PZAP: KQZ-ja Jokompetente për Interpretime Ligjore

Aktuale

PZAP: KQZ-ja Jokompetente për Interpretime Ligjore

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 11:30
KQZ

PZAP-i konstatoi se KQZ-ja nuk ka të drejtë të bëjë interpretime ligjore, pas një shkrese që pranoi prej KQZ-së.

Mulë Desku, kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka kompetencë që të bëjë interpretim ligjor për PZAP-in.

PZAP pranoi nga KQZ-ja një shkresë ku Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpjegonte Rregullën Zgjedhore Numër 13/2013, e cila në nenin 5, pikën 2 përcakton kategoritë e personave që përjashtohen nga pjesëmarrja në fushatë.

 

KQZ-ja shpjegimin e kësaj rregulle për PZAP-in e ka bërë pasi ka sqaruar se ka pranuar “shqetësime lidhur me masat e shqiptuara nga PZAP-i lidhur me përfshirjen në fushatë zgjedhore të kategorive të caktuara”.

Desku tha se shkresa e KQZ-së nuk e detyron PZAP-in pasi që KQZ-ja nuk është organ kompetent për interpretime ligjore.

“Shkresa  e tillë nuk ka fuqi ligjore për t’u zbatuar. PZAP-i është organ i pavarur dhe vendos për çdo ankesë varësisht prej specifikave te rastit në pajtim me ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme – LZP, Rregullave dhe Procedurave të PZAP-it dhe Rregullave te KQZ-së ne pajtim me këtë ligj”, tha per kallxo Desku.

Ai shtoi se shkresën ku KQZ-ja tregon si të interpretohet një dispozitë e rregullores nuk e konsideron ndërhyrje të KQZ-së në punën e PZAP-it.

KQZ-ja në shkresë duke interpretuar nenin 5, pikën 2 të Rregullës Zgjedhore 13/2013, foli për përfshirje aktive dhe pasive në fushatë.

Ky nen e kjo pikë mes tjerash përjashton përfshirjen e personave më të rinj se 18 vjet në fushatën zgjedhore.

Shumë ankesa të BIRN dhe Internews Kosova lidhur me pjesëmarrjen e fëmijëve në aktivitete të fushatës janë pranuar si të bazuara nga PZAP-i, i cili ka shqiptuar gjoba për subjektet politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat