Rrena e Haradinajt për ndalimin e pjesëmarrjes së ministrave në fushatë

Aktuale

Rrena e Haradinajt për ndalimin e pjesëmarrjes së ministrave në fushatë

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 11:42
Ramush Haradinaj, Pal Lekaj

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka deklaruar se vartësit e tij nuk guxojnë të marrin pjesë në fushatë elektorale gjatë orarit të punës.

“Nuk guxon me shku gjatë orarit të punës, guxon me shku në mbramje, por nuk guxon me shku gjatë orarit të punës. Për mu nuk është e pëlqyeshme kjo. Por gjatë orarit të punës nuk guxon, asnjë ministër, asnjë zyrtar”, ka thënë kryeministrit Haradinaj kur është pyetur për ministrin e arsimit që është edhe kandidatë për kryetar të Prishtinës.

Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Kallxo ka kërkuar në profilet e ministrave të Qeverisë Haradinaj dhe ka gjetur se shumica e tyre marrin pjesë në aktivitete të fushatës zgjedhore të partive të tyre në komuna të ndryshme.

Media ka gjetur disa raste kur ministrat e Qeverisë Haradinaj gjatë orarit të punës ka bërë fushatë dhe kanë vizituar lokalitete të ndryshme duke i ndihmuar kandidatët për kryetar të Komunës.

Ministri i Infrastrukturës dhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj me 15 tetor, në ora 15:15 ka publikuar 6 fotografi nga vizita në Viti, ku i kishte dhënë mbështetje kandidatit të AAK-së në këtë qytet, Faruk Nurës. I njëjti ministër edhe me datën 11 tetor, së bashku me kandidatin e AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini kishin inspektuar disa rrugë në Gjakovë, mirëpo ky i fundit nuk asnjë post qeveritar.

Edhe ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, po merr pjesë në fushatën zgjedhore. Ajo ka publikuar fotografi në fushatë me kandidaten e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizin. Ajo ka të publikuara në Facebook edhe fotografi të ditëve tjera të pjesëmarrjes në aktiviteteve të fushatës me Valdete Idrizin. Në kohën e publikimit të fotove ka qenë orari i punës së saj si ministre.

Një tjetër ministër i PDK-së po merr pjesë në fushatë. Bëhet fjalë për ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj, i cili dje ka qëndruar në Pejë duke e mbështetur gjatë orarit të punës, kandidaten e PDK-së, Sabina Shala. Ai ka edhe vizita tjera gjatë orarit të punës në qytete të ndryshme duke përkrahur kandidatët e PDK-së në zgjedhjet lokale.

Edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, që vjen nga “Nisma për Kosovën” po merr pjesë në fushata zgjedhore të partisë së tij gjatë orarit të punës.

Nisma për Kosovën e ka vendosur kandidat për Prishtinën, ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili merr pjesë në fushatë zgjedhore gjatë orarit të punës.

Një ministër tjetër dhe kandidat për kryetar të komunës është edhe Bajram Hasani i Nismës. Hasani është edhe ministër i Tregtisë e Industrisë si dhe kandidat për kryetar të Gjilanit. Ai me datën 15 tetor gjatë kohës sa duhej të ishte në rolin e ministrit, ka zhvilluar fushatë si kandidat i Nismës. Ai ka edhe vizita tjera në kuadër të fushatës nëpër lokalitete të Gjilanit.

Aktiv në fushatë është edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj e që është edhe kryetar i Nismës për Kosovë. Në kohë të punës ka marrë pjesë në fushatë edhe zv.kryeministri Behgjet Pacolli.

Ndërsa vetë kryeministri Haradinaj është përmbajtur nga aktivitetet zgjedhore në teren, sado që në raste të caktuara, gjatë ditës, ka gjetur kohë që në agjendën e tij të përfshijë takime me përfaqësues lokalë të partisë së tij (AAK) në zyrën e kryeministrit. Së fundmi, ai është takuar me kandidatin e AAK-së për kryetar të Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili është edhe Zëvendës Ministër në qeverinë e tij, për të biseduar rreth projektit të autostradës Prishtinë- Gjilan, e ditë më parë ka pritur edhe kandidatin e AAK-së për Rahovecin, Smajl Latifin bashkë me një grup vreshtarësh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat