Apeli shfajëson ish-kryetarin e vet

Aktuale

Apeli shfajëson ish-kryetarin e vet

Më: 8 nëntor 2017 Në ora: 17:05
Sali Meka

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka lënë në fuqi pjesshëm aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 11 korrik e me këtë rrjedhimisht edhe aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 30 majit të vitit të kaluar kundër të pandehurit S.M., dhe tre të pandehurve tjerë.

Kolegji profesional prej tre gjyqtaresh i kësaj gjykate, duke vendosur sipas ankesave të palëve, e ka lënë në fuqi pikën I të aktakuzës sipas të cilës  S.M.  dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa V.G., M.S., dhe A.S. për “ Dhënie të ryshfetit” nga neni 429 lidhur me nenin 28 të te njëjtit ligj.

I njëjti kolegj, e ka  ndryshuar  pjesën e aktvendimit e cila ka të bëjë me pikën IV, të aktakuzës e cila po ashtu e ngarkonte të pandehurin S.M. më veprën penale” Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, pasi që se si person zyrtar, duke shfrytëzuar  detyrën dhe autoritetin e tij, më qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, për vete ose personin tjetër, përkatësisht të afërmin e tij A.M., gjatë vitit 2015, ishte takuar më personat e dëmtuar Z.G. dhe P.G., më qëllim që të nxjerrë borxhin më vlerë prej 200 mijë eurosh, me pretendimin se P.G., i ka borxh të afërmit të tij A.M. Në këtë pikë aktakuza është hudhur dhe procedura penale është pushuar, pasi që nuk ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se ai e ka kryer këtë vepër penale.

Kolegji ka vlerësuar se sa i përket pikës IV të aktakuzës, nuk ekziston asnjë element inkriminues në veprimet e të pandehurit S.M.. Kjo për faktin se qëllimi i tij ka qenë zgjidhje e problemit në mes dy familjeve, për më tepër i pandehuri, siç rezulton nga shkresat e lëndës, nuk ka vepruar si person zyrtar, aq më tepër të ketë përfituar ndonjë dobi pasurore, për vete ose dike tjetër, ose t’i ketë shkaktuar dikujt dëme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat