Ymeri: PDK po merr fund në Prizren

Aktuale

Ymeri: PDK po merr fund në Prizren

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 17:44
Visar Ymeri

Me të bukurin vend e ka quajtur Kryetari Visar Ymeri Prizrenin, në tubimin zgjedhor përmbyllës të VETËVENDOSJE!-s në këtë komunë. Ndërsa, ka shtuar se kjo komunë e ka më të shëmtuarin pushtet në krye.

“Prizreni është vendi i bujqësisë së zhvilluar, zejtarisë  e industrisë prodhuese, por edhe komuna e papunësisë e varfërisë. Prizreni është vendi i historisë së lavdishme, por edhe komuna e së tashmes së degraduar, Prizreni është vendi i filleve të arsimit shqip, i intelektualëve e dijes, por edhe komuna e sistemit arsimor të shkatërruar”, tha Ymeri në këtë tubim.

Më tej, ai tha se Prizreni është ndarë në dysh. Aktualisht, ai tha se po e shohim Prizrenin e PDK-së, të shndërruar në vend të korrupsionit, të krimit, të degradimit, të mos arsimimit, të akulturizimit, të papunësisë e urisë, Prizrenin e deindutrializimit, Prizrenin e përçarjes. Kurse, për Prizrenin e nesërm, atë të qytetarëve të barabartë, atë të komuniteteve bashkëpunuese e bashkëjetuese, atë të zhvillimit të zejes, të prodhimit bujqësor e industrisë prodhuese, Prizrenin e arsimit, e të kulturës, të trashëgimisë e historisë, Prizrenin e shëndetiti e mjedisit, tha se është ai i qeverisjes së Mytaher Haskukës.

“Megjithatë, ka vetëm një Prizren, ai i Lidhjes së Prizrenit. Lidhja e Prizrenit është mbajtur më 10 qershor.Qershori ishte muaji i kthesës së madhe. Prizreni ishte qyteti i fitores së Lëvizjes. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor. Tetori është muaji i 10 i vitit. Numri 10 është numri i VETËVENDOSJE!-s. Në Prizrenin e Lidhjes. Për fitoren e VETËVENDOSJE!-s. E kush më mirë e qeverisë Prizrenin se sa VETËVENDOSJE!. E kush është kryetar më i mirë i Prizrenit se sa Mytaheri i VETËVENDOSJE!-s”, tha ndër të tjera në Prizren, Visar Ymeri

Ymeri u zotua që Prizreni do të iu kthehet qytetarëve. Ai tha se korrupsioni do të zëvendësohet me zhvillim, nepotizmi me punësim e injoranca me arsim cilësor, duke ua marrë Prizrenin sundimtarëve e duke zgjedhur për kryetar Haskukën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat