KDI: Paraja publike po keqpërdoret në mënyrë të vazhdueshme

Aktuale

KDI: Paraja publike po keqpërdoret në mënyrë të vazhdueshme

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 12:48
Konferenca e KDI

Paraja e tatimpaguesve po keqpërdoret në mënyrë të vazhdueshme, përmes menaxhimit të dobët. Kështu u tha në tryezën “Investimet e arnuara”, ku u diskutua mbi pasojat ekonomike, që dalin nga menaxhimi i dobët i kontratave dhe mungesa e vlerësimit të performancës, së operatorëve ekonomikë në prokurimin publik.

Diana Metushi- Krasniqi nga KDI,  e cila prezantoi raportin “Investimet e arnuara”, tha se menaxhimi i dobët i kontratave, po u kushton tatimpaguesve kosovar, si në kualitet ashtu dhe në koston e shërbimeve që ata po i marrin.

Krasniqi: Paraja e tatimpaguesve po keqpërdoret

“Raporti investimet e arnuara, nxjerr në pah,  se nuk është vetëm një percepcion, por tash është një fakt,  se paraja e tatimpaguesve po keq përdoret dhe po humbet,  në mënyrë të vazhdueshme, përmes menaxhimit të dobët të parasë publike. Prandaj duke qenë se investimet kapitale llogariten ndër investimet me koston, jetëgjatësinë, qëndrueshmërinë, fizibilitetin dhe ndikimin më të lartë në mirëqenien tonë si qytetar, ku investuesi kryesor është tatimpaguesi, ndërsa përfituesi kryesor është qytetari, ne si tatimpagues nuk mund ta tolerojmë të vazhdoj një keq menaxhim i mëtejmë dhe humbje e parasë publike”, tha ajo.

Krasniqi tha se ata kanë analizuar disa raste të kontratave, e janë fokusuar tek tri kontrata, si ndërtimi i shkollës fillore ‘Tefik Çanga’ dhe ‘Faik Konica’,  në Ferizaj dhe ndërtimi i parkut të biznesit në Drenas si tri projekte në të cilat punët nuk janë kryer si duhet.  Ajo tha se  në këto raste operatori ekonomik jo që nuk është penalizuar, por është shpërblyer dhe me ndërtime të mëtutjeshme.

Krasniqi: Operatoret s’po penalizohen por po shpërblehen

 “Në shkollën fillore ‘Tefik Çanga’ që ka qenë në projektin për 25 shkollat model, është bërë një punë e tmerrshme e cila pas 24 ankesave përgjatë shtatë vite nga udhëheqësia e shkollës, drejtuar departamentit komunal të arsimit dhe MASHT, më në fund sivjet ka marrë vëmendjen dhe janë investuar mbi 55 mijë euro për arnimin e investimeve paraprake . Të gjitha këto janë punë që paraprakisht ishin paguar në ndërtim të shkollës si dhe kishin shfaqur probleme që nga promovimi i këtij objekti. Përveç asaj dhe këtyre 24 ankesave që janë drejtuar drejt DKA dhe MASHT,  ministria prapë i ka besuar të njëjtit operator ekonomik dhe ndërtimin e shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica”,  e cila me vetëm një vit pas promovimit është në gjendje mizërie”, tha ajo.

 Safet Hoxha, kryetar i komisionit rregullativ të Prokurimit Publik, tha se janë disa gjëra për të cilat prokurimi paguan faturën  padrejtësisht. Sipas tij kontrata mund të jetë e mirë, por ka planifikimin dhe menaxhim të  dobët të kontratave.

Hoxha: Prokurimi po paguan faturën padrejtësisht

“Ne mund të bëjmë një kontratë jashtëzakonisht të mirë,  në aspektin e procedurave të prokurimit publik, por nëse ajo realizohet dobët, menaxhohet dobët, atëherë imazhi për prokurimin ka me dal katastrofal. Ose ne mund të bëjmë dhe menaxhim të mirë të kontratës, edhe procedurë të mirë të prokurimit. Por nëse planifikimi ka qenë i dobët, çfarë ta zëme është rasti i Shtimës,  që ne nuk kemi mujt me planifiku fillimisht ku duhet me u vendos palestra atëherë efektet e shpenzimit të buxhetit mbeten zero”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat