Thaçi: Kosova do ta vazhdojë traditën për zgjedhje të lira dhe fer

Aktuale

Thaçi: Kosova do ta vazhdojë traditën për zgjedhje të lira dhe fer

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 14:22
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me shefin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot shefin e Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle, me të cilin bisedoi për përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë këtë të diele.

Thaçi falënderoi për gatishmërinë e BE-së për të monitoruar zgjedhjet lokale, për të cilat është shprehur i bindur se do të zhvillohen në një frymë demokratike.

“Kosova tashmë ka dëshmuar se dinë të organizojë zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, të pranuara nga të gjitha partitë politike dhe bashkësia ndërkombëtare. Këtë traditë do ta dëshmojnë sërish të dielën”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ndërsa, shefi i Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Alojz Peterle ka theksuar se vëzhguesit e BE-së do të jenë të shpërndarë në të gjithë Kosovën, për të monitoruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.

Presidenti Thaçi iu ka dhënë mbështetje të plotë vëzhguesve të BE-së për punën e tyre në monitorimin e këtyre zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat