Labinot Tahiri largohet nga AKR-ja?

Aktuale

Labinot Tahiri largohet nga AKR-ja?

Më: 20 tetor 2017 Në ora: 16:09
Labinot Tahiri

Nënkryetari i AKR-së, Labinot Tahiri, mbrëmjen e së enjtes bëri një postim ku foli për të ardhmen e tij, që u kuptua si paralajmërim për largim nga AKR-ja? Ai për Express thotë se tash nuk mund të flasë për shkak të zgjedhjeve, derisa nuk preferon të tregojë nëse ka ose jo pakënaqësi brenda AKR-së.

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri, nëpërmjet një statusi në Facebook të hënën mbrëma, bëri një paralajmërim për të ardhmen e tij, ndonëse nuk e ka bërë të qartë se për çfarë konkretisht e kishte fjalën. 

Nga ato që i kishte shkruar, aludonte në pakënaqësi brenda partisë që i takon, megjithatë prapë nuk bëhej i qartë qëndrimi i tij.

Media ka kërkuar një sqarim për atë që e kishte shkruar, por i njëjti ka refuzuar të flasë, duke thënë se këtë do ta bëjë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel.

Express e ka pyetur nëse ai, i cili aktualisht ka pozitën e nënkryetarit të AKR-së ka pakënaqësi brenda subjektit apo për çfarë bëhet fjalë, Tahiri insistonte se këtë do ta merrnim vesh vetëm pas zgjedhjeve.

“Prandaj po e them që vetëm pas zgjedhjeve” u shpreh ai shkurt. Mirëpo, Tahiri i cili nga një këngëtar u bë politikan duke u bërë pjesë e partisë së Behgjet Pacollit, e filloi statusin duke thënë se së shpejti do të ketë surpriza të reja në të ardhmen e tij.

“Lexo...! Kur deri para datës 7-të Shtatorë të këtij viti, Presidenti ynë i partisë së AKR-së, dhuronte intervista për emrin tim, duke treguar besnikërinë time ndaj tij dhe Partisë së AKR-së....!!!

POLITIKA KA NJË EMËR. Emri i saj është: ...............!”, është vetëm një paragraf i asaj çfarë ka zgjedhur të thotë deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, braktisi koalicionin me LDK-në e Alternativën, duke iu bashkuar PAN-it. 

Aktualisht ai është zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat