Presidenti Thaçi: Po punojmë që Kosova të jetë storie e suksesit për të gjithë

Aktuale

Presidenti Thaçi: Po punojmë që Kosova të jetë storie e suksesit për të gjithë

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 17:49
Pamje nga takimi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Dalibor Jevtiq, kanë pritur sot ambasadoren e SHBA-së në NATO, Kay Bailey Hutchison dhe ambasadoren e Britanisë së Madhe në NATO, Sarah MacIntosh, me të cilat ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë në zhvillimet në sektorin e sigurisë.

Presidenti Thaçi duke falënderuar për vizitën ka treguar për të arriturat e Kosovës në konsolidimin e shtetit në të gjithë sektorët.

“Zgjedhjet e suksesshme komunale, të standardeve më të larta, si dhe përmbyllja e shtrirjes së sistemit juridik të Kosovës në tërë territorin e Kosovës janë të arriturat e fundit. Ndërsa zhvillimi ekonomik, forcimi i sundimit të ligjit, dialogu dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore janë angazhim i yni i përhershëm”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke theksuar se roli i NATO-s është i pazëvendësueshëm për paqen në Kosovë dhe në rajon, presidenti Thaçi u shpreh se janë plotësuar kushtet që edhe Kosova të formojë forcat e saja të armatosura që të lirojë NATO-n nga barra e mbajtjes së paqes në rajon.

Duke folur për procesin e transformimit të FSK-së, presidenti Thaçi u shpreh se ky proces do të jetë transparent, i koordinuar me partnerët e Kosovës dhe shtoi se Kosova do të implementojë të gjitha kriteret e kërkuara për transformim të suksesshëm të FSK-së.

“Do të jetë forcë e standardeve të NATO-s, multi-etnike, në shërbim të të gjitha komuniteteve. Jemi populli më pro-NATO dhe pro-BE në rajon e më gjerë”, u shpreh presidenti Thaçi duke shtuar se “politikat tona janë konform këtij orientimi”.

Kryeministri Haradinaj u shpreh se “orientimi i qytetarëve të Kosovës është i qartë, drejt vlerave euro-atlantike, dhe ky është udhërrëfyes për përpilimin e politikave qeverisëse”.

Duke folur për transformimin e FSK-së dhe afrimin me NATO-n, Haradinaj u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përmbyllë infrastrukturën e sigurisë dhe të paqes në Kosovë dhe në rajon.

Kryeministri Haradinaj shtoi se reformat gjithëpërfshirëse, forcimi i sundimit të ligjit, garantimi i sigurisë së qytetarëve janë prioritet i përhershëm i qeverisë.

Zëvendëskryeministri Jevtiq u shpreh i kënaqur që “vota në zgjedhjet e fundit ishte votë për politikat e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës”.

Ambasadorja Hutchison u shpreh e lumtur që të gjithë liderët e Kosovës flasin me një zë për projektin e Kosovës në të cilën të gjithë qytetarët do të jenë të lirë e të barabartë dhe shtoi se mirëpret thellimi e marrëdhënieve të NATO-s me Kosovën.

Ambasadorja MacIntosh në anën tjetër u shpreh se Kosova gëzon mbështetje të vazhdueshme për perspektivën e saj euro-atlantike dhe mirëpriti përkushtimin e Kosovës për forcim të sundimit të ligjit, për dialog dhe për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Presidenti Thaçi në fund të takimit u shpreh i kënaqur me përkrahjen e shprehur dhe inkurajimin e marrë nga partnerët e Kosovës.

“Po punojmë që Kosova të jetë storie e suksesit për të gjithë”, përfundoi Presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat