SBASHK kërkon që arsimi të jetë prioritet në Kosovë

Aktuale

SBASHK kërkon që arsimi të jetë prioritet në Kosovë

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 13:35
Pamje nga konferenca "Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës"

Kanë kaluar 10 muaj prej kur është aprovuar rezoluta e cila e shpallë arsimin prioritet kombëtar në Kosovë, ndërsa nuk është ndërmarr asnjë hap në drejtim të implementimit të saj.

Kjo ka bërë që SBASHK-u edhe njëherë të kërkojë që arsimi të jetë prioritet në Kosovë.

Edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, i pranishëm në konferencën "Mësimdhënësit formojnë të ardhmen e Kosovës", theksoi se edhe pse është aprovuar rezoluta e cila e bënë prioritet arsimin në Kosovë, por fatkeqësisht nuk është bërë asnjë hap në drejtim të zbatimit të saj.

Për të zgjidhur këtë problem, ai ka ftuar nga të gjitha institucionet që të angazhohen sa më shumë që të kenë prioritet çështjen e arsimit në Kosovë, ndërkaq çmoi lartë kontributin që ka dhënë GIZ për çështjen e arsimit.

Kurteshi: Nuk është bërë asnjë hap për zbatimin e rezolutës për arsimin

"Kuvendi i Kosovës më 19 janar të këtij viti, pak kohë pas publikimit të rezultateve të PISA-s, ka aprovuar një rezolutë në lidhje me arsimin, me 12 pika dhe në pikën e parë thuhet se arsimi në Republikën e Kosovës shpallet si prioritet kombëtar. Fatkeqësisht kanë kaluar 10 muaj, dje janë bërë 10 muaj prej kur rezoluta është aprovuar në Kuvend dhe që e obligon Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera që të fillojnë dhe ta implemetojnë këtë marrëveshje. Deri më tani nuk kemi parë asnjë lëvizje në këtë drejtim, por jam i sigurt se me angazhimin e mësimdhënësve, të Sindikatës, dhe të organizatave tjera, MASHT do të fillojë ta vë në jetë rezolutën e cila sipas mendimit tim është rezoluta më e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës ka aprovuar", tha ai.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj theksoi rolin e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë.

Ndërsa, tha se liderët politik duhet ta bëjnë arsimin prioritet edhe në vepër duke bërë planifikime buxhetore karshi nevojës për përmirësim të kushteve të punës në institucionet arsimore.

Jashari: Deklarimi se arsimi është prioritet të bëhet edhe me vepra

“Në këtë përpjekje madhore duhet të përfshihen sinqerisht krahas punëtorëve të arsimit edhe nxënësit, prindërit, institucionet lokale dhe qendrore të shtetit dhe palët tjera. Jo duke kritikuar po as edhe një argument, por duke u angazhuar konkretisht në këtë mision të shenjtë. Liderët politik dhe personalitetet kryesore të institucioneve të shtetit tonë, deklarimin se arsimi është prioritet i shtetit të Kosovës duhet ta kthejnë në vepër duke bërë planifikime buxhetore karshi nevojës për përmirësimin e kushteve të punës në institucionet tona arsimore. Këto vatra të dijës duhet të përgatiten me mjete bashkëkohore, në mënyrë që mësimdhënësve t’iu krijohen kushtet e punës për arritje të reja dhe për dije e shkathtësi të nxënësve që kërkojnë zhvillime të hovshme në të gjitha sferat në shekullin 21”, tha ai.

Udhëheqësi i Projektit, Boris Scharloëski nga GIZ, tha se arsimimi i sotëm i fëmijëve formon edhe të ardhmen e zhvillimit të vendit.

Scharlowski: Ne dimë edhe sfidat e tjera me të cilat ballafaqohet arsimi në Kosovë

“Ne të gjithë i dimë rezultatet shokuese të PISA-s të cilat janë publikuar pothuajse para një viti, mirëpo ne jemi të informuar edhe me sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sistemi arsimor në Kosovë. Siç ne të gjithë e dimë, arsimi është një e drejtë, mirëpo gjithashtu nevojitet një zotim nga e tërë shoqëria për të zhvilluar atë”, tha ai.

Ndërkaq, prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Myrvete Badivuku tha se janë mësimdhënësit ata që formojnë të ardhmen e vendit, ndërsa ftoi që arsimi të bëhet prioritet i vendit. Ajo theksoi se janë duke u bërë disa reforma në UP, me qëllim bërjen e tij lider në rajon dhe më gjerë.

Ndryshe, konferenca e sotme është organizuar nga SBASHK-u dhe GIZ, si dhe ka për qëllim të identifikojë mundësitë me të cilat mësimdhënësit mund të kontribuojnë për t’i tejkaluar sfidat me të cilat arsimi në Kosovë vazhdon të përballet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat