Flet ish-Zëvendësministri që u emërua gabimisht nga Qeveria

Aktuale

Flet ish-Zëvendësministri që u emërua gabimisht nga Qeveria

Më: 11 nëntor 2017 Në ora: 12:57
Eset Rama

Eset Rama, në biografinë e tij, mund ta shkruajë se ka qenë për një kohë të shkurtër pjesë e Qeverisë së Ramush Haradinajt. Në pozitën e Zëvendësministrit të Drejtësisë. Rama ka sqaruar se emërimi i tij ishte bërë me vendim por më vonë ishte anuluar. Ka sugjeruar të pyetet Zyra e Kryeministrit për këtë çështje. Askush nga Qeveria nuk ka pranuar të flasë lidhur me këtë temë.

Eset Rama për pak kohë ka qenë Zevëndësministri i 60’të në Qeverinë e udhëhequr prej Ramush Haradinajt. Vendimin për emërimin e Ramës në pozitën e të dytit në Ministrinë e Drejtësisë e ka marrë Kryeministrit. Por, i njëjti më vonë e ka anuluar.

Këtë e ka bërë të ditur Rama për Express. Ka thënë se nuk i di arsyet pse e anuloi vendimin derisa nuk është lëshuar në komente pse ndodhi një situatë e paqartë në Qeveri.

“Pyetni në Qeveri, pyetni në Zyrën e Kryeministrit. Atje është vendimi”, ka thënë Rama, të dielën.

Qeveria e koalicionit PDK-AAK-NISMA-AKR ka paralajmëruar mundësinë që numri i Zëvendësministrave të shkojë në 70. Gjithë këto emërime po bëhen për shkak të mungesës së një Ligjit për Qeverinë. Askund nuk ka kufizime se sa duhet të jetë madhësia e një Qeverie.

Sidoqoftë, Rama, një shërbyes civil, thotë se vendimi për emërimin e tij u anulua. Thotë se nuk i di arsyet derisa sugjeron që sqarime të tilla të kërkohen në Zyrën e Kryeministrit.

“Po, vendim ka, por nuk desha të merrem me portale.  Vendim ka, por nuk jam Zëvendësministër. Vendimi është anuluar”, ka sqaruar ai.

“Pyetni në Qeveri të tregojnë më mirë. Unë kam pozicion në shërbimin civil do të vazhdojë të jem aty. Nuk kam më shumë koment”, ka shtuar ai.

Të premten, në rrjetin social të Eset Ramës kishin nisur urimet për pozitën e re. Madje, i njëjti kishte falënderuar miqtë e tij për përgëzimet për pozitën e re. Më vonë, kishte shkruar një sqarim se nuk e mban pozitën e Zëvendësministrit.

“Miqtë kanë filluar urimet dhe unë vetëm i kam falënderuar. Asgjë më shumë. E kam dhënë sqarimin pastaj në FB”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, media, ka provuar të kontaktojë me dy zyrtarët e Qeverisë, përgjegjës për media. Halil Matoshi e Arbër Vllahiu nuk u janë përgjigjur për të sqaruar çështjen e ish-Zëvendësministrit.

As Qeveria nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për të dhënë shpjegime se pse ka ndodhur një ngatërrim i tillë në emërimin e Eset Ramës në pozitën e të dytit në Ministrinë e Drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat