Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë bëhet të martën

Aktuale

Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë bëhet të martën

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 09:49
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenca e Kosovës ka njoftuar se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të bëhet të martën, më 24 tetor.

Sipas një deklarate të Presidencës, dekretimi i tyre është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur  një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

Me aktin e betimit, bëhet edhe zbatimi i plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015.

“Gjyqtarët dhe prokurorët në veri dekretohen kur të vendos Hashim Thaçi”

Presidenca e Kosovës ka mohuar pretendimet e zyrtarëve të lartë serbë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të vendit do të bëhet të premten ose të hënën.

Në një përgjigje me shkrim për media thuhet se “dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të komuniteteve joshumicë bëhet vetëm atëherë kur për këtë vendos Presidenti i Kosovës”.

Dy ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pati thënë se kjo çështje do të finalizohet të premten apo më së largu të hënën, duke shprehur revoltën për vonesën, siç e ka quajtur ai, në formimin e Asociacionit të Komunave me shumcës serbe.

Për gjyqësorin në veri të enjten ka folur edhe drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, i cili ka theksuar se pret që të premten të përmbyllet dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, meqë pala serbe është gati për këtë gjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat