Anëtari i KQZ-së i përgjigjet OSBE-së: Kosova s’duhet lejojë votimin me dokumente të Serbisë

Aktuale

Anëtari i KQZ-së i përgjigjet OSBE-së: Kosova s’duhet lejojë votimin me dokumente të Serbisë

Më: 21 tetor 2017 Në ora: 12:19
KQZ

Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi i është përgjigjur shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu, që tha se qytetarët serbë në veri mund të votojnë edhe me dokumente të Serbisë.

Rrustemi ka thënë se mund të votohet vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës, e kurrsesi me të Serbisë. Në një adresim të tij përmes rrjetit social Facebook, Rrustemi tha se në zgjedhjet e nesërme, të drejtë vote kanë vetëm shtetasit e Republikës, të regjistruar në regjistrin civil përmes pajisjes me letërnjoftim të Republikës së Kosovës.

“Mënyra se si krijohet lista e votuesve në Kosovë e determinon edhe se çfarë dokumente të identifikimit mund të përdorën në ditën e zgjedhjeve për të votuar. Përveçse ligji për zgjedhjet renditë këto dokumente dhe ligji mbi shtetësinë na tregon dokumentet që dëshmojnë shtetësinë, për nga kuptimi i procesit zgjedhor, në ditën e zgjedhjeve duhet të përdoren ato dokumente të identifikimit të votuesve që përmbajnë të gjitha të dhënat e njëjta sikurse janë përshkruar në listën e votuesve, e veçanërisht përputhjen e numrit personal të votuesit në dokumentin identifikues me numrin personal në listën e votuesve”, ka thënë Rrustemi, përcjell Koha.net. “Madje, Gjykata Supreme në vendimin e saj për votimin me kusht në zgjedhjet e 11 qershorit qartazi e ka vërtetuar se kërkohet numri personal i votuesve që e përmbajnë vetëm dokumentet e lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Rrustemi ka thënë se asnjë votues nuk është pjesë e listës së votuesve, nëse nuk është pajisur me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, ose të paktën me letërnjoftim të UNMIK-ut.

“Po ashtu, asnjë votues që nuk është në listën e votuesve nuk mundet që të votojë. Prandaj të gjithë ata që veçse janë të regjistruar në listën e votuesve, veçse posedojnë letërnjoftim të Kosovës ose të paktën të UNMIK-ut. Refuzimi për të nxjerrë nga xhepi dhe për të përdorur letërnjoftimin e Kosovës nga votuesit në pjesën veriore, është vetëm refuzim i qëllimshëm i sovranitetit të Republikës dhe si i tillë në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet. Çfarëdo tolerimi që të votojnë me dokumente të Serbisë është sheshit legjitimim i pretendimeve të strukturave paralele të Serbisë dhe të vet Serbisë.

Në anën tjetër, ka thënë ai, në secilin shtet demokratik dhe me sovranitet votohet vetëm me dokumente të atij shteti.

“As që diskutohet votimi eventual me dokumente identifikuese të një shteti tjetër. Kushdo që deklarohet se në veri mund të votohet me dokumente të Serbisë, është deklaratë dhe qëndrim në kundërshtim me rendin juridik, integritetin, si dhe me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, qoftë ai edhe ambasadori i OSBE-së”, ka thënë Rrustemi.

“Duke qenë se të gjithë votuesit që janë në listën e votuesve, në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, posedojnë dokumente të identifikimit të Kosovës apo të UNMIK-ut, ftoj të gjithë zyrtarët e përfshirë në administrimin e zgjedhjeve dhe kërkoj nga autoritetet shtetërore si policia që në ditën e zgjedhjeve të jenë në mbrojtje të rendit kushtetues dhe të sovranitetit të Republikës, sikurse edhe të procesit zgjedhor në tërë territorin e Republikës, ka thënë në fund anëtari i KQZ-së.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka deklaruar se të dielën do t’i kenë 220 përfaqësues nga ky mision në komunat veriore të Kosovës. Sipas tij, sipas udhëzimeve të KQZ-së qytetarët e veriut do të mundë të votojnë edhe me letërnjoftim të vlefshëm të Serbisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat