Ligji për investime strategjike ende i “vdekur”

Aktuale

Ligji për investime strategjike ende i “vdekur”

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 10:54
Foto ilustrim

Ka kaluar më shumë se gjashtë muaj prej kur ka hyrë në fuqi të plotë, ligji për Investime Strategjike por që deri tash nuk është trajtuar asnjë biznes potencial me këtë ligj. Përfaqësues të opozitës kanë kritikuar Qeverinë e re për bartje të kompetencave të këtij ligji në Ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Ndërsa, pozita thotë se nuk ka ndonjë pengesë që kjo ministri të trajtojë investitorë me këtë ligj. Përderisa përfaqësuesit nga komuniteti i biznesit kërkojnë që të zbatohet sa më shpejt ligji.

Zëvendëskryeministri njëherë edhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, ka thënë se ligji në fjalë duhet të ndryshohet dhe sipas tij, ligji si i tillë nuk ka sjellë efekte, pasi që nuk janë përfunduar Udhëzimet Administrative dhe rregullore. Ai ka thënë se janë duke punuar bashkë me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që të funksionalizohet në tërësi ky ligj.

Gashi: Ligji si i tillë është i vdekur

“Pikë së pari, natyrisht që ligji dikur do të ndryshohet për shumë arsye, një prej arsyeve është kjo, mirëpo ky ligj ende nuk është testuar. Askush nuk e di se sa funksional është ky ligj. Ky është miratuar edhe ka qëndruar në sirtarë të Qeverisë së kaluar, nuk janë përfunduar atëherë as udhëzimet Administrative, as rregulloret. Ligji ka mbet ka qenë ligj i vdekur nuk ka funksionuar. ...Komisioni është formuar për atë mund të them se pak a shumë e ka kryer punën. A do të jetë sot në mbledhje të Qeverisë apo do të jetë në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë vendimi se si do të riorganizohet, ligji lenë hapësira që të inkorporohen edhe ministritë tjera edhe do të inkorporohen. Nuk është puna që të jesh në Komision...Unë jam edhe zëvendëskryeministër në këtë aspekt edhe roli i koordinimit të gjitha këtyre aktiviteteve që ndërlidhen me investime të huaja të diasporës“, tha Gashi.

Ai ka thënë se më së largu deri në gjysmën e muajit të ardhshëm, ligji do të jetë i kompletuar dhe funksional.

Gashi: Muajin e ardhshme do të kemi aplikuesin e parë që do të trajtohet me këtë ligj

“Përafërsisht deri më së voni nga mesi i muajit të ardhshëm ligji do të jetë funksional me Udhëzime Administrative me rregullore dhe brenda këtij viti besoj që do të kemi palën e parë, aplikuesin e parë që do të aplikoj në kuadër ketë këtij ligji.... Interes ka pasur shumë, po flasë vetëm në një periudhë të shkurtër 3-4 javësh kur kemi filluar të bëjmë takime të tilla. Kryesisht kanë qenë i investitorë në fushën e energjisë dhe të minierave, fatmirësisht nga shtete me përvoja të mira në këtë fushë si Gjermania, Britania e Madhe“, tha Gashi.

Ligjin për investime strategjike, Naser Osmani, anëtar i  Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, e konsideron që ka qenë njëri ndër ligjet më të rëndësishëm të mandatit të kaluar të Qeverisë dhe parlamentit.  Sipas tij, nëpërmjet këtij ligji në Kosovë të vijën investitorë kredibil. Osmani ka shpreh habinë se si një ligj i tillë kalon në një ministri tjetër që e konsideron që e margjinalizuar.

Osmani: Në Kosovë kemi krijuar burokraci të mëdha për investitorë

“Me krijimin e Qeverisë së re, kam qenë totalit i habitur nuk e kam kuptuar pse kjo mundësi kaq e mirë për Kosovën, një shpresë e madhe e Kosovës me kaluar në një resor i cili është aq i margjinalizuar lidhur me këtë ligj me diasporë. Si po duket mendje ngutësia e kësaj Qeverie ka kuptuar që investitorët strategjik do të jenë diaspora shqiptare në perëndim që nuk përjashtohet, por ne kemi menduar që kompanitë e mëdha, kompanitë kredibile, kompanitë me emër botëror t’iu krijohet mundësia që të vijnë edhe të vendosin në Kosovë bizneset e tyre. E vërteta është se në Kosovë kemi krijuar burokraci të madhe edhe kjo po krijon një lëmsh të madh edhe nuk po e gjejmë rrugën e duhet, rrugën më të shkurtër, më të thjesht që të bimë investitorët”, tha Osmani.

Ai ka shtuar se çdo zvarritje e zbatimit të këtij ligji e konsideron si të dëmshme për zhvillimin e Kosovës.

Ndërsa, Ismet Mulaj, drejtor ekzekutiv në Odën e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sa më parë të funkionalizohet ligji. 

Mulaj: Qeveria ta funkionalizoj ligjin sa më shpejtë

“Realisht ligji parasheh që investimet strategjike të kalojnë në kuadër të zyrës së kryeministrit, por me riorganizimin e ri kjo ka kaluar te Ministria e Diasporës, ende ligjërisht Ministria e Diasporës nuk ka të drejtë me u marrë me këtë veprimtari, por si Odë e Afarizmit besojmë që diaspora është interes strategjik edhe një pjesë e investimeve munden me ardhur nga diaspora, kështu që mund të ketë një ndërlidhje. Nuk është e rëndësishme se si ndërlidhen kjo veprimtari, ku kalon, tek cili dikasterë, e rëndësishme është që të jetë funksional, të zbatohet me shpejtësi të madhe, investitorët të përfitojnë nga këto mundësi që i ka krijuar ligji. ...I bëjmë thirrje Qeverisë që ta funkionalizoj sa më shpejt, t’i nxjerr udhëzimet administrative që dalin nga ky ligj dhe të jetë sa më funksional“tha Mulaj.

Ndërsa, ish ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, thash deputete nga LDK-së, Hykmete Bajrami, në seancën e fundit të mbajtur ka pyetur ekzekutivin se a do të ndryshohet ligji për investime Strategjike dhe u ka bërë thirrje kryeministrit që të heq dorë nga kompetencat  që me këtë ligj do t’ia vendos Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike .Bajrami: Ligji është, mos u mundoni të zbuloni ujin e vakët

“Ligji tanimë është në fuqi. Ministria  e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht Agjencia e Investimeve dhe për Përkrahje të Ndërmarrjeve është përgjegjëse, kjo agjenci  ka filluar punën me Agjencionin Kosovar të Privatizimit, është lista e projekteve tanimë e gatshme. Nuk di pse një kompetencë e tillë të kalohet jashtëligjshëm te Ministria e Diasporës dhe në mënyrë që ministri Gashi të jetë kompetent duhet komplet të ndërrohet ligji dhe kjo nënkupton që do të kemi edhe një humbje të kohës ... Andaj unë i bëjë thirrje kryeministrit Haradinaj por edhe ministrit Gashi që të heq dorë nga kjo kompetencë. Mos provoni me zbuluar ujin e vakët prapë sepse ligji është, projektet janë, janë institucionet përgjegjëse të cilat shumë qartë i përcakton ligji dhe asnjë kompetencë nuk është tek Ministria e Diasporës sipas ligjit“, ka thënë Bajrami.

Ndryshe ligji ishte miratuar në fund të vitit 2016-të por që nuk ka hy në fuqi deri në muajin shkurt të 2017-ës. Kjo ka ndodhur  pasi ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputet të Listës Serbe, pasi që është dhënë legjitimiteti nga Kushtetuesja ligji ka hy në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat