Edhe një gjobë prej 2.000 eurosh për PDK-në

Aktuale

Edhe një gjobë prej 2.000 eurosh për PDK-në

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 11:54
PDK ne fushate

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka shqiptuar edhe një gjobë në vlerë prej 2 mijë euro PDK-së për shkak se kandidati për Asamble Komunale në Prizren, nga radhët e kësaj partie, Nehat Gashi, bëri fushatë politike duke përdorur fëmijë.

BIRN dhe Internews Kosova më 12 tetor 2017 ka paraqitur ankesë në PZAP me të cilën pretendoi se Nehat Gashi nga PDK përmes faqes së tij në “Facebook” ka përdorur një fëmijë nën moshën 18 vjeç për të zhvilluar fushatë politike.

Në mbështetje të pretendimeve ankimore BIRN dhe Internews Kosova ka bashkangjitur një fotografi me rastin në fjalë.

Në përgjigjen ndaj ankesës, PDK ka theksuar se pretendimet ankimore të BIRN dhe Internews Kosova janë të pabazuara dhe nuk përbëjnë shkelje zgjedhore, sepse fotografia e prezantuar nga kandidati në fjalë është nxjerrë nga faqja e tij e rrjetit social “Facebook” dhe në ambientet e shtëpisë së tij.

Më tutje në përgjigjen e PDK-së thuhet se fëmija në foto është fëmijë i kandidatit në fjalë dhe sipas kësaj nuk përbën shkelje zgjedhore, prandaj PZAP-it i ka kërkuar që ankesën ta refuzojë si të pabazuar.

Pasi që shqyrtoi dhe vlerësoi shkresat e lëndës, PZAP konstatoi se ankesa është e bazuar.

Në arsyetimin e vendimit thuhet: “Paneli nga fotografitë e ofruara si provë nga parashtruesi i ankesës, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, në mënyrë të padyshimtë ka vërtetuar se Nehat Gashi, kandidat për anëtar të Komunës së Prizrenit nga radhët e PDK, ka bërë shkelje të Kodit të Mirësjelljes, nga fakti se ka bërë fushatë zgjedhore me fëmijë nën moshën 18 vjeç, veprime këto të sanksionuara me dispozitën e nenit 5.2 të Rregullës Zgjedhore nr. 13/2013 të KQZ-së”.

Paneli, me rastin e shqiptimit të gjobës mori parasysh të gjitha rrethanat për rastin konkret dhe konstatoi se subjekti politik PDK nuk merr pjesë për herë të parë në zgjedhje dhe se të njëjtit janë të njoftuar me rregullat zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat