Gërxhaliu flet për pasojat e luftës: Mbi treqind (300) mbetje mortore nuk përputhen me donoret e gjakut

Aktuale

Gërxhaliu flet për pasojat e luftës: Mbi treqind (300) mbetje mortore nuk përputhen me donoret e gjakut

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 21 tetor 2017 Në ora: 18:01
Arsim Gërlaxhiu

Edhe pse kanë kaluar gati 18 vjet që nga mbarimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e rreth 1658 personave, të cilët konsiderohen të zhdukur si viktima të luftës. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndodhën mbi treqind (300) mbetje mortore, të cilat nuk ndërlidhen me donorët e gjakut nga familjarët. Marrë parasysh se në Kosovë kemi mbi dymijë (2000) varrime nga vet familjarët e viktimave, të cilat nuk iu nënshtruar analizave të ADN-së dhe autopsisë, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe gabime gjatë identifikimit të tyre.

Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë që të bëhet më shumë për ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre, pasi, siç thonë ata, deri tash ka munguar një vullnet politik që të lëvizte diçka në këtë drejtim. Kërkesa të vazhdueshme për trysni ndaj Serbisë ka pasur e sidomos në rastin e bisedimeve më Serbinë.

Serbia e di se ku janë  të varrosur

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Brukselit, mirëpo, çështja e personave të zhdukur nuk është pjesë e këtyre bisedave, pavarësisht nga insistimi i palës kosovare.

Tash në këtë fazë të dialogut që Prishtina zyrtare po e cilëson si fazën e fundit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, ekipi i Kosovës që do kryesohet nga Presidenti Hashim Thaçi, do të kërkojë që çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të jetë një nga temat e diskutimit në tavolinën e bisedave.

Image
Arsim Gërxhaliu

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore Arsim Gërxhaliu, ka treguar se në IML ndodhën mbi treqind (300) mbetje mortore, të cilat nuk ndërlidhen me donorët e gjakut nga familjarët. “Marrë parasysh se në Kosovë kemi mbi dymijë (2000)  varrime nga vet familjarët e viktimave, të cilat nuk iu nënshtruar analizave të ADN-së dhe autopsisë, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe gabime gjatë identifikimit të tyre”, është shprehur Gërxhaliu.

Aktualisht, ata janë duke punuar në Suhodoll të Mitrovicës, ku kanë gjetur disa mbetje mortore dhe një trup të kompletuar.

“Sa i përket numrit të personave të pagjetur, në Kosovë mungojnë edhe 1658 persona, për fatin e të cilëve nuk dimë asgjë. Është më së e domosdoshme një trysni ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke marr parasysh se e njëjta ka bërë krime në Kosovë dhe se me besueshmëri të lartë, e njëjta i din se ku janë  të varrosur” ka thënë Gerxhaliu për “Bota sot”.

Të kërkohen personat që e shkaktuan gjenocidin

Kurse, Behxhet Shala nga KMDLNJ në një intervistë dhënë më parë “Bota sot” ka thënë se në të gjitha luftërat që kanë ndodhur që nga lufta e parë botërore, gjithmonë një përqindje e atyre të pa gjeturve nuk janë gjetur asnjëherë.

Image
Behxhet Shala

“Ka shumë raste në shumë shtete të botes që pas përfundimit të luftës një numër i të pa gjeturve vazhdojnë të jenë të zhdukur. Ata përkujtohet nga familjaret ama trupat e tyre nuk janë gjetur. Edhe të ne për fat të keq nuk e besoj se do të arrihet të zbardhet të gjitha rastet e të zhdukurve në luftën e fundit në Kosovë mirëpo nëse nuk arrihet të gjenden personat e pa gjetur nuk do të thotë që mos të kërkohen personat që e kanë shkaktuar gjenocidin”, është shprehur.

Muhamet Kelmendi njohës i çështjeve juridike ka thënë se në platformën që duhet domosdo të përgatitet për të diskutuar më shtetin kriminal serb është edhe çështja e të zhdukurve.

“Ne kemi një energji të rendë kriminale dhe gjenocidiane të shtetit serb të bërë ndaj shqiptareve. Te vriten për disa muaj mijëra veta dhe më mijëra të barten ilegalisht në mënyrë kriminale në vendet e ndryshme të shtetit serb dhe ata mos të gjenden është krim kundër njerëzimit. Nuk është fjala këtu për disa veta po për mbi 1600 shqiptarë të zhdukur. Mos gjetja e tyre është krim. Dhe natyrisht nuk duhet asnjë bisedë të zhvillohet më Beogradin pa gjetjen e tyre dhe pa dhënë llogari” ka thënë Kelemendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, Kosova duhet të kërkojë, përjashtimin nga bisedimet të Vuçiçit dhe të Daciçit, sepse këta ishin pjesëmarrës në krim.

“Këndej duhet futur kompensimin e demit material dhe dëmshpërblimin. Njeherit duhet të jetë në platformë njohja e shtetit të Kosovës. Këto janë çështjet që duhet të vendosen në platforme. Ka edhe tema tjera. I takon Kuvendit të merre pushtetin për ketë çështje”, ka nënvizuar Kelmendi.

Zogaj: Pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk do të duhet jë bëheshin bisedimet

Kurse, analisti Skender Zogaj ka thënë se të pagjeturit janë plaga më e dhimbshme dhe e pafalshme për institucionet e Kosovës dhe partitë politike, të gjitha pa dallim, që këtij problemi kaq të ndjeshëm nuk ia kanë kushtuar aspak vëmendjen e duhur, dhe që e kanë keqpërdorur, për qëllime përfitimesh politike.

Image
Skender Zogaj

“Gabimi më i madh ka ndodhur kur është pranuar dialogu me Serbinë para se të shtrohej çështja e të zhdukurve gjatë luftës, pa të cilët, nuk do të duhej të kishte asnjë lloj bisedimi, sepse, njerëzit janë të ishin vlera kryesore! Por, ja që, ka ndodhur ndryshe, prandaj, jemi kështu siç jemi, me një Kosovë të shpallur të lirë dhe ta pavarur, por në fakt, Kosova nuk është ende dhe as nuk do të mund të jetë përderisa të mos zbardhet fatkeqësia e të gjithë njerëzve që u është shuar jeta aq padrejtësisht” ka thënë Zogaj.

Sipas tij, është vërtetë për keqardhje kur, për të pagjeturit flitet nëpër konferenca shterpe me motivacione politike, ose gjatë fushatave elektorale, kur matrapazët janë më të zëshmit për këtë problem, dhe që, rrahin gjoksin se do ta zgjidhin këtë çështje, ndërsa, pasi të kalojnë zgjedhjet, as edhe një fjalë të vetme më nuk e thonë.

“Të këtillët janë shumë, edhe në Parlamentin e Kosovës, prandaj, nuk na mbetet tjetër por të frikësohemi se krizat varg që po na shoqërojnë mos vallë janë mallkimi që nga zë nga vuajtja e të pagjeturve?! Kam frikë se po!”, ka përfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat