Haradinaj: Të rrugëtojmë së bashku në luftën kundër kancerit të gjirit

Aktuale

Haradinaj: Të rrugëtojmë së bashku në luftën kundër kancerit të gjirit

Më: 28 tetor 2017 Në ora: 13:12
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Qindra qytetarë për herë të dhjetë më radhë në sheshet e Prishtinës kanë marrë pjesë në ecjen tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit me moton “Zbulimi i hershëm = Mbijetesë”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj se Qeveria e Kosovës obligohet që të ndihmojë në diagnosifikimin e hershëm të kancerit të gjirit përmes mekanizmave të ndryshëm.

Ai duke përgëzuar organizatorët tha se kjo ecje ka për qëllim sensibilizimin e grave për të bërë kontrolla mjekësore për një diagnosifikim të hershëm të kancerit të gjirit.

Haradinaj: Obligohemi të rrugëtojmë së bashku

“Është që të sensibilizojmë vetveten e secilën zonjë, secilin prej nesh që t’i paraprijmë këtij rreziku duke bërë kontrolle, pra të arrijmë tek diagnosifikimi sa më i hershëm kur ekziston ky rrezik sepse është sëmundje e shërueshme nëse identifikohet herët në kohë...Obligohemi që të bashkë rrugëtojmë së bashku me gjithë ato mekanizma, pra edhe institucionet shëndetësore por dhe mekanizma të tjerë që të ndihmojmë në diagnosifikimin e hershëm dhe të mos lejojmë që diçka që kemi mundur me e kalu, me e mundur, me mund njërën nga ne në Kosovë“, tha ai.

I pari i ekzekutivit të vendit tha se rreziku për kancerin e gjirit është i madh në Kosovë edhe për shkak të hezitimit që kanë kryesisht gratë të vendeve rurale për të bërë kontrollet me kohë.

Ndërkaq, ministri i shëndetësisë, Uran Ismajli ka ofruar përkrahje dhe rritje buxhetore për trajnim të duhur për gratë e prekura nga kanceri i gjirit.

Ai po ashtu tha se do të bëjë çmos që së bashku me QKUK-në të ngritin kapacitetet e tyre që trajtimi i kësaj sëmundje të bëhet në QKUK.

Ismajli: Do kemi ngritje të madhe buxhetore për trajnim të duhur

“Ministria e Shëndetësisë do të bëjë çmos së bashku me QKUK-në, ne kemi arritur që të ngrisim kapacitetet tona që i gjithë diagnosifikimi dhe i gjithë trajtimi të bëhet në Qendrën Klinike Universitare, por ne e dimë që kjo nuk është boll...Ju e keni përkrahjen time gjatë vitit të ardhshëm do të shihni një ngritje të madhe buxhetore që do të jep trajtim të duhur, unë e di që keni mungesa barna, unë e di që keni mungesa në trajtim të shpeshtë, unë do të jem aleat dhe partner i juaj dhe së bashku do të arrijmë të luftojmë, të mbijetojmë dhe të realizojmë edhe shumë projekte tjera së bashku me ju”, tha ai.

Ndërkaq, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kërkuar mbështetje institucionale për parandalimin dhe diagnosifikimin e kancerit të gjirit.

Ajo tha se është shqetësuese edhe rritja e numrit të grave të prekura nga kjo sëmundje e cila ka shënuar rritje për 20 raste më shumë krahasuar me vitet tjera.

Jahjaga: Bëjë thirrje për mbështetje institucionale

“Ky pikë takim është gjithashtu thirrja jonë e përbashkët për më shumë mbështetje institucionale për parandalimin, diagnostifikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit me qëllimin e vetëm që të shpëtojmë një jetë... Vetëm brenda gjashtë muajve të fundit të këtij viti në Kosovë janë paraqitur rreth 160 raste të reja të kancerit të gjirit, 20 raste më shumë krahasuar me vitet e kaluara...Duhet të bëjmë më shumë për t’i edukuar vajzat dhe gratë nëpër zonat urbane por edhe në ato rurale për mënyrën e zbulimit dhe trajtimit të hershëm të kësaj sëmundje”, tha ajo.

Jahjaga po ashtu tha se edhe mungesa e zbatimit të ligjit për sigurim shëndetësor sfidon përgjigjen efikase ndaj kancerit të gjirit.

E kryetarja e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, e cila ishte edhe organizatore e kësaj ecje, tha se këtë rrugëtim e nisën me qëllim të mirë për të ofruar informata për gratë për kancerin e gjirit.

Ajo po ashtu tha se duhet partneriteti politik, mjekësor, njerëzor, medial për të arritur në plotësimin e misionit për luftimin e kancerit të gjirit.

Latifi: Kërkojmë partneritet institucion, shoqëror

 “Gjithë këto përpjekje të sinqerta në ndihmë grave atyre që sapo përballen me këtë sëmundje por edhe institucioneve përgjegjëse për më shumë shërbime shëndetësore, profesionist, pajisje, barna në vazhdimësi e kemi kërkuar këtë partneritet më të fuqishëm në mes të sëmurave dhe mjekëve, midis popullatës dhe politikës, midis mediave dhe opinionit për sensibilizim humanizim dhe fuqizim të shoqërisë kosovare për një mision të përbashkët, për një mision të mundshëm për luftimin e kancerit të gjirit”, tha ajo.

Për të përkrahur të prekurat nga kanceri i gjirit në manifestimin e organizuar nga “Jeta’Vita”, morën pjesë edhe fytyra të njohura politike si zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, kandidatët për të parin e kryeqytetit, Arban Abrashi e Arbër Vllahiu dhe një numër i madh i qytetarëve të Prishtinës.

Ndryshe, muaji tetor njihet ndërkombëtarisht si muaji për ndërgjegjësim mbi sëmundjen e kancerit të gjiri

Do të ketë rritje buxhetore për trajtimin e sëmundjes së kancerit të gjirit

Ministria e Shëndetësisë do të punojë në ngritjen e kapaciteteve që i gjithë trajtimi i kancerit të gjirit të bëhet në QKUK.

Kështu është thënë sot në manifestimin informativo-kulturor dhe ecjen tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit me moton “Zbulimi i hershëm = Mbijetesë”, që për herë të dhjetë është organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”. 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është senzibilizimi për rrezikun që sjell kanceri i gjirit dhe parandalimin e tij me kohë.

“Rreziku më i madh për shkak të hezitimit të femrës së Kosovës kryesisht në zonat rurale që të bëjnë kontrollet e duhura. Qeveria e Kosovës obligohet që të rrugëtojmë së bashku me të gjitha mekanizmat që të ndihmojmë në diagnostifikimin e hershëm që kjo sëmundje mos ta mund askënd në Kosovë”, tha Haradinaj.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli tha se do të bëjë çmos që të ngritin kapacitetet që i gjithë trajtimi i kancerit të gjirit të bëhet në QKUK.

“E keni përkrahjen time dhe do të ketë rritje buxhetore për trajtimin e sëmundjes tuaj. Do të jem aleati juaj dhe do të arrijmë të realizojmë shumë projekte për ju", tha ai.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se ecja tradicionale në muajin e luftës kundër kancerit, shënon përpjekjen tonë të vazhdueshme për t’u vetëdijesuar për rrezikun nga kanceri i gjirit dhe ky pikë takim është thirrje për mbështetje institucionale me qëllim që kjo sëmundje të zbulohet më herët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat