Haradinaj: T’ia zbardhim fytyrën Kosovës me zgjedhje të mira dhe fer

Aktuale

Haradinaj: T’ia zbardhim fytyrën Kosovës me zgjedhje të mira dhe fer

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 15:49
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar partitë politike, për korrektësinë e treguar gjatë fushatës parazgjedhore, për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Ai në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kërkoi nga qytetarët dhe partitë politike  që t’ia zbardhin fytyrën vendit me zgjedhje të lira dhe fer.

Haradinaj: T’ia zbardhim fytyrën vendit me zgjedhje fer

“Dua t’i falënderoj të gjitha partitë politike për një korrektësi në fushatë, për një kujdes. Ka pasur ndonjë ta quajmë ashtu incident. Por megjithatë mendojmë që procesi ka shkuar në rregull. I lusim besoj në emër të gjithë secilit këtu,  partitë politike, gjithë akterët  pjesëmarrës në zgjedhje, mekanizmat e rendit dhe të ligjit, KQZ-në, KKZ-në dhe qytetarët që t’ia zbardhin fytyrën Kosovës me zgjedhje sa më të mira, me zgjedhje fer. Të votojmë lirshëm. Mos të harrojmë se dhe nga kualiteti i  zgjedhjeve varet shpejtësia me të cilën ne arrijmë te liberalizimi i vizave, perspektiva evropiane dhe krejt proceset para nesh. I uroj Kosovës fat në këto zgjedhje komunale”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, po ashtu ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 40 mijë euro, për renovimin e shkollës fillore në fshatin Somolicë të komunës së  Bujanovcit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili dhe ka bërë kërkesën në fjalë për ndarjen e këtyre mjeteve, tha se kjo kërkesë ka ardhur si rezultat i një vizite,  që ai kishte ditë më parë në Luginën e Preshevës.

Tahiri: Kërkesa ime si rezultat i një vizite që i kam bërë Bujanovcit

“Si pikë e tejkalon fushëveprimin e ministrisë që unë drejtoj. Mirëpo kjo vjen si rezultat i një vizite që kam pasur para disa dite në komunën e  Bujanovcit. Gjatë vizitës sime zyrtare në Luginën e Preshevës, përkatësisht në komunën e Bujanovcit para dy ditëve, pata rastin të njoftohem nga afër,  me sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, në qytetin e Bujanovcit. Ndër problemet e shumta me të cilën përballen banorët e kësaj zone, paraqitet si nevojë imediate, krijimi i kushteve sa më mira në sferën e arsimit. Andaj për t’iu përgjigjur këtyre nevojave, propozoj para jush që sot të ndahen mjete në vlerë prej 40 mijë euro për renovimin e kësaj shkolle në komunën e Bujanovcit”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj tha se ndarja e këtyre mjeteve është një veprim humanitar.

Haradinaj: Është veprim humanitar

“Është veprim humanitar, renovimi i një shkolle, iu faleminderit për një qasje të tillë“, tha ai.

Qeveria ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 100 mijë dollarë amerikan për përkrahjen e koalicionit anti-ISIS. 

Haradinaj tha se është nder për Kosovën që të japë përkrahje financiare për koalicionin anti-ISIS.

Haradinaj: Është nder me përkrah koalicionin anti-ISIS

“Qeveria e Kosovës, është e gatshme të përkrahë iniciativën për kthimin e banorëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre në zonat e shkatërruara nga luftimet Irak Siri, duke ofruar asistencë për personel dhe ekspert, pastrimin e  terrenit nga minat dhe mjeteve tjera shpërthyese, si dhe ndihmën humanitare në projektet që kanë të bëjnë me strehim, punësim, shëndetësi e emergjenca tjera. Ne kemi qenë gjatë përfitues të ndihmave nga plot donatorë, nga plot vende në rastin e vështirësive tona dhe Kosova e ka për nder me dhanë një përkrahje të tillë financiare, koalicionit anti-ISIS, në të cilin jemi pjesë. Por që ka qëllim këto të holla i dedikohen kthimit të familjeve në shtëpitë e tyre që janë rrënuar nga lufta. Besojmë se është në nderin e popullit tonë, një përkrahje”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj ka folur dhe për ndërtimin e autostradës për Gjilan. Ai tha se Qeveria e Kosovës mbetet në zotimin e saj, sa i përket ndërtimit të rrugës për Gjilan dhe se të gjitha deklaratat tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje, janë vetëm thashetheme elektorale.

Haradinaj: Do ta ndërtojmë rrugën për Gjilan, deklaratat tjera janë thashetheme

“Ishte dhe një diskutim i hapur publik për implementimin e Auto rrugës për Gjilan. Unë e dhashë një prononcim zyrtarë, bazuar në të dhënat që ne i kemi. Auto rruga për Gjilan implementohet ashtu siç është e vendosur. Deklarimet tjera janë thashetheme elektorale. I kisha lut dhe kabinetin qeveritar, të mos bien pre e këtyre deklarimeve dhe thashethemeve elektorale, kur dihet që ne kemi marrë obligim me implementuar  auto rrugën për Gjilan”, tha Haradinaj.

Qeveria po ashtu ka ndarë mjete financiare në vlerë prej  27 mijë euro për pagesën e punonjësve me kontrata, për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale "Ibrahim Rugova".

Kryeministri Haradinaj ka bërë të ditur se javën e ardhshme për një vizitë në Kosovë do të arrijnë përfaqësues të Këshillit të NATO-s, ndërsa muajin e ardhshëm për vizitë në vendin tonë do të vijë edhe kongresisti amerikan Eliot Engel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat