DnV në zgjedhjet e nesërme me 3 mijë vëzhgues

Aktuale

DnV në zgjedhjet e nesërme me 3 mijë vëzhgues

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 10:56
Konferenca e DnV-së

(E plotësuar) - Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka publikuar raportin e monitorimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër, ku u vlerësua se fushata ka qenë e qetë, konkurruese dhe me incidente të vogla që nuk kanë ndikuar në prishjen e fushatës zgjedhore.

Po ashtu, DnV-ja ka bërë gati edhe rreth 3 mijë vëzhgues të cilët do të jenë në të gjitha pikat e votimit në tërë Kosovën, si dhe në pikën qendrore që do të jetë e vendosur në Prishtinë, nga ku edhe do të jepen informacione për ndonjë parregullsi të mundshme gjatë procesit të votimit.

Albert Krasniqi nga KDI-ja, tha se në bazë të monitorimeve të tyre vlerësojnë se fushata zgjedhore ka qenë e qetë dhe është zhvilluar në një ambient konkurrues.

Sipas tij, kandidatët për kryetar të komunave dhe kuvendeve komunale kanë shpalosur lirshëm programet dhe pikëpamjet e tyre dhe pjesëmarrja e qytetarëve dhe mediave ka qenë e sigurt dhe e papenguar.

Megjithatë, tha se edhe në këtë fushatë ka pasur disa incidente, megjithëse ato ishin të vogla dhe pa ndikim në prishjen e fushatës.

Krasniqi: Fushata ishte e qetë me incidente të vogla

“Janë shënuar një numër i vogël i incidenteve por të cilat nuk kanë qenë raste që mund ta dëmtojnë fushatën zgjedhore. Në bazë të pjesëmarrjes së qytetarëve në tubime kemi parë se partitë kanë qenë të koncentruar në takime deri me 100 pjesëmarrës që në total bëjnë deri në 52 për qind të aktiviteteve të tyre, kurse në pjesën e fundit të fushatës janë koncentruar me pjesëmarrës me shumë me tubime mbi 1 mijë pjesëmarrës. Përdorimi i resurseve publike po ashtu ka qenë i pranishëm edhe në këtë fushatë zgjedhore përkundër që kishte një vendim të kryeministrit që kërkonte mos të abuzonin me resurse publike dhe ka legjislacion që ndalojnë përdorimin e resurseve publike për fushatë zgjedhore. Ne kemi arritur të identifikojmë 82 raste kur resurset publike janë përdorur dhe që përfshijnë automjetet zyrtare dhe pjesëmarrjes së shërbyesve publik dhe personave zyrtar në fushatën zgjedhore”, tha Krasniqi.

Si shqetësim tjetër, Krasniqi përmendi edhe gjuhën e urrejtjes të përdorur në fushatë, pjesëmarrja e fëmijëve në fushata dhe pjesëmarrja e ulët e grave në procesin zgjedhor, duke qenë se vetëm tetë gra janë kandidate për kryetare të komunave nga 204 kandidatë sa janë gjithsejtë.

Ndërsa, Ismet Kryeziu paraqiti planin e përgatitur për ditën e nesër të votimit. Ai theksoi se DnV-ja tanimë ka rekrutuar 2500 vëzhgues të cilët do të jenë statik në të gjitha 2500 vendvotimet, derisa, do të kenë rreth 3 mijë vëzhgues duke përfshirë ekipet mobile dhe vullnetarët që do të jenë në qendrën në Prishtinë.

Kryeziu ka ftuar partitë politike që të përkujdesen për simpatizantët e tyre, njerëzit e angazhuar në vëzhgimin apo organizimin e zgjedhjeve, që të mos i prishin standardet e larta që ka arritur Kosova në organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve.

Kryeziu: Ftojmë partitë të mos lejojnë prishjen e procesit zgjedhor

“Duke marrë parasysh se nga viti 2013, Kosova ka avancuar në organizimin dhe menaxhimin e procesit zgjedhor ka arritur standarde me të mirat në rajon ndoshta, krahasuar me shtetet tjera. Ne i bëjmë thirrje partive politike që të përkujdesen që nesër nga simpatizantët e tyre, votuesit e tyre, njerëzit e angazhuar që kanë qoftë në vëzhgimin apo menaxhimin dhe organizimin e zgjedhjeve që janë komisionerët që të jenë të përgjegjshëm për të ruajtur këto standarde për t’i dhënë një legjitimitet procesit zgjedhor dhe për të garantuar edhe një herë që secila votë që nesër votohet nga qytetarët të jetë e drejtë, secila votë të jetë e numëruar dhe secila votë e cila është dedikuar për kandidatët e tyre të përfaqësohet apo të zgjidhet për ata kandidat që është dedikuar”, tha Kryeziu.

Po ashtu, Kryeziu ka ftuar edhe organet përgjegjëse për ruajtjen e procesin zgjedhor që të garantojnë dhe ofrojnë siguri në gjithë territorin e vendit, duke përfshirë edhe komunat serbe, pasi duke u bazuar në dy palë zgjedhjet e kaluara, ato të vitit 2013 dhe ato që u mbajtën në qershor të këtij viti, ka pasur përplasje mes grupeve të qytetareve apo pjesëmarrëseve nga partitë politike serbe.

Derisa, për dalje sa me të madhe në procesin zgjedhor, Kryeziu ka ftuar qytetarët, duke thënë se me votën e tyre ata do të bëhen pjesë e vendimmarrjes

Kryeziu: Qytetarët me votë të jenë pjesë e vendimmarrjes

“Nesër kanë mundësi që të jenë pjesë e vendimmarrjes, me votën e tyre të vendosin për perspektivën e tyre, me votën e tyre të zgjedhin kandidatët me integritet, me votën e tyre të sjellin ndryshime aty ku kanë menduar nëse mendojnë se nuk është qeverisur mirë, me votën e tyre të zgjasin mandate aty ku mendojnë se është qeverisur mirë. Do të thotë me votën e tyre ata ta përcaktojnë të ardhmen e tyre për katër vite, e cila ka impakt në përditshmërinë në jetën e tyre”, theksoi Kryeziu.

Nesër, më 22 tetor, kutive të votimit do t’i drejtohen rreth 1 milion e 900 mijë qytetarë me të drejtë vote. Për këto zgjedhje lokale, KQZ-ja, ka certifikuar 91 subjekte politike, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicioni.

DnV: Mos të bëhet presion dhe mos të manipulohen votuesit

Demokracia në Veprim (DnV) përmes 61 vëzhguesve afatgjatë, në tridhjetë ditët e fushatës për zgjedhjet lokale, ka përcjellë 1,369 aktivitete të subjekteve politike të certifikuara, ka zhvilluar intervista me kandidatët që janë në garë zgjedhore për të diskutuar lidhur me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, si dhe ka monitoruar mbledhjet KKZ-ve dhe KQZ-së.

Në bazë të monitorimeve tona, vlerësojmë se fushata zgjedhore ka qenë e qetë, e zhvilluar në një ambient konkurrues. Kandidatët për kryetar të komunave dhe për kuvendet komunale kanë shpalosur lirshëm opsionet dhe programet e tyre politike, ku pjesëmarrja e qytetarëve dhe e mediave ka qenë e sigurt dhe e papenguar. Janë shënuar një numër i vogël i incidenteve të cilat kanë qenë raste të izoluara dhe nuk kanë dëmtuar fushatën zgjedhore, thuhet në njoftimin e DnV-së.

Pjesëmarrja e qytetarëve në tubime

Subjektet politike në përgjithësi kanë zhvilluar tubime zgjedhore deri në 100 pjesëmarrës, respektivisht 52% e takimeve të tyre, pastaj takime me grupe të interesit, takime me qytetar derë me derë. Ndërsa në javën e fundit të fushatës është vënë re një intensifikim i takimeve me qytetarët dhe veçanërisht i tubimeve zgjedhore të përmasa më të mëdha deri në 1,000 pjesëmarrës.

Përdorimi i resurseve publike

Edhe gjatë kësaj fushatë zgjedhore është shënuar përdorimi i resurseve publike në 82 raste, ku është vënë re përdorim i automjeteve zyrtare, pjesëmarrje e shërbyesve civile dhe personave zyrtar në fushatë.

Gjuha e urrejtjes

Subjektet politike kanë qenë më të përmbajtura në përdorimin e gjuhës së urrejtjes, nga të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV, në 22 raste është shënuar përdorim i gjuhës së urrejtës.

Përfshirja e fëmijëve në fushatë

Fushata zgjedhore është shënuar me pjesëmarrjen e fëmijëve, përkatësisht në 30% të aktiviteteve të monitoruara të fushatës zgjedhore apo 3,994 fëmijë pjesëmarrës në fushatë.

Qasja e personave me aftësi të kufizuara

Ofrimi i qasjes për personat me aftësi të kufizuara ka qenë një tjetër problematikë që ka shënuar fushatën zgjedhore të partive politike. Është vënë re që në pjesë të madhe të këtyre aktiviteteve nuk u është ofruar qasja personave me aftësi të kufizuara, përkatësisht qasje nuk është ofruar në 29% të aktiviteteve. Pjesëmarrje e personave me aftësi të kufizuara ka qenë në 151 aktivitete të subjekteve politike.

Pjesëmarrja e grave

Numri i grave të nominuara si kandidate për komuna është vetëm 8 nga 204 kandidatë të cilët po kandidojnë për kryetar në rang vendi.

Pjesëmarrja e grave ka vazhduar në nivele të ulëta gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Në të gjitha aktivitetet e monitoruara nga DnV pjesëmarrja e grave ka qenë në mesataren 10%. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së grave si folëse ka qenë 21%. Përkatësisht kanë folur 3691 burra dhe vetëm 974 gra.

Prania e mediave

Mediat kanë qenë të pranishme në 51% të aktiviteteve zgjedhore të monitoruara në nivel vendi dhe kanë raportuar lirshëm.

Ofrimi i sigurisë

Në shumicën e rasteve të monitoruara Polica e Kosovës është përkujdesur për sigurimin e aktiviteteve zgjedhore. Për 30 ditë të fushatës shihet që gjysma e aktiviteteve që mbahen nga subjektet politike nuk kanë fare sigurim.

Vëzhgimi i zgjedhjeve dhe përgatitjet nga DnV

Demokracia në Veprim është e gatshme për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Ne kemi rekrutuar rreth 3 mijë vëzhgues të cilët i janë nënshtruar trajnimeve dhe janë të gatshëm për të mbuluar të gjitha 2,505 vendvotime sa janë paraparë të hapën në ditën e zgjedhjeve.

Qendrën Koordinuese do ta kemi të vendosur në Prishtinë (Hotel Sirius) nga ku përmes 150 vullnetarëve do të mbledhim të gjitha të dhënat nga terreni të cilat do të analizohen dhe bëhen të ditura për publikun. Kujtojmë që gjatë periudhës së fushatës, përveç monitorimit të aktiviteteve të subjekteve politike, DnV ka qenë aktivisht e përfshirë në informimin dhe edukimin e votuesve për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje si dhe për mënyrën e votimit.

Tradita e mirë e ndërtuar në organizimin e zgjedhjeve, sidomos nga zgjedhjet e viti 2013 dhe këndej, urojmë të ruhet edhe në këto zgjedhje. Subjektet politike dhe institucionet tjera të përfshira në menaxhimin e zgjedhjeve kanë treguar maturi dhe nivel të lartë të përgjegjësisë. Çdo rezultat i zgjedhjeve i cili është i kontestuar nuk garanton qeverisje të mirë në atë komunë, dhe njëkohësisht dëmton rëndë reputacionin e subjektit politik dhe zhvillimin e demokracisë së atij vendi.

Andaj iu bëjmë thirrje të gjitha 91 subjekteve politike të përfshira në garë, të përmbahen nga çfarëdo forme e presionit mbi votuesit apo tentimit për të manipuluar me vullnetin e qytetarëve.

Institucioneve të sigurisë u bëjmë thirrje të jenë në krye të detyrës për të garantuar atmosferë të qetë zgjedhore. Vëmendje më të shtuar duhet treguar në komunat me shumicë serbe. Në zgjedhjet e kaluara është raportuar për presion mbi votuesit në këto zona, prandaj institucionet e Republikës së Kosovës duhet të jenë të gatshme që të parandalojnë përsëritjen e skenarëve të tillë.

Të gjithë qytetarët me të drejtë vote duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe me votën e tyre të vendosin për shërbime më të mira të administratës, për infrastrukturë më cilësore e për përkujdesje më të mirë shëndetësore.

Votuesit të cilët marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje, duhet të bëjnë kujdes që fletëvotimi i tyre të mos shpallet i pavlefshëm. Në ditën e zgjedhjeve do të marrin dy fletëvotime. Në fletëvotimin për kryetar të komunës duhet të votojnë vetëm për një kandidat. Ndërsa në fletëvotimin e dytë, së pari duhet të shënjojnë vetëm një subjekt politik, pastaj në anën e djathtë të po atij fletëvotimit duhet të shënjojnë vetëm një kandidat për Kuvendin Komunal.

***

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, po mban konferencën për media mbi vlerësimin e ecurisë së fushatës zgjedhore, si dhe planin e DnV-së për vëzhgim gjatë ditës së zgjedhjeve.

Konferenca po mbahet në zyrat e Institutit Demokratik të Kosovës. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat