Shoqëria civile kërkon vija të kuqe për Rezolutën e re për dialogun

Aktuale

Shoqëria civile kërkon vija të kuqe për Rezolutën e re për dialogun

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 16:31
Foto ilustruese

Shoqëria civile po kërkon që në Rezolutën e re që duhet ta nxjerr Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, të specifikohen qartë përgjegjësitë e secilit institucion në procesin e dialogut me Serbinë.

Madje, në këtë Rezolutë të cilën e quajnë të domosdoshme, duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk mund të kalojë askush që përfshihet në procesin e dialogut.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, e quan të vonuar miratimin e një Rezolute nga ana e Kuvendit, por se  edhe tash është e domosdoshme që të përcaktojë qartë përgjegjësitë si të Kuvendit, Presidencës, Qeverisë dhe secilit që merr pjesë në dialog.

Ai thotë se pika e parë që duhet të jetë në Rezolutë, është informimi i Kuvendit para arritjes të secilës marrëveshje dhe marrjen e miratimit të shumicës në Kuvend.

Demhasaj: Gjëja e parë në rezolutë duhet të jetë informimi i Kuvendit

“Ajo Rezolutë çka duhet të përmbaj është gjëja e parë që ta obligoj Qeverinë, presidentin apo bartësit tjerë që mund të jenë të dialogut që gjithmonë pas çdo raundi që zhvillohet i dialogut në Bruksel të vije dhe të raportoj në Kuvend dhe të tregon çka është diskutuar dhe cilat janë vendimet që do të merren. Kjo nënkupton që Qeveria, ose edhe presidenti të mos kenë të drejt të nënshkruajnë marrëveshje në një proces të tillë të dialogut pa u konsultuar me Kuvendit dhe pa marrë miratimin e një shumice të konsoliduar”, tha Demhasaj.

Por, përveç raportimit në Kuvend pas secilit raund të dialogut, Demhasaj thotë se rezoluta duhet të ketë edhe vija të kuqe përtej të cilave nuk guxon askush të dalë dhe të arrijë marrëveshje në këtë proces.

Demhasaj: Rezoluta duhet të ketë edhe vija të kuqe

“Normalisht që kjo Rezolutë duhet të ketë edhe disa kushte ndoshta ose disa parime përtej të cilave nuk guxoj të shkoj askush, as presidenti, as Qeveria, as anëtarët tjerë negociator që mund të jenë pjesë e ekipit negociator. Pra me qenë disa vija të kuqe ose premisa përtej të cilave nuk ka autorizim asnjë individ t’i kaloj këto dhe të nënshkruaj marrëveshje ose të arrijë marrëveshje të ndryshme që lidhen direkt me Kosovën”, tha Demhasaj.

Edhe përfaqësuesit e partive politike e shohin të domosdoshëm sqarimin e pozicionit të secilit institucion në procesin e dialogut.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, tha për KosovaPress, se Kuvendi patjetër duhet të nxjerrë një rezolutë para nisjes së fazës së re të dialogut, me qëllim të përcaktimit të rrugës së Kosovës në këtë proces. Madje ai kërkon që kjo rezolutë të  artikuloj qartë dëmet dhe përfitimet që i ka sjellë ky proces Kosovës dhe ekzaminimin e marrëveshjeve të arritura.  

Selmanaj: Rezoluta e re duhet të përcaktoj rrugën e Kosovës në dialog

“Unë mendoj që definivisht Kuvendi i Kosovës duhet të ketë një rezolutë të re ku do të përcaktoj qartë, autorizimet ndaj kujt, kush është i autorizuar që të vazhdoj me procesin e dialogut dhe në fakt në atë rezolutë do duhej të artikulohej qëndrimi që çfarë është bërë deri me tani me këtë dialog, cilat janë të mirat që i janë sjellë Kosovës, do të thotë një ekzaminim i këtyre, ose kontroll të vet marrëveshjeve dhe zbatimit të tyre dhe të vendoset pastaj se si të ecet tutje...E para duhet qartësuar se kush është bartës i këtij procesi, a është Kuvendi, a është Qeveria, a është Presidenti. Nëse ka dal n nivel presidentësh pse ka dal dhe çka synohet të arrihet, sepse kjo formë si ka shkuar deri sot, me tepër duket se i ka sjellë dëme vendit se sa dobi”, theksoi Selmanaj.

Deputeti i LDK-së, thekson se nuk mund ta lenë këtë proces në errësirë dhe me shumë paqartësi sepse më pas po del se disa nga vendimet as që i kanë parë. Mirëpo, sipas tij, nuk guxojnë që këtë barrë të madhe t’ia lënë tekeve qoftë të presidentit, qoftë të një kryeministri apo dikujt tjetër.

Rreth hetimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, Selmanaj thotë se së pari duhet të ulen partitë dhe politikisht të merren vesh për modalitetet, se a duhet të ketë hetim të tërësishëm apo për ndonjë marrëveshje të veçantë apo si.  

Por, Demhasaj thotë se nuk mund të ndodh hetimi dhe shfuqizimi i marrëveshjeve të arritura, sepse ato tashmë janë arritur me ndërmjetësimin e Brukselit dhe kushdo që tenton t’i shfuqizoj ato, do të përballet me kundërshtimin e Brukselit.

Madje, sipas tij, shfuqizimi i tyre do të mund të kishte dëme në liberalizimin e vizave dhe rrugën integruese të Kosovës.

Kërkesa për nxjerrjen e një rezolutë re nga Kuvendi për fazën tjetër të dialogut, doli pas takimit të Komisionit për Punë të Jashtme bashkë me KDI-në dhe kryetarët e të gjitha komisioneve ku u diskutua koordinimi mes komisioneve për procesin e dialogut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat