Thaçi: Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur

Aktuale

Thaçi: Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur

Më: 25 tetor 2017 Në ora: 18:07
Hashim Thaçi

Vetëm një gjykatë e paanshme mund të gëzojë besimin e palëve dhe qytetarëve në tërësi. Kështu u tha me rastin e shënimit të tetë vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në të cilin morën pjesë drejtues të institucioneve të larta të shtetit, prokurorë, përfaqësues të huaj diplomatikë në vendin tonë dhe mysafirë të shumtë.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, tha se Kosova ballafaqohet me probleme sfiduese dhe është në përpjekje për forcimin e sundimit të ligjit dhe ekonomik.

Rama-Hajrizi: Gjykata Kushtetuese gjithmonë në pajtim me mandatin

“Gjykata Kushtetuese gjithmonë në pajtim me mandatin dhe me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutë dhe me aktet tjera juridike po vazhdon të krijojë praktikën e saj ligjore, e cila në disa fusha të sundimit kushtetues tanimë lirisht mund të quhet praktikë e konsoliduar gjyqësore. Vlen të përmendet këtu rastet e quajtura individuale që ndërlidhen me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën evropiane për të drejtat e njeriut”, tha ajo.

Ajo ka folur edhe rreth asaj se në fund të secilit proces elektoral, Gjykata Kushtetuese është parë si arbitër i rezultateve zgjedhore, duke tërhequr vërejtjen se nuk është mirë që Gjykata Kushtetuese të perceptohet si përcaktues i institucioneve të dala nga zgjedhjet, pasi që gjykata nuk e ka atë rol.

Rama-Hajrizi: Nuk është mirë që problemet politike të zgjidhen me mjete juridike

“Nuk është mirë dhe nuk është e shëndetshme për demokracinë nëse çështjet dhe problemet politike etikohen të zgjidhen gjithherë të zgjidhen me mjete juridike, dhe si të tilla mund të bëhen edhe si pengesë për zhvillimet demokratike”, ka thënë ajo.

Rama-Hajrizi ka folur edhe për vendimet më të rëndësishme që ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj periudhe, sikurse është ai për Trepçën dhe për investimet strategjike.

Ajo ka theksuar se vitin e ardhshëm pritet të marrë fund mandati i katër gjyqtarëve, duke  tërhequr vërejtjen se nëse procesi për zëvendësimin e tyre nuk zhvillohet brenda afateve të parapara, Gjykata Kushtetuese rrezikon të humbë shumicën e domosdoshme për vendimmarrje.  

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se zbatimi i Kushtetutës është qenësor për shtetin e Kosovës dhe se Gjykata Kushtetuese duhet të vazhdojë të mbrojë rendin kushtetues.

Thaçi: Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur

“Gjykata Kushtetuese gjatë tetë viteve të punës së saj ka treguar se është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saja në mbrojtje të kushtetueshmërisë. Funksionimi dhe efikasiteti i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë dhe në nivelet tjera të gjyqësorit. Sot derisa po festojmë tetëvjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese dua të ceku edhe dekretimin e djeshëm të 40 gjyqtarëve dhe të 13 prokurorëve nga komunitetet jo shumicë të Kosovës. Kjo ngjarje shënon konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe avancimin e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të dala nga dialogu i Brukselit”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka bërë punë të jashtëzakonshme gjatë tetë viteve të themelimit të saj dhe për pak vite ka arritur që të tjerëve iu janë nevojitur dekada të tëra.

Veseli: Gjykata Kushtetuese gëzon besimin e qytetarëve

“Një meritë të veçantë në të këtë moment të veçantë e ka Gjykata jonë Kushtetuese në një demokraci parlamentare dhe liberale siç është Kosova, njësia kushtetuese është vendimtare për stabilitetin institucional dhe politik të vendit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia ka dalë me shumë sukses ta përmbushë këtë rol dhe kjo është arsyeja që ajo sot gëzon besimin e qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se qeveria që ai drejton do të ndihmojë Gjykatën Kushtetuese që të mbrojë normat e saja kushtetuese.

Haradinaj: Gjykata të mbrojë normat e saja kushtetuese

“Qeveria e Kosovës do të jetë në dispozicion që brenda kuadrit  kushtetuese të ndihmojë Gjykatën në rrugëtimin e saj që të mbrojë normat e saja kushtetuese”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat