Kallëzimi Penal për sulmin ndaj bashkëshortes së Tomë Gashit arrin në Prokurori

Aktuale

Kallëzimi Penal për sulmin ndaj bashkëshortes së Tomë Gashit arrin në Prokurori

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 20:03
Tomë Gashi

Kallëzimi penal për dhunën e ushtruar ndaj bashkëshortes së Tomë Gashit ka shkuar në Prokurorinë e Prishtinës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka konfirmuar se prokuroria ka pranuar kallëzimin penal nga stacioni policor në lidhje me dyshimet se Tomë Gashi ka rrahur bashkëshorten e tij.

“Kallëzimi penal për rastin në fjalë është regjistruar me numrin 6094/17. Ajo grua nuk ka pasur siguri me shku në shtëpi atë natë, tjetërkund e ka kaluar natën, ishte mjaft serioze ajo dhunë ne familje”, tha Beka.

Më 28 shtator të këtij viti, në orën 20:20, në Policinë e Kosovës, u raportua për dhunë familjare.

“Ankuesja femër K/ Shqiptare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Në lidhje me rastin është intervistuar i dyshuari mashkull K/ Shqiptar dhe është njoftuar prokurori kompetent. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhej në raportin 24 orësh të policisë, për të cilin Kallxo ka mësuar se bëhet fjalë për rastin e gruas së Tomë Gashin.

Bëhet e ditur se i dyshuari nuk është ndaluar nga policia, por është lëshuar në procedurë të rregullt.

Prokurori i çështjes, Remzush Latifi, i pyetur se a ka aktvendim mbi fillimin e hetimeve, tha se ende nuk e ka hapur lëndën.

“Unë kam lëndë pak më të vjetra, unë nuk e kam çelë atë lëndë se kjo ka arritë para 2-3 dite. Ende nuk është zhvilluar asgjë”, tha prokurori Latifi.

Gazeta ka kontaktuar edhe me të dyshuarin Gashi, i cili mohoi në tërësi të ketë sulmuar bashkëshorten e tij.

“S’kom unë kurrfarë komenti, unë kam thonë që ajo nuk ka ndodhë”, tha Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat