Presidenca: Ja kush ka dorë në mosdekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë

Aktuale

Presidenca: Ja kush ka dorë në mosdekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë

Më: 18 tetor 2017 Në ora: 20:12
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me përfaqësuesit e shteteve anëtare të QUINT-it dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, për të shprehur  pakënaqësinë e Kosovës, për mos dekretimin e kandidatëve serbë për gjyqtarë dhe prokurorë. Kështu ka konfirmuar Zyra e Presidentit.

Sipas Zyrës së Presidentit, në takim me përfaqësuesit e vendeve të  QUINT-it presidenti Thaçi ka thënë se kjo është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e Bashkimit Evropian.

“Në këtë takim, presidenti Thaçi ka theksuar se pengimi i kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë për dekretim tek Presidenti, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi”, thuhet në përgjigje.

Veprimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunitetit serb, ka ardhur si pasojë e pengimit nga ana e qeverisë së Serbisë.

Presidenca tha se kjo është kundër integrimit të komunitetit serb në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap tjetër, në kuadër të fushatës së Beogradit që ka ndërmarrë kundër qytetarëve tanë. Përfshirja e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi. Prandaj, kjo duhet të ndodh”, ka thënë Presidenca.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes.

“Ne kemi marrë obligime ndërkombëtare për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Prandaj, institucionet e Kosovës janë gati që kjo marrëveshje të jetësohet çdo kohë. Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes. Ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt”, thuhet në deklaratën nga Presidenca.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat