Abazi analizon balotazhin në Gjakovë: Mimoza Kusari Lila në AKR dhe bërja krah i djathtë i Thaçit

Aktuale

Abazi analizon balotazhin në Gjakovë: Mimoza Kusari Lila në AKR dhe bërja krah i djathtë i Thaçit

Nga: B.S Më: 28 tetor 2017 Në ora: 08:05
Haki Abazi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi ka analizuar rezultatin e zgjedhjeve në komunën e Gjakovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se Mimoza Kusari Lila u pa si një shpresë për Gjakovën, por që shpjegon hyrjen në AKR e më pas daljen nga kjo parti, përcjell Bota sot.

Abazi flet edhe për Kusari Lilën si ministre dhe sipas tij, premtimet nga ajo janë vetëm një fllad ere.

Postimi i plotë:

Gjakova

"Një hebre kishte shkuar të jetojë në Gjakovë dhe del në treg të blejë vezë. Shitësi, meqë nuk e njeh blerësin, ia qet vezët në peshore dhe ia futë në qese. Hebreu e pyet, përse i mate vezët? -Gjakovari i thotë: “Ne këtu në Gjakovë i shesim vezët me gram. Hebreu habitet, e shet shtëpinë dhe ikë prej Gjakovës". Tani kjo ikja e tanishme prej Gjakovës është dhimbja e radhës për një qytet që ka pasur një prosperitet dhe zhvillim të hovshëm ekonomik por edhe arsimor. Rinia e Gjakovës ngadalë e me zgjuarsi, por me dhimbje i është drejtuar mundësive të reja, kryesisht Prishtinës, por edhe vendeve tjera. Dëm i madh, por në anën tjetër me e parë pozitivisht edhe mundësi e mirë e hapjes përtej ilakeve, se një i dalë është sa një i shkolluar, thonë. Dhe një prej këtyre të rinjve, Mimoza Kusari, në fillim u duk që është edhe e ditur edhe e dalë. Një energji e re, besa me shumë shpresa se po paraqitet një gjeneratë e re që është e përkrahur, e guximshme, me principe e kritere të larta të veprimit e angazhimit në politikë. Pika referente ka qenë mashtruese, sepse të rinj nuk do të thotë domosdoshmërish edhe të rinj në mendësi. Por, kjo trajektore e saj u përplas me një kapërcim skandaloz, së pari angazhimi në AKR, aspak platformë për kalibër të ri, ambicioz e perëndimor, mandej prej një kritikuese të ashpër të PDK-së për një kohë të shkurtër u bë krahu i djathtë i Thaçit. I harroi Mimoza vlerat, principet, i harroi të gjitha angazhimet që i mësoi në Evropë e Amerikë dhe filloi të besojë në oportunizëm, filloi aventurën me qenë afër atyre që një ditë i quante shkatërrues të shtetit me arsyetimin që është aftësi dhe udhëtimi i saj si ministre e industrisë që u përcoll me kozmetika e pompozitet e pa lënë asnjë rezultat e shenjë të dukshme të energjisë së re, përveç reflektimit të ithët provincial dhe një tentim për të përfituar sa më shpejt dhe sa më shumë. Skandalet me Shqipërinë, marrëveshjen ekskluzive me Turqinë e Bullgarinë, pjesëmarrëse në komisionin ndërministror në privatizimin e rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike për 26 milion euro.

Aq sa ishte kontroverse hyrja në AKR dhe përdorimi i pasinqertë i kapitalit të AKR-së për të ardhur në pushtet aq hipokrite, e kotë ishte edhe dalja nga AKR për arsyet që asnjëherë nuk u bënë të qarta për publikun. Thuajse marrëdhënia me AKR-në ishte private e biznesore, ndoshta edhe ishte private. Por ka një kufi, sepse është shumë pak e rëndësishme se çfarë dinë të tjerët për ty, është shumë e rëndësishme çfarë di Ti për veten. Dhe nëse ky ballafaqim me veten është i vështirë e i rëndë dhe pasqyra tregon që je njeri që nuk i lë dy gurë bashkë, efikasiteti dhe kapaciteti në punë praktike është minimal e shansi të jesh model i mirë për të tjerët dhe për të kërkuar besimin nga ata që kanë parë dredhinë është shumë i vogël.

Gjakova mund të jetë vendi ku u rekrutuan njerëz e politikanë të viteve të socializmit që disa prej tyre edhe njihen si dredhagjinjë, por një, që Gjakova për shkakun e tyre pagoi shtrenjtë dhe së dyti kohërat kanë ndërruar dhe Gjakovarët nuk mund të mashtrohen me premtime që nuk prodhuan rezultate, përkundrazi krejt përfundoi me amulli, zbrazëti dhe me një zbehje të një shprese që ishte ngritur artificialisht. Fatkeqësi që është bërë pjesë e politikanëve të rinj që kanë adaptuar nivelin e arrogancës dhe vetëbindjes së vërtetë qytetarët nuk mbajnë mend, dhe se premtimet për aeroportin e Gjakovës, për ngjalljen e ekonomisë lokale, për çudirat e befasitë që do të ndodhin kur të bëhet Mimoza kryetare janë vetëm një fllad ere. Tre vite një qendër e mjekësisë familjare nuk është përfunduar, mos bëj Zot të jetë e vërtetë se ka orkestruar raste të thyerjes e dëmtimit të pronës për të krijuar akuza ndaj kundërshtarëve politik. Paramendojeni se ajo kërkon votë prej qytetarëve të Gjakovës, por nuk i sheh ata të denjë të bashkëjetojë me ta. Me ligj do të duhej të rregullohej që kryetari i komunës nuk mund të jetojë në një komunë tjetër gjatë mandatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat