Thaçi: Jemi të përkushtuar për dialog me Serbinë

Aktuale

Thaçi: Jemi të përkushtuar për dialog me Serbinë

Më: 26 tetor 2017 Në ora: 16:49
Hashim Thaçi

Kosova është shembull i mirë i politikave për promovimin dhe akomodimin e komuniteteve shumicë.

Kështu është thënë në Konferencën Rajonale për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut dhe të Komuniteteve jo shumicë, e cila u organizua nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Presidentit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova ka miratuar masa adekuate për të promovuar një barazi të plotë dhe efektive ndërmjet pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. 

“Kemi instaluar parimin e kuotave për punësim në institucionet publike, për t’u siguruar që komunitetet jo-shumicë marrin pjesë në punën e institucioneve publike. Kemi instaluar parimin e kuotave në universitetet publike, që t’u garantohet e drejta për shkollim të lartë të gjithëve”, pohoi ai. 

I pari i vendit tha më tej se gjithëpërfshirja dhe pjesëmarrja është një nga parimet që promovohet në Kosovë. 

“Një rol të këtillë e ka edhe Këshilli Konsultativ për Komunitetet, kur përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë kontribuojnë me ide dhe projekte për të përmirësuar jetën e komunitetit të tyre apo të të gjitha komuniteteve. Është ky një prej mekanizmave që kemi ndërtuar për të promovuar një prej vlerave kryesore që kemi ndërtuar si shoqëri dhe si shtet – dialogun”, ka thënë ai. 

Ai ndër tjera foli edhe për inicimin e themelimit të Komisionit për të Vërtetën e për Pajtim si mekanizëm për të promovuar dialogun në mes komuniteteve etnike, për të mbyllur kapitullin e konflikteve e për të ndërtuar kapitullin e paqes e bashkëjetesës. 

“Jemi të përkushtuar për dialog me Serbinë që të normalizojmë marrëdhëniet, të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat