Kuvendi të mërkurën shqyrton Projektligjin për Buxhetin

Aktuale

Kuvendi të mërkurën shqyrton Projektligjin për Buxhetin

Më: 23 tetor 2017 Në ora: 11:52
Pamje nga mbledhja e Kryesisë

(E plotësuar) - Të mërkurën, më 25 tetor, në orën 10:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare, në të cilën do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Në këtë seancë, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të formohet Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, si dhe të shqyrtohet raporti vjetor i auditimit i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2016.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, u shqyrtua edhe propozimi për shpalljen publike për një anëtar në Bordin për Ankesa.

Kryesia autorizoi administratën e Kuvendit që të shpallë konkursin, konform dispozitave ligjore.

Po ashtu, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj. 

***

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se seanca e radhës ku pritet të jetë votimi për buxhetin do të mbahet të mërkurën.

Veseli ka komentuar edhe rezultatin e zgjedhjeve locale që janë mbajtur dje e sipas të cilit PDK-ja është duke pri në komunat më të mëdha.

 “Prej shtatë qendrave në tri prijmë ne. Besoj se ajo që ka fituar më së shumti është Kosova dhe i ka dhënë vulë drejt perspektivës evropiane. Të gjithë jemi të kënaqur”, tha Veseli

Anëtarët tjerë të Kryesisë nuk janë deklaruar për media. Seanca do të mbahet në orën 10:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat