Ramush Haradinaj: 50 Zëvendës Ministra, nuk janë pare e humbur!

Aktuale

Ramush Haradinaj: 50 Zëvendës Ministra, nuk janë pare e humbur!

Më: 3 nëntor 2017 Në ora: 22:54
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, konfirmoi sot atë që është bërë objekt debati e shakaje në opinion ditëve të fundit për mbipopullimin e kabinetit qeveritar me Zëvendës Ministra.

Pas vizitës që bëri sot te ministri i Financave Bedri Hamza, kryeministri u pyet nga KALLXO.com se sa zëvendës ministra ka emëruar deri tani dhe se a do të vazhdojnë të tjera emërime.

Ai tha se deri më tani janë emëruar rreth 50 zëvendës ministra në 21 resorët ministrorë që ka qeveria e Kosovës, ndërsa la të hapur mundësinë edhe të emërimeve tjera.

“Është një proces në vazhdim dhe numri ka mrri diku në 50 zëvendës ministra… Muj me ju thanë se nuk është pare e humbur e buxhetit të vendit për shkak se dinamika është ndryshe”, tha ai.

Meqë ishte në vizitë te ministri i financave, Bedri Hamza, ai mori shembulli e zëvendësve në këtë ministri.

”Rasti për ministrin Hamza ka tre [zëvendës ministra], por të tre kanë detyra të delegume”, deklaroi kryeministri.

Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj është më megalomania që Kosova ka pasur deri më tash me 21 ministri dhe 5 zëvendës kryeministra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat