimi i këtyre çështjeve dhe përmbushja e këtyre misioneve mund të bëhet me përmirësimin e kushteve të organeve gjegjëse. Tutje, ministri Sefaj ka folur edhe për rëndësinë e miratimit të Ligjit për pensionimin e policëve, ndërsa iu drejtua anëtarëve të Komisionit se misioni i parlamentarëve është shumë i nevojshëm dhe i rëndësishëm për përkrahjen në të gjitha fushat për të arritur objektivat që ka ky institucion i  sigurisë.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Komisionit, renditen një varg çështjesh që do të diskutohen në të ardhmen gjatë raportimit të ministrit në këtë Komision. Ndërsa, theksuan faktin se çështjet të cilat u përmendën nga ministri gjatë këtij takimi, duhet të kthehen në veprime konkrete.

Komisioni, pas këtij takimi, diskutoi edhe lidhur me planin e punës së tij, për tremujorin e fundit të këtij viti, duke dhënë propozime shtesë lidhur me plotësimin e këtij plani, i cili do të miratohet në mbledhjen e radhës. Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Haxhi Shala, njoftoi anëtarët se javën e ardhshme do të ftohen për raportim në Komision, ministri i FSK-së,  si dhe komandanti i FSK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat