S’duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa një rezolutë të re nga Kuvendi

Aktuale

S’duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa një rezolutë të re nga Kuvendi

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 16:39
Kryetarët e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës

Kryetarët e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar që faza e re e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mos filloj pa nxjerrjen e një rezolute të re nga Kuvendi i Kosovës.

Një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, sipas të cilëve nuk duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa konsultën e Kuvendit.

Këto u thanë në takimin e dytë koordinues, të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Instituti Demokratik i Kosovës, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme Vjosa Osmani ka thënë se ka nevojë për një rezolutë të re për dialogun mes Kosovës e Serbisë për të qartësuar pozicionin e presidentit, kryeministrit në këtë proces dhe të paraqiten vijat e kuqe në këtë dialog.

Derisa e ka vlerësuar shqetësues involvimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në procesin e dialogut, pavarësisht faktit se kreu i shtetit është udhëheqës i politikës së jashtme.

Osmani: Shqetësues involvimi i presidentit në dialog

“Unë e shoh si shqetësuese jo vetëm si qëndrim politik, por nga aspekti i politikes së jashtme involvimin e presidentit për dy arsye, që janë ndoshta të natyrës teknike. E para nëse presidenti udhëheq këtë proces, nuk do të kemi mundësi ta mbikëqyrim si Kuvend. Dhe e dyta nëse arrihen marrëveshje në nivel presidentësh, presidenti nuk ka mekanizma impelemtues ekzekutiv e as ta urdhëroj Qeverinë të implementohen”, theksoi Osmani.

Ndërsa, Jeta Krasniqi nga KDI-ja theksoi se procesi i dialogut është ndër proceset me të mbyllura deri më tani, pasi që nga nisja e dialogut asnjë marrëveshje nuk është diskutuar paraprakisht, por vetëm pas arritjes së tyre.

Krasniqi theksoi se në fazën e tretë që pritet të fillojë shumë shpejt, Kuvendi duhet të luaj rol më aktiv dhe se nuk duhet të ketë fazë tjetër të dialogut pa një rezolutë të re të Kuvendit.

Krasniqi: Faza e tretë e dialogut të mos filloj pa një rezolutë të re

“Jemi duke hyrë në fazën e tretë të dialogut, nuk e kemi të qartë se si do të ecet përpara, se si do të jenë temat e dialogut, se sa do të zgjas ky proces, por mbetet e rëndësishme që Kuvendi ta ketë një rol me aktiv, pasi ka obligim mbikëqyrjen e ekzekutivit në fakt që të kërkoj më shumë përgjegjësi si nga ekzekutivi po ashtu edhe ekipi dialogues. Ne e dimë se në çdo fazë të dialogut para se të filloj ka kaluar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës e cila ka shprehur edhe njëfarë miratimi të Kuvendit dhe legjitimim të këtij procesi. Presim që një gjë e tillë të ndodh edhe tani që faza e tretë të mos fillojë pa u konsultuar me Kuvendin”, tha Krasniqi.

Një rezolutë të re të Kuvendit për këtë proces, kërkoi edhe kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, pasi ky proces ishte pezulluar në kohën kur Haradinaj ishte arrestuar në Francë.

Deliu-Kodra: Kuvendi duhet të deklarohet edhe një herë me një rezolutë

“Kuvendi ka nevojë që të shpreh vullnetin e tij edhe një herë përmes një rezolute të re, e cila natyrisht që do duhej të arrihej me dakordimin e partive politike brena Kuvendit, por gjithsesi për të shpërfaqur edhe vullnetin që kjo rezolutë do të arrihej që të kthej vëmendjen e institucioneve të Kosovës në dialogun dhe marrëveshjet e arritura deri më sot”, tha Deliu-Kodra.

Kritika ndaj këtij procesi pati edhe Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion, sipas së cilës, delegacioni i Kosovës ka shkuar i papërgatitur në dialog dhe si pasoj e kësaj janë bërë koncesione të dëmshme për Kosovën.

Madje, ajo theksoi se nuk mund të ketë fazë të re të dialogut pa një hetim të secilës marrëveshje të arritur deri me tani.

Haxhiu: Marrëveshjet e deritashme duhet bërë një vlerësim para fazës tjetër të dialogut

“Ky proces i dialogut ka qenë komplet jo transparent. Përfaqësuesit e Kosovës kanë shkuar në dialog komplet të papërgatitur, ne i kemi të freskëta ato foto që na ipeshin si imazhe ku delegacioni i Kosovës pa asnjë dokument përpara, ndërsa ai i Serbisë me një deng përpara. Qasja jo serioze karshi dialogut me Serbinë ka prodhuar edhe koncensione në dëm të Kosovës...Nuk mund të hyjmë në fazë të re pa pasur një vlerësim të secilës marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel. Madje më mirë do të ishte kemi një komision “ad hoc” hetimore i cili do të vlerësonte secilën marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel”, theksoi ajo.

Por, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selamanaj, e vlerësoi se duhet menjëherë Kuvendi të nxjerrë një rezolutë meqë ky proces ka rrëshqitur në tematikë krejtësisht politike. Pati edhe kritika për takimin e sotëm.

Selmanaj: Duhet një rezolutë e re Kuvendit

“Ju po thoni se po takoheni me qytetarë, po ju a po thoni që s’po dimë për marrëveshjes, çka po doni të takoheni me qytetarët, t’iu tregoni që s’i dini sa ju, t’iu kallxoni se nuk e njihni materien e marrëveshjeve. Kjo është paradoksi. Kjo ka ndodh sepse kemi pas shkarje nga vet qëllimi i dialogut, është nisë si proces teknik, menjëherë është zhytur në tematika politike dhe po vazhdon me tematika politike...Mendoj që kjo tematikë meqë ka rrëshqitur krejtësisht në kontekstin politik, ama krejtësisht politik meriton një artikulim edhe të menjëhershëm të Kuvendit me një rezolutë të re që nënkupton çka tash e tutje me këtë proces të dialogut”, u shpreh ai.

Në këtë takim edhe kryetarët tjerë të komisioneve thanë se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë proces. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat