LDK fituese e zgjedhjeve, ja cilat parti shkojnë në balotazh nëpër komuna

Aktuale

LDK fituese e zgjedhjeve, ja cilat parti shkojnë në balotazh nëpër komuna

Më: 22 tetor 2017 Në ora: 07:11
Festa e LDK-së

(E plotësuar) - Si rëndom, procesi i pasqyrimit të votave në uebfaqen e KQZ-së komplikohet. Megjithatë, sipas rezultateve të fundit, pasqyra është kjo:

Në Deçan Bashkim Ramosaj i AAK-së fiton pa balotazh me 63.18 për qind.

Në Gjakovë, pas numërimit të 90 për qind të votave, do të ketë balotazh mes të Ardian Gjinit të AAK-së dhe Mimoza Kusari-Lilës të Alternativës. Gjini ka 40.36 për qind të votave, ndërsa Kusari-Lila 31.82 për qind të votave.

Në Drenas pa balotazh ka fituar Ramiz Lladrovci i PDK-së.

Në Gjilan janë numëruar 74.42 për qind të votave. Ky rezultat e vendos Lutfi Hazirin e LDK-së të parin me 43.56 për qind, ndërsa në balotazh hyn Sami Kurteshi i Vetëvendosjes me 26.86 për qind.

Në Dragash janë numëruar 84.75 për qind e votave e atje do të ballafaqohen Selim Kryeziu i LDK-së (37.94 %) me Shaban Shabanin e PDK-së (28.12%).

Për herë të parë Istogu shkon në balotazh. Nga 87.3 për qind e votave të numëruara, Haki Rugova i LDK-së është ndalur në 43.85 për qind të votave, i ndjekur nga Gani Dreshaj i AAK-së me 37.07 për qind.

Në Kaçanik janë numëruar 82.98 për qind e votave. Aty po zhvillohet garë e ngushtë për vendin e dytë. I pari është Besim Ilazi i PDK-së (39.21%), i dyti Basri Kodra i VV-së (21.69%) e Shkëlqim Jakupi i LDK-së me 19.59 për qind.

Në Klinë kryetari aktual Sokol Bashota i PDK-së do të duhet që edhe për katër javët e ardhshme t’i bindë qytetarët se meriton edhe një mandat. Ai ka marrë 37.48 për qind të votave, ndërsa për balotazh luftojnë Zenun Elezaj i AAK-së me 24.54 për qind të votave dhe Besim Hoti i LDK-së me 24.11 për qind. Në këtë KQZ ka numëruar 83.87 për qind të votave.

Në Fushë Kosovë nuk do të ketë balotazh, pasi Burim Berisha i LDK-së ka fituar mandatin e katërt si kryetar komune me 63.45 për qind kur KQZ ka numëruar 82.22 për qind të votave.

Për herë të parë, VV prin në Kamenicë. Qëndron Kastrati ka fituar 34.28 për qind të votave dhe në balotazh e pret Shaip Surdullin e LDK-së që ka 28.39 për qind të votave. KQZ nga kjo komunë ka numëruar 89.29 për qind të votave.

96 për qind të votave janë numëruar në Mitrovicë. Valdete Idrizi e PDK-së prin ngushtë para Agim Bahtirit të AKR-së. E para ka 29.7 për qind e i dyti 27.13 për qind.

As në Lipjan s’do të ketë balotazh. KQZ ka numëruar 92.68 për qind të votave dhe fitues është Imri Ahmeti i LDK-së me 59.53 për qind të votave.

94.29 për qind të votave janë numëruar në Obiliq. Kryetari aktual Xhafer Gashi i AAK-së është fare pranë kuotës së 50 përqindëshit (49.18%). Nëse Obiliqi shkon në balotazh, do t’i duhet të garojë kundër Mehmet Krasniqit të LDK-së (27.78%).

Në Rahovec prin Smajl Latifi i AAK-së (33.26%) i ndjekur nga Idriz Vehapi i PDK-së (29.68%). Janë numëruar 97.44 për qind të votave.

Ajo që pak kush e ka pritur ka ndodhur në Pejë. Gazmend Muhaxheri i LDK-së ka fituar pa balotazh me 50.31 për qind.

Podujeva për herë të parë hyn në balotazh nëse vazhdon rezultati sikur i 88.29 për qind të votave të numëruara. Agim Veliu i LDK-së prin me 48.42 për qind, i ndjekur nga Agim Potera i VV-së me 29.84 për qind.

KQZ ka numëruar vetëm 76.69 për qind të votave në kryeqytet, Prishtinë. Sipas tyre, Shpend Ahmeti i VV-së prin me 44.52 për qind, ndërsa në balotazh do të përballet Arban Abrashin e LDK-së (35.89%).

Në Prizren janë numëruar 85.84 për qind e votave. Shaqir Totaj i PDK-së është i pari me 30.04, ndërsa në balotazh hyn Mytaher Haskuka i VV-së me 21.92 për qind.

Siç pritej, në Skenderaj kandidati i pavarur Bekim Jashari ka fituar pa balotazh mbi 85 për qind të votave.

Në Shtime do të ketë balotazh mes Naim Ismajlit të PDK-së dhe kandidatit të pavarur Fatmir Rashiti.

LDK-ja që udhëhiqte me Suharekën tani do të hyjë në balotazh si e dyta. Sali Asllanaj i LDK-së do të garojë në balotazh me Bali Muharremajn e AAK-së.

Në Ferizaj, Agim Aliu i PDK-së po udhëheq me rreth 39 për qind të votave, duke lënë prapa Muharrem Sfarqën e LDK-së me të cilin do të përballet në balotazh.

Në Vushtrri me 80 për qind të votave të numëruara, Ferit Idrizi i PDK-së ka 32.82 për qind të votave ndërsa LDK e VV përballen fort për pozitën e dytë. Xhafer Tahiri i LDK-së ka 26.06 për qind të votave, ndërsa Besim Muzaqi ka 25.29 për qind të votave.

Malisheva është komuna e vetme në të cilën në balotazh hyn Nisma. Nisma që udhëheq me këtë komunë në balotazh hyn si e para me Ragip Begajn që ka marrë 39.97 për qind të votave. Ai ndiqet nga kandidati i PDK-së që ka 27.72 për qind të votave.

Vitia është komuna e radhës e cila nuk do të ketë balotazh. Sokol Haliti i LDK-së ka fituar shumicën e nevojshme për t’iu shmangur balotazhit.

Ja cilat parti shkojnë në balotazh nëpër komuna

Demokracia në veprim përmes një konference për media ka bërë të ditur rezultatet preliminare për të gjitha komunat e Kosovës. Në shumicën e komunave pritet të ketë balotazh.

Deçan AAK 63.59, LDK 16.2, LVV 12.99, PDK 4.7 Nisma 0.54

Gjakovë AAK 40.78, Alternativa 31.18 për qind, LVV 12.24, PDK 9.79, LDK 4.02, Nisma 2.53, AKR 1.03 për qind.

Gllogoci  PDK 57.55 për qind, Nisma 24.16, LVV 3.67

Gjilani LDK 43.42, LVV 27.67, PDK 17.34, AAK 8,54, Nisma 1.53, PD 0.85 për qind

Dragashi LDK 35.26, PDK 32,29, Vakat 19.26, Iniciativa Gora 10.18, LVV 5.41, AAK 3,88, Nisma 1.61 për qind.

Istogu LDK 43.46, AAK 36, PDK 8.61 LVV 8.52

Kaçaniku PDK 39.64, LVV 21,48, LDK 17.48

Klina PDK 36.70, AAK 25.70, LDK 24.15, LVV 7.33, Nisma 4.37 për qind, AKR 2.03 për qind

Fushë Kosova LDK 62.39, LVV 19.75, PDK 10.6, AKR 3.56, AAK 2.9, Nisma 1.47

Kamenica LVV 34.82, LDK 28.36, PDK 15.54, AAK 14,54, AKR 7,13, Nisma 2.11

Mitrovica e Jugut PDK 30.32, AKR 25.8, LDK 21.86, LVV 15.84, AAK 1.84

Leposaviqi Lista Serbe 61.68 për qind

Lipjani LDK 56.25, PDK 23.1, LVV 9.43, AAK 6.99, Nisma 4.1 për qind

Novo Bërda  Lista Serbe 52.6 për qind, LDK 30.56. AKR 7.85, PDK 5.73, AAK 3.26 për qind

Obiliqi AAK 46.95, LDK 26.38, PDK 12.34, LVV 8.1, Nisma 1.63, AKR 1.9

Rahoveci AAK 34.48, PDK 28.5, LDK 20.63, LVV 15.68, Nisma 1.40 për qind

Pejë LDK 50.08, AAK 31.95, PDK 9.31, LVV 6.34, Nisma 0.86, Fjala 0.9 për qind

Podujeva LDK 50.08 për qind, LVV 29.34, PDK 17.97, AAK 2.09

Prishtina LVV 44.46 për qind, LDK 35.54, AKR 10.12, PDK 5.76, AAK 3.41, Nisma 0.85

Prizreni PDK 29.66, LVV 22.7, LDK 19.8, AAK 8.68, Nisma 8.11 për qind, KDTP 5.17, NDS 5.29, Fjala 1.08

Në Skenderaj fiton pa balotazh Bekim Jashari, kandidat i pavarur me 83.7 për qind, pasuar AKR 9.32, LDK 3.53 për qind dhe LVV 3.28 për qind

Shtime PDK 34.8 për qind, kandidati i pavarur 24.84 për qind, LDK 19.47 për qind, LVV 14.79 për qind

Shtërpce Lista Serbe 70.54 për qind, PDK 14.98, Iniciativa Qytetare 14.41 për qind

Suhareka AAK 39.44, LDK 33,82, PDK 12,36, LVV 10.87, Nisma 2.7, AKR 1.32 për qind

Ferizaj PDK 39.65, LDK 31.08, LVV 19,91, AAK 4,91

Viti LDK 52,4, LVV 24.33, PDK 19.28, AAK 5.28

Vushtrria PDK 32,09, LVV 27.72, LDK 25.53, AKR 8.14, AAK 5.49, Nisma 2.77

Zubin Potoku Lista Serbe 79.64

Zveçani Lista Serbe 71.59

Malisheva  Nisma për Kosovën 39,95, PDK 27.78, LDK 13.52, LVV 13.15

Juniku AAK 58.36, LDK 22.64, LVV 12.27, PDK 6.68

Mamusha KDTP 56.46

Hani i Elezit Kandidati i pavarur Rufki Suma 58.41 për qind, PDK 32.69

Graçanica Lista Serbe 86.91 për qind, Iniciativa Qytetare 13.09 për qind

Ranilluk Lista Serbe 77.18 për qind, PDS 11.86

Partesh Lista Serbe 61.65, Iniciativa Qytetare 38.35 për qind

Kllokoti Lista Serbe 47.28 për qind, Iniciativa Qytetare 39.48 për qind

Mitrovica Veriore Lista Serbe 63.56 për qind, Iniciativa Qytetare 18.04, PDK 8.8, KAR 8.39 për qind.

Daka:  812 mijë  e 157 votues kanë votuar

“Në bazë të dhënave të dërguara nga qendrat e votimeve nga të gjitha Komunat e Kosovës të cilat janë mbyllur me kohë dhe dalja e votuesve në zgjedhje është  812 mijë e 157 votues apo 43.82 përqind të votuesve duke mos i përfshirë natyrisht edhe votat me kusht të cilat do të numërohen në fund. Krahasuar me zgjedhjet lokale më 3 nëntor 2013-të deri përafërsisht ën të njëjtën kohë votuar 814 mijë e 780 votues apo 45.75 përqind të votuesve .  Deri më tani procesi zgjedhor ka shkuar pa ndonjë parregullsi që do të thotë që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve “, tha Daka.

Ndërsa sa i përket parregullsive që janë raportuar në  media apo ndryshe ‘treni bullgar’ ajo ka hedh poshtë duke thënë se nga informatat jo zyrtare që i ka një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Daka: Nuk ka pasur ‘tren bullgar’

“Sa i përket ‘trenit bullgar’ të ashtuquajtur , kjo çështje ka qenë në duar të policisë dhe prokurorisë dhe policisë dhe jo zyrtarisht mund të ju them se ato flet votime janë gjete dhe nuk ka tren bullgar”, tha Daka. 

Ajo në emër të KQZ-së i  ka falënderuar qytetarët e Kosovës për kulturën e treguar sot, vëzhguesit, Policinë, OSBE-në  e po ashtu i ka falënderuar komisionerët e vendvotimeve për punë që e kanë bërë gjatë gjithë procesin e votimit si dhe ka inkurajuar ata që gjatë .

Gjithashtu ajo ka njoftuar se nga ora 19:00  ka filluar të rrjedh afati 24 orësh për paraqitje të ndonjë ankese në Panelin Zgjedhor të Ankesave lidhur me procesin e votimit dhe numërimin në vendvotim.

Exit Poll: Ja cilat parti shkojnë në balotazh në komunat kryesore

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në konferencën për media ka bërë të ditur se nga të gjitha të dhënat e marra nga qendrat e votimit që janë mbyllur me kohë, në zgjedhjet e sotme lokale kanë dalë 43.82 për qind e votuesve, duke mos përfshirë votat me kusht që do të numërohen më vonë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka falënderuar qytetarët për maturinë e treguar gjatë zgjedhjeve, duke thënë se procesi zgjedhor ka shkuar pa ndonjë parregullsi që do të ndikojë në zgjedhje.

“Nga ora 19.00 rrjedh afati për paraqitjen e ankesa në PZAP. Për konferencën e radhës për shpalljen e rezultateve preliminare mediat do të njoftohen me kohë”, ka thënë Daka.     

Daka ka thënë se KQZ nuk ka pasur njohuri për ndërprerjen e rrymës në Pestovë, ndërsa sa i përket të ashtuquajturit “tren bullgar” është thënë se fletëvotimet janë gjetur dhe se nuk ka tren bullgar.

Sipas exit pollit, LDK do të shkoj në katër Komuna të mëdha në balotazh, duke e përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Ferizajn dhe Pejën. Lëvizja “Vetëvendosje” do të jetë në garë të balotazhit në Prishtinë, Gjilan dhe Prizren, PDK në Prizren dhe Mitrovicë, ndërsa AAK në Pejë dhe Gjakovë.

Edhe kandidatja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, do të jetë në garë të balotazhit në Gjakovë, madje duke prirë para kandidatit të AAK-së. Në Mitrovicë do të jetë në garë të balotazhit Agim Bahtiri i AKR-së. 

Image
Klikoni mbi foto dhe mund ti shikoni rezultatet në kohë reale

Rezultatet e Exit Pollit.

Komuna e Prishtinës në zgjedhjet komunale të 2017-ës do të shkoj në balotazh, kështu kanë treguar të dhënat e EXIT POLL.

Kandidati i VV-së Shpend Ahmeti do të përballet me kandidatin e LDK-së, Arban Abrashi, për të parin e kryeqytetit, derisa PDK ka shënuar rezultatin më të ulët që nga ekziston.

Gjilani do të shkojë në balotazh.

Kështu të paktën, sipas EXIT POLL-it.

Për njërin nga qytetet më të rëndëishme në Kosovë do të përballen Lutfi Haziri i LDK-së dhe Sami Kurteshi i Vetëvendosjes.

Ferizaj do të shkojë në balotazh.

Atje në balotazh do të jenë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Kështu të paktën, sipas EXIT POLL-it.

Gjakovë Alternativa –AAK

Mitrovicë PDK – AKR

Prizren PDK – VV

Peja nuk dihet nëse shkon në balotazh apo jo

---

Ashtu edhe siç është paraparë, ka filluar mbyllja e vendvotimeve në gjithë Kosovën.

Përndryshe, në gjithë Kosovën kanë qenë 899 qendra votimi, ku 1 milion e 890 mijë e 952 persona me të drejt vote kanë pasur mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal.

Deklarohet KQZ: Deri në ora 15 pjesëmarrja e votuesve 29,19%

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se në bazës të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga qendrat e votimit nga të gjitha komunat e Kosovës deri në orën 15:00 , kanë votuar gjithsej 532 mijë 288 votues.

Ajo po ashtu ka theksuar se deri tani procesi i votimit është duke shkuar mirë dhe pa incidente.

Daka: Deri në ora 15:00 votuan mbi 532 mijë qytetarë

“Në bazë të të dhënave të dërguara në mënyrë elektronike nga qendrat e votimit për të gjitha komunat e Kosovës deri në orën 15:00 , kanë votuar gjithsej 532 mijë 288 votues apo 38.89 të votuesve . Krahasuar me zgjedhjet lokale të datës 3 nëntor të 2013-tës , deri përafërsisht në të njëjtën kohë kanë votuar 568 mijë e 709 votues apo 31.96 përqind. Gjithashtu mund të ju informoj se deri më tani procesi i votimit është duke shkuar me rregull, duke i marrë parasysh disa çështje të vogla aty- këtu në terren “, tha Daka.

Daka  paralajmëroi se në orën 20:00 do të mbahet mbledhja e radhës e KQZ-së ku  do të njoftojnë për numrin e votuesve dhe për procesin zgjedhor në përgjithësi.

Image

Probleme në disa qendra, ja pjesëmarrja e votuesve deri në orën 12 sipas DnV-së

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka paraqitur raportin e dytë për procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot për zgjedhjet lokale, ku ka identifikuar disa parregullsi që kanë ndodhur nëpër qendrat e votimit.

Megjithatë, pavarësisht këtyre parregullsive, ato nuk po e prishin procesin në tërësi.

Albert Krasniqi nga DnV-ja tha se raportin që kanë marrë nga vëzhguesit e tyre në terën jep të dhëna për procesin deri në orën 12:00.

Ai tha se deri në orën 12:00, kanë votuar 276 mijë e 342 qytetarë me të drejtë vote ose shprehur në përqindje 14. 61 përqind e të gjithë votuesve.

Sipas raportit të DnV-së, tri komunat me përqindjen më të lartë të daljes është Kllokoti, Mamusha dhe Leposaviqi. Ndërsa, komunat me daljen me të ulët deri në orën 12, janë Skenderaj me 9.3 përqind, Dragashi me 10. 8 përqind dhe Rahoveci me 11. 2 përqind.

Krasniqi: Ka tentime për të votuar me shumë se një herë

“Sa i përket parregullsive që kemi evidentuar deri në orën 12:00 kanë të bëjnë me tentimet për të votuar me shumë se një herë, që janë 26 raste në 9 vendvotime që kanë ndodhur, dhe prinë Ferizaj me 13 raste, Mitrovica me 8 dhe Prizreni me dy. Kemi edhe raste që po na shoqërojnë në zgjedhje, por që është me i ulët se zgjedhjet e kaluara parlamentare, është votimi familjarë, ose kur me shumë se një person qëndron prapa kabinës së votimit. Gjithsejtë janë identifikuar 1967 raste, në 338 vendvotime ose një dukuri që ka prekur 13.5 për qind të të gjitha vendvotimeve të hapura në Kosovë. Këto raste prinë Gjakova me 330 raste, Ferizaj me 208 dhe Lipjani me 138. Fotografimi i votës është evidentuar në 138 raste, që në përqindje në nivel të përgjithshëm është 3.8 për qind”, tha Krasniqi.

Krasniqi shtoi se vështirësitë e votuesve për të gjetur emrin në listën votuese është një dukuri tjetër e cila ka rol në zgjedhje. Po ashtu, ai theksoi se parregullsi tjera që kanë evidentuar janë edhe defekte teknike në fletëvotime pasi ka pasur viza për ta sugjeruar një subjekt të caktuar për ta votuar.

Krasniqi: Në fletëvotime në Drenas u gjenden shenjëzime për ta votuar Nismën

“Sa i përket parregullsive tjera përveç atyre që ne ju kemi informuar deri me tani, kanë të bëjnë me qendrën e votimit në shkollën “Luigj Gurakuqi” në Drenas, ku në këtë vendvotim janë vërejtur disa fletëvotime që kanë pasur defekte teknike dhe ka qenë një vizë e vendosur para Nismës për Kosovës që ka qenë një mënyrë për ta sugjeruar votuesin për ta votuar atë subjekt politik. Ky deng i fletëvotimeve është tërhequr prej votimeve nga ana e komisionerëve. Pastaj, në qendrën e votimit 1121B në shkollën ‘Mehë Uka’ në Mitrovicë një person është lejuar të votojë me dokument të fotokopjuar pasi nuk e ka pasur dokumentin origjinal. Pastaj në Shkollën ‘Asim Vokshi’ në Prishtinë, një votues ka raportuar se ka gjetur emrin e tij të nënshkruar se dikush ka votuar paraprakisht. Ndërsa në shkollën ‘Ndre Mjeda’ në Istog një komisioner i VV-së është paraqitur me identitet të rremë, i njëjti është identifikuar dhe është larguar nga vendvotimi”, u shpreh ai.

Megjithatë, Krasniqi u shpreh se këto parregullsi të evidentuara nuk e prishin procesin zgjedhor në tërësi.

***

Autoritetet e rendit kanë konfirmuar se në pikën kufitare në Jarinje, ka ndaluar një autobus i cili hynte nga shteti serb, në Republikën e Kosovës, pasi aty kanë hasur në disa mjete të dyshimta, që dyshohet të jetë eksploziv plastik.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë tha se tashmë janë arrestuar tre persona të nacionalitetit serb.

“Autobusi është ndaluar në pikën kufitare në Jarinje. Pasi ka kanë hasur në disa mjete të dyshimta, që dyshohet të jetë eksploziv plastik. Si rezultat i veprimit të Policisë janë shoqëruar në stacion policor tre persona të nacionalitetit serb për intervistim, dhe gjitha veprimet tjera do të ndermirën në konsultim të ngushtë me prokurorët kompetentë’’, tha Kelani.

Kelani tha se tashmë janë njoftuar edhe njësitet relevante të Policisë që merren me trajtimin e materieve shpërthyese për hetim të mëtejmë të autobusit.

Dy raste të fotografimit të fletëvotimit në Ferizaj

Në qendrën e votimit 2501Y në shkollën fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj janë evidentuar dy raste të fotografimit të fletëvotimit.

Rasti i parë ka ndodhur në orën 8:30 ndërsa i dyti tri orë më vonë.

Rastet janë raportuar në polici por nuk është ngrit kallëzim penal ndaj të dyshuarve.

Prokurori Shukri Jashari thotë se ata janë liruar në mungesë provash.

“Rasti i parë ka qenq i lajmëruar në polici për fotografim vote. E kam intervistuar të dyshuarin i cili është dyshuar se e ka fotografuar vetëm fletën e votimit pa votë por nuk kemi pasur dëshmi për me e mbajtë, ndërsa rasti i dytë po ashtu është dyshu se ka fotografu votën, por fletvotimi i tij është shpall i pavlefshëm sepse i ka votuar dy subjekte politike”, tha Jashari.

Vëzhguesit kryejnë punë komisionerësh në Pejë

Në Pejë në vendvotimin 1704X/03R vëzhguesit po kryejnë punën e komisionerëve.

Në Shkollën “8 Marsi” të Pejës ku është i vendosur vendvotimi 1704X/03R për shkka të mosparaqitjes së një komisioneri të Lëvizjes vetëvendosje, vëzhguesit e partive po e kryejnë punën e tij.

Kohë pas kohe në këtë vendvotim vëzhguesit e subjekteve politike po i zëvendësojnë komisionarët, duke u dhenë votuesve fletat e votimit.

Vëzhguesit po rrinë edhe te kutia e votimit dhe po i hapin ato kur dikush po e vendos votën, edhe pse kjo punë është e komisionerëve.

Në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme aty ku përshkruhet detyrat dhe përgjegjësitë e vëzhguesve thuhet se ata nuk ndërhyjnë në mbajtjen e zgjedhjeve dhe respektojnë fshehtësinë e votimi

Kandidati për asamblist nuk lejohet të votojë

Kandidati për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori ka raportuar se në fshatin Sankoc të komunës së Drenasit një qytetar nuk është lejuar të votojë.

Drenori ka thënë se ky qytetar është kandidat për asamble nga subjekti i tij, Vizioni për Drenasin.

“Në Sankoc po pengohet me votu kandidati për asamblenë komunale nga Vizionit për Drenasin. Kërkojmë urgjent ndërhyrje nga organet gjegjese”, ka shkruar Drenori.

Fotografim votash në Prizren

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala tha se në Prizren janë evidentuar raste të fotografimit të votave.

Kryeprokurori i Prizrenit Admir Shala tha për KALLXO.com se në Prizren ka pasur fotografime të votave.

“Katër raste i kemi të fotografimit të votës, 3 janë në Shkollën ’11 Marsi’, e një në Shkollën ‘Mustafa Bakija’”, tha kryeprokurori Shala.

Shala më tutje deklaroi se tre persona në Prizren janë të ndaluar.

Ndalimin e tre personave deri në orën 13:00 në lidhje me shkeljet zgjedhore e ka konfirmuar edhe Prokuroria e Shtetit.

Në këtë komunë dolën më së paku njerëz të votojnë deri më tani

Dikur ishte një nga komunat me dalje me të lart në zgjedhje, por sot dalja e votuesve atje është mjaft e ulët.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Komuna e Skenderajt ka daljen me të ulët të qytetarëve për të votuar deri tani.

Deri tani nga mbi 54 mijë qytetarë me të drejt vote, kanë votuar vëtëm mbi 3 mijë votues apo 6 për qind.

Këto janë komunat me daljen më të madhe të qytetarëve në votime

Në të gjitha komunat e Kosovës është duke u mbajtur procesi i votimit të zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, dalja e qytetarëve në votime deri në orën 11:00 deri në ora 11 kanë votuar 182 mijë qytetarë, apo 10.05 për qind.

Ndërsa sa i përket përqindjes së daljes në votime në komuna, në komunat me shumicë serbe deri më tani dalja e qytetarëve është me e madhe, shkruan lajmi.net.

Para tyre prinë Mamusha e dominuar me qytetarë të komunitetit turk.

Ndërsa komuna me shumicë shqiptare që ka daljen më ta madhe të qytetarëve në votime është Hani i Elezit.

Komunat me daljen më të madhe të qytetarëve në votime deri më tani: Mamusha 23,48%, Kllokot 21,25%, Leposaviq 18,45%, Hani i Elezit 15,53%, Shtërpce 15,44%.

Policia gjen eksplozivë e granata në pikën kufitare në veri

Policia kufitare në Jarinje, pikën kufitare në pjesën veriore të Kosovës, ka ndaluar një kamion në të cilin janë gjetur eksplozivë dhe disa granata dore.

Kamioni ka qenë duke hyrë nga Serbia në Kosovë

Lajmin për kallxo e ka konfirmuar kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla.

“Sipas informacioneve të para, është ndaluar një kamion që dyshohet për bartje të eksplozivëve dhe disa granatave të dorës. Janë arrestuar tre persona”, tha kryeprokurori Syla.

Tre të ndaluar

Prokurori i Shtetit, njofton opinionin publik që deri në ora 12 në tërë territorin e Kosovës, janë raportuar dy raste me tre persona të ndaluar, lidhur me procesin zgjedhor që është duke u zhvilluar sot.

Dy persona janë ndaluar si të dyshuar për kryerje të veprës penale nga neni 215, “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, i Kodit Penal i Republikës së Kosovë. Ndërsa, një person është ndaluar me dyshimin për kryerje të veprës penale nga neni 220, “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, i Kodi Penal të Republikës së Kosovës.

Dy të ndaluarit e parë janë nga Komuna e Parteshit, ndërsa i ndaluari i tretë është nga Komuna e Mitrovicës së Jugut.

Prokurori i Shtetit në vazhdimësi do të njoftojë opinionin publik me të gjitha veprimet që do të ndërmerr lidhur me mbrojtjen e votës.

KQZ, Policia dhe Prokuroria: Procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme

Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e kanë vizituar sot ambasadori i SHBA në Kosovë Greg Delawie, Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kishte kënaqësinë që të ketë mysafirë në dhomën operative të KQZ-së, ambasadorin Delwie, kryeprokurorin Lumezi dhe drejtorin e Policisë, Maxhuni.

“Tani për tani nuk kemi ndonjë informatë për parregullsi në zgjedhje. Zgjedhjet janë duke shkuar me një qetësi”, tha Daka.

Kryeprokurori Lumezi tha se se procesi i zgjedhjeve është duke shkuar mirë.

“Është një ditë e qetë. I treguam ambasadorit amerikan se do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe të drejtën e votës. Jemi koordinuar edhe me policinë”, tha Lumezi, duke bërë të ditur se deri tash ka vetëm një të ndaluar.

Edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni tha se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme.

“Policia ka një plan për ditën e zgjedhjeve. Kemi angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor”, tha Maxhuni.

Ndërsa, Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile të Republikës së Kosovës, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria.

Ndërrohet një kuti me vrima në “Faik Konica”

Në një nga qendrat më të mëdha të vendvotimeve ” Faik Konica” në Prishtinë ka pasur një fluks të qytetarëve që kanë shkuar për të votuar. Përveq qyetarëve kanë votuar edhe zyrtarë instucionesh në mesin e tyre ka qenë edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pastaj edhe kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës Shpend Ahmeti.

Pritet që te votojnë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli më pas edhe lideri i NISMA-së Fatmir Limaj.

Të drejtë vote kanë 8 mijë e 13 votuesë ndërsa deri tash kanë votuar 699. Menaxherja e kësaj qendre tha se qytetarët kane filluar të votojnë qysh në orën 7 të mengjesit. “Në mëngjesin e hershem ka qenë një kuti gabim teknik, ka pasur dy vrima por ajo brenda dy minuta është ndërruar” ka theksuar ajo.

10.05 për qind e qytetarëve votuan deri në orën 11

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka njoftuar se deri në orën 11 kanë votuar 182 mijë e 40 qytetarë ose në përqindje 10.05 për qind.

Daka ka njoftuar se në zgjedhjet e kaluara deri në orën 11 kanë votuar 12 për qind e qytetarëve.

Kërcënohet komisioneri shqiptar në Mitrovicë, detyrohet të braktisë vendvotimin

Eroll Gashi, komisioner nga radhët e PDK-së është kërcënuar nga kryesuesi i vendvotimit B11 në Qendrën e votimit ‘Sveti Sava’ në veri të Mitrovicës, me ç’rast është detyruar ta braktisë vendvotimin.

Ai ka bërë të ditur se nuk ka lejuar që i njëjti person të votojë dy herë në këtë vendvotim, prandaj edhe është kërcënuar.

“Kam vërejtur se një qytetar po tenton të votojë për herë të dytë në vendvotimin B11 ku isha komisioner, dhe nuk kam lejuar një gjë të tillë. Kryesuesi i këtij vendvotimi më është ofruar duke më thënë “marsh ti, me mua do të kesh punë” dhe ka dalë jashtë ka biseduar edhe me disa persona tjerë. Kam informuar përfaqësuesit e OSBE-së në këtë qendër se jam i detyruar të braktis vendvotimin nga frika prej personave të panjohur”, ka thënë Gashi.

DnV: Përleshje fizike në Graçanicë, dy arrestime në Kllokot

Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ ka njoftuar se në shkollën “Kralj Milutin” në Komunën e Graçanicës, gjatë procesit të votimit ka ndodhur një përleshje fizike në mes të disa votuesve, për çka ka ndërhyrë policia duke i shoqëruar në stacion policor këta votues.

Sipas DnV-së, ky incident nuk ka ndikuar në pengimin e procesit të votimit dhe mund të cilësohet si incident i izoluar. Gjithashtu njoftohet se një anëtar nga radhët e Listës Serbe është arrestuar nga policia për shkak se para qendrës së votimit “Sveti Sava” në Kllokot ka tentuar të ndikoj tek votuesit duke i orientuar se kë ta votojnë. Po ashtu në këtë qendër të votimit, policia ka arrestuar edhe një komisioner nga radhët e Gradanska Iniciativa për shkak se qëllimshëm ka dëmtuar kutinë e votimit duke e goditur atë.

Thaçi inkurajon qytetarët të dalin të votojnë masivisht

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi së bashku me bashkëshorten, Lumnije Thaçi dhe djalin Endritin, kanë kryer obligimin qytetar, duke votuar kështu për zgjedhjet lokale që po mbahen sot në vend.

Thaçi , e ka vlerësuar këtë ditë si ditë shumë të veçantë dhe të rëndësishme për qytetarët duke i inkurajuar që të dalin dhe të votojnë në mënyrë sa më masive.

Thaçi: Është fillim i mbarë sot

“I uroj qytetarët e  Kosovës për këtë ditë të veçante , gjithashtu dëshiroj të i inkurajoj për  votim më masiv, pjesëmarrje aktive dhe dinamike në këtë proces zgjedhor të rëndësishëm , për qeverisjen e ardhshme lokale katër vjeçare. Dëshiroj të falënderoj KQZ-në dhe gjithë mekanizmat që kanë punuar me përkushtimin më të madh për organizimin e zgjedhjeve , fer të lira dhe demokratike . Është një fillim i mbarë i ditës sot , shpresoj dhe besoj që gjithë mekanizimi politik , shoqëria civile, mediat , KQZ-ja, gjithë vëzhguesit vendor dhe ndërkombëtar do të jenë në krye të përgjegjësive të tyre që edhe ky proces i rëndësishëm, test i demokracisë për Kosovën të përmbyllet suksesshëm.” tha Thaçi.

Presidenti ka votuar në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë.

Pasolli: Sot vendoset për perspektivën e rinisë

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, pasi ka votuar, tha se sot vendoset për të ardhmen e rinisë.

Madje, kreu i AKR-së, theksoi se do të duhet t’i dedikohet krejtësisht rinisë.

Pacolli: Këtë ditë duhet t’ia dedikojmë rinisë

“Unë do të thosha që kjo ditë është dashur dhe duhet t’i dedikohet rinisë. Sot vendoset për ardhmërinë e rinisë, çdo gjë që bëjmë mendoj se duhet të jetë i koncentruar të gjeneratat e rinisë. Unë i ftoj të dalin të votojnë për ardhmërinë, të votojnë për një jetë me të mirë, të votojnë për një perspektivë për rininë tonë”, tha Pacolli. Pacolli me tutje shtoi se kjo ditë e zgjedhjeve komunale është ditë e rëndësishme për të gjithë.

Image
Behgjet Pacolli

Haradinaj: Me votën tuaj, ndikoni në zhvillimin e vendit

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, pasi votoi për zgjedhjet lokale, tha se Kosovën e presin shumë punë dhe se vetëm me punë, Kosova shkon kah zhvillimi dhe rritja e gjithmbarshme.

Ndërsa tha se kjo rritje kërkon rolin aktiv dhe votën e qytetarit.  I pyetur se me cilat dokumente duhet të votohet, ai tha se votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Haradinaj: Kosovën e presin shumë punë, me votën tuaj ndikoni në zhvillimin e vendit

“Sot edhe unë e kreva obligimin qytetar së bashku me Anitën. Pra votuam për asamblenë komunale. Votuam për kryetar komune. I ftoj qytetarët e vendit të gjithë të dalin të votojnë. Kosovën e pret shumë punë, një pjesë  e punëve të rëndësishme ndodhin në komuna.  Janë me rëndësi komunat. Pra kryetarët e komunave, asambletë komunale.  Vetëm me punë mund të shkojmë  kah zhvillimi dhe kah rritja e gjithmbarshme e vendit. Dhe kjo rritje kërkon dhe rolin aktiv të qytetarit, pra votën e qytetarëve. Pra votoni të gjithë...Kosova  është republika e Kosovës dhe votohet me dokumente të Kosovës”, tha ai.

Edhe bashkëshortja e kryeministrit Anita Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, për ata që punojnë për ndryshimin e Kosovës.

Haradinaj: Votoni për ndryshimin në Kosovë

“I ftoj dhe iu bëjë thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën  e tyre të votojnë, për kuvendet komunale, për kryetarët e komunave, për ata që punojnë për ndryshimin në Kosovë“, tha ajo.

Incident në Kllokot, arrestohen dy komisionerë

Dy komisionerë të një vendvotimi në komunën e Kllokotit janë ndaluar nga policia pasi kanë prishur rendin në vendvotim.

Kallxo mëson se në këtë qendër gjatë incidentit është rrëzuar edhe kutia e votimit.

Lajmi është konfirmuar nga kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku.

“ E kemi një rast ku janë përfshirë dy komisionerë në Kllokot. Njëri është ndalë pasi që ka goditur kutinë e votimit ndërsa rasti tjetër është në të njëjtin vend komisioner tjetër u ka treguar votuesve se si të votojnë”, tha Maloku.

E gjitha ka ndodhur kur njëri nga anëtaret u ka treguar votuesve kë të votojnë dhe komisioneri tjetër nga pakënaqësia ka goditur kutinë e votimit dhe e ka përplasur në tokë.

DnV raporton për problemet gjatë procesit të votimit, kërkon sqarime nga KQZ

Alber Krasniqi nga Demokracia në Veprim në një konferencë ka raportuar për disa probleme që kanë ndodhur nëpër qendra të votimit, qysh në orët e para të procesit.

Ai ka thënë se disa qendra të votimit nuk janë hapur me kohë, kështu duke veçuar rastin në Deçan.

Janë 6 raste ku në pesë venvotime në Deçan dhe një në Mitrovicë. Në 2.4 përqind ka munguar materiali zgjedhor, rastet më të shprehura në Deçan me vulat.’’, ka thënë ai.

Ai lidhur me ngatërresat e vulave në komunën e Deçanit ka thënë se ato fletëvotime me të cilat qytetarët kanë votuar mund të shpallen të pavlefshme, dhe se KQZ duhet të japë sqarime pse ndodhën këto gjëra.

Ai tutje ka shpalosur edhe telashe të tjera gjatë procesit të votimit, duke përmendur faktin që personave me aftësi të kufizuara nuk u është dhënë qasja për votim në të gjitha qendrat.

Arbër Vllahiu me bashkëshorten nisen për të votuar, ju ndodh diçka e papritur

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Arbër Vllahiu dhe bashkëshortja kanë shkuar për të votuar.

Vllahiu votoi në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë.

Mirëpo, gjatë procesit të votimit gruas së tij i ka ndodhur diçka e papritur, ka harruar letërnjoftimin në shtëpi dhe në këtë mënyrë nuk është lejuar të votojë.

Image
Vllahiu me bashkëshorten

Kurti voton, kjo është porosia e tij për qytetarët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka votuar para pak çastesh në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Në një prononcim për gazetar ai ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Posa e ushtrova të drejtën demokratike si banorë i kryeqytetit moti është i ngrohtë dita është e bukur qytetarëve ju ka ardh vera kah dera, unë ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë votën e tyre” ka thënë Kurti para gazetarëve.

Të gjitha qendrat e votimit në Kosovë janë hapur në ora 07:00, dhe deri më tani policia ka konfirmuar se ky proces zgjedhor është duke ecur qetë.

Image
Albin Kurti

Mustafa: Qytetarët të votojnë për ta forcuar qeverisjen lokale dhe demokracinë në vend

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pasi votoi për zgjedhjet lokale, theksoi se sot është një ditë mjaft e rëndësishme për Kosovën dhe është një ditë ku qytetarët vendosin për qeverisjen lokale, për kryetar komunash dhe për këshilltarët të kuvendeve komunale për të votuar.

Mustafa kërkoi që të gjithë qytetarët të dalin të votojnë për ta forcuar qeverisjen lokale dhe demokracinë e vendit. 

“Unë shpresoj që qytetarët do të zgjedhin më të mirët, në mënyrë që ta forcojmë qeverisjen, qeverisjen lokale, ta forcojmë demokracinë në vend. Është në vullnetin e qytetarëve që ata me verdiktin e tyre t’i ndihmojnë demokratizimit të vendit dhe zhvillimit të tij. Unë uroj që të gjithë qytetarët sot të dalin dhe të votojnë, të japin votën e tyre për ata që qytetarët mendojnë se vërtet në këtë rast meritojnë votën e tyre”, theksoi Mustafa.

Image
Mustafa me bashkëshorten e tij

Daka sqaron ngatërresat që ndodhën në qendrat e votimit në Deçan

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka sqaruar vonesën e votimin në dy qendra të vendvotimit në Deçan. Daka tha se deri në këto zgjedhje vulat kanë qenë uniforme ndërsa këtë herë KQZ-ja e ka bërë secilin vendvotim me vulë të veçantë, për këtë arsye në dy qendra të vendvotimit janë ngatërruar vulat dhe pasi janë kthyer procesi ka vazhduar të rrjedhë pa ndonjë parregullsi.

“Dy vula janë ngatërru sepse deri në këto zgjedhje vulat kanë qenë uniforme, për me ngrit sigurinë në vendvotime ne e kemi bërë për secilin vendvotim vulën e veçantë. Janë ngatërru dy vulat në dy vendvotime edhe deri sa janë kthy prap ato vula (sepse nuk ka vula të dyfishta është vetëm një vulë për secilin vendvotim), është blloku procesi dhe tash çdo gjë është në rregull”- tha Daka.

Bëhet fjalë për qendrën e vendvotimit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” dhe një qendër tjetër po në këtë komunë.

“Vulat janë kthy dhe votimi po vazhdon me qenë në rregull, në ora 08:10 të gjitha qendrat në Deçan kanë qenë pa asnjë parregullësi”- tha Daka.

***

Kallxo ka konfirmuar se "pështjellimi" i cili ka ndodhur me vulat në komunën e Deçanit, në fshatin Carrabreg, është tejkaluar para pak minutash.

Lajmi për zhbllokimin e procesit të votimit është konfirmuar nga Xhavit Rexhahmetaj kryesues i KKZ në këtë komunë. Ai ka thënë se vonesa ka zgjatur rreth gjysmë ore, mirëpo sipas këtij të fundit kjo nuk paraqet problem shumë të madh.

Në nisje të procesit u raportua për vonesa si pasojë e ngatërresave rreth vulave në Komunën e Deçanit. Ndërsa në konferencën e KQZ-së, Valdete Daka, kryetare e këtij institucioni ka thënë se të gjitha qendrat janë hapur në kohë ndërsa e ka përmendur vetëm vonesën e një liste zgjedhore në Mitrovicën e jugut.

Imeraj: Në Deçan një pjesë e procesit të votimit është bllokuar

Shkodran Imeraj, kandidat i Nisma për Kosovën për kryetar të Komunës së Deçanit përmes një njoftimi ka lajmëruar se në Deçan një pjesë e procesit të votimit është bllokuar, për shkak të ngatërrimit të vulave nga ana e KQZ-së. Bej thirrje për proces korrektë dhe transparentë.

Gabimet e tilla janë të pa kuptimta, dhe mendoj së do të ndikojnë në mbarëvajtjen e rregullt të procesit të votimit në Komunën e Deçanit.

Në ora 12:00, Nisma për Kosovën do të mbajë konference për media në zyrën e partisë që gjendet në rrugën e vjetër të Deçanit në afërsi të Xhamisë së vjetër të Deçanit.

Image
Pamje nga konferenca e KQZ-së

Daka: Vendvotimet u hapën në ora shtatë, raportohet për një parregullsi në Mitrovicë

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka përmes një konference të shkurtër për media ka njoftuar se janë hapur të gjitha vendvotimet nëpër Kosovë, derisa tregon për një problem me listat e votuesve në Mitrovicë të Jugut,

Në konferencë për media ajo ka thënë se në vendvotimin në shkollën “Bislim Hajdari” ka munguar lista përfundimtare e votuesve.

Konferenca e radhës do të jetë në orën 11:30.

Në zgjedhjet lokale janë të regjistruar 1 milion e 890 mijë e 952 qytetarë me të drejtë vote, në 899 qendra votimi me 2505 vendvotime.

Në garë për kryetar komune janë 204 kandidatë në 38 komuna të Kosovës.

Që nga ora 7:00 e mëngjesit të sotëm e deri në orën 19:00 do të jenë të hapura qendrat e votimit për qytetarët me të drejtë vote.

Zgjedhjet e 22 tetorit do të monitorohen nga rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara, OJQ-të vendore, organizatat ndërkombëtare, ambasada, media vendore dhe ndërkombëtare.

Fluks më i madh i votuesve në Gjakovë

Në qendrën më të madhe të votimit në Gjakovë, përkatësisht në shkollën “Yll Morina”, kanë filluar votimet me pak vonesë.

Kryesuesi i këtij vendvotimi, Berat Metullahu ka thënë se po shihet një disponim i mirë në këtë qytet për votime.

“Fluksi në krahasim me zgjedhjet e kaluara është më i madh dhe po shihet një disponim nga qytetarët”. “Është gati është numri 17 mijë është rritur numri nga zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Metullahu.

Në Ferizaj procesi zgjedhor nis pa probleme

Ganimete Konjufca, menaxhere e qendrës së votimit në shkollën ”Ahmet Hoxha” në Ferizaj, ka thënë se procesi i votimit ka filluar me rregull.

Konjufca ka thënë se në këtë pikëvotim, nuk ka munguar asnjë material apo ndonjë anëtar të cilët janë angazhuar për këtë proces të sotëm të zgjedhjeve lokale.

Drenasi nis pa probleme procesin zgjedhor

Është hapur edhe qendra më e madhe e votimit ne Komunën e Drenasit me gjithësej pesë pika votimi, Shkolla ‘’Rasim Kiçina’’.

Qendra e votimit është hapur në orën 07.00 dhe gjithçka ka filluar me rregull.

Tashmë kanë kryer obligimin e tyre qytetar edhe votuesit e parë në këtë qendër. Në këto orë të para të mëngjesit vërehet një fluks më i madh i votuesve.

Menaxheri i kësaj qendre, Shefqet Bytyçi, ka treguar se në këto minuta të para gjërat po shkojnë ashtu si është planifikuar.

Në këtë qender votimi kanë të drejtë vote 4076 votues.

Qendra më e madhe e votimit në Gjilan hapet me kohë

Shkolla “Abaz Ajeti” në Gjilan që është edhe qendra më e madhe e votimit në këtë qytet është hapur me kohë, pra saktësisht në orën 07:00.

Këtë e ka konfirmuar edhe menaxheri i kësaj qendre të votimit, i cili ka treguar se në këtë qendër votojnë rreth 7532 persona me të drejtë vote.

Menaxheri i kësaj qendre ka treguar poashtu se gjithçka ka shkuar si duhet në hapjen e kësaj qendre të votimit dhe sjelljen e materialit jo senzitiv dhe senzitiv.

DnV nuk ka dhënë informata të sakta nëse janë hapur të gjitha qendrat e votimit në gjithë rajonin e Anomoravës.

Daka: Është ditë feste për Kosovën

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pasi ka votuar në Prishtinë, i ka ftuar të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.

“Atë herë sot është një ditë e bukur, 22 tetori, është ditë feste për Kosovën. Shpresoj që të gjithë qytetarët me të drejt vote do ta shfrytëzojnë këtë të drejt dhe do ta marrin fatin e tyre në duart e veta. Edhe një herë i ftojë të gjithë qytetarët e Kosovës me të drejt vote, që të votojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejt”, ka thënë ajo.

E pyetur për numrin e madh të zyrtarëve policor në veri të Mitrovicës, ajo ka thënë se kjo është procedurë e rregullt, ku Policia e Kosovës e bën planin e vet por se KQZ nuk pret asnjë incident në atë pjesë.

Image

Hapen të gjitha qendrat në Mitrovicë

Në veri të Mitrovicës ashtu siç është paraparë të gjitha shtatë qendrat e votimit janë hapur me kohë.

Janë 21.797 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në 27 vendvotime.

Në katër komunat veriore janë gjithsejtë 44 qendra të votimit me 86 vendvotime. Ndërsa, të drejt vote kanë 57.013 persona.

Përndryshe, në gjithë Kosovën janë 899 qendra votimi ku 1 milion e 890 mijë e 952 persona me të drejt vote kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal.

***

Hapja e vendvotimeve në këto momente po ndodhë edhe në veri të Mitrovicës, ku të drejt vote kanë 21.797 persona.

Ata do të votojnë në shtatë qendra të votimit, përkatësisht në 27 vendvotime.

Në katër komunat veriore janë gjithsejtë 44 qendra të votimit me 86 vendvotime. Ndërsa, të drejt vote kanë 57.013 persona.

Përndryshe, në gjithë Kosovën janë 899 qendra votimi ku 1 milion e 890 mijë e 952 persona me të drejt vote kanë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal.

***

Mbi 2500 vendvotime në 899 qendra votim, në gjithë territorin e Kosovës hapen zyrtarisht në këto momente.

Janë 1 milion e 890 mijë e 952 persona me të drejt vote që kanë mundësi të votojnë zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokal.

Materialet sensitive shpërndahen nëpër vendvotime

Materialet sensitive tanimë janë shpërndarë nëpër qendrat e votimit, përkatësisht nëpër vendvotime.

Këto materiale kanë qenë nëpër qendra komunale të KQZ-së.

899 qendra të votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në ora 19:00, ndërsa do të votohet në 2505 vendvotime.

Kosova sot zgjedh përfaqësuesit e institucioneve komunale

Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, sot duke filluar nga 07:00 do të mund të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit komunalë, kryetarët dhe asambletë komunale, në 38 komuna të Kosovës.

899 qendra të votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në ora 19:00, ndërsa do të votohet në 2505 vendvotime.

Në këto zgjedhje garojnë 204 kandidatë për kryetar komunave dhe 6887 kandidatë për asambletë komunale.

Në këto zgjedhje janë certifikuar 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur për kryetar komune apo për kuvende komunale.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.890.952 votues.

KQZ ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitje për mirëmbajtjen e këtyre zgjedhjeve, ndërsa për të mbikëqyrur procesin zgjedhor ka akredituar mbi 33 mijë vëzhgues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat